MENU
klinika

I kërkoi të vendoste shaminë

Gazetarja e CNN anulon intervistën me presidentin e Iranit!

23.09.2022 - 18:09

Gazetarja e njohur e medias ndërkombëtare CNN ka deklaruar se intervista e saj me presidentin iranian Ebrahim Raisi është anuluar pasi ai këmbënguli që ajo të vendoste shaminë teksa në vendin e tij po mbahen protesta të mëdha në lidhje me këtë çështje.

Christiane Amanpour e cila drejton një emision në transmetuesin publik të lajmeve në SHBA tha se ishte gati për të zhvilluar intervistën të mërkurën pas asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kur një zëdhënës i presidentit këmbënguli që ajo të vendoste shami duke mbuluar flokët.

“Kam refuzuar me mirësjellje. Jemi në Nju Jork dhe këtu nuk ka asnjë ligj apo traditë në lidhje me vendosjen e shamisë. Unë theksova se asnjë president i mëparshëm iranian nuk e ka kërkuar këtë kur e kam intervistuar jashtë territorit të Iranit. Thashë se nuk do të bija dakord me këtë kusht të papritur”.

Ajo postoi një foto të saj, pa shami, e ulur përpara një karrige bosh ku duhet të ishte presidenti iranian duke zhvilluar intervistën.

“Teksa protestat vazhdojnë në Iran dhe njerëzit po vriten do të kishte një moment i rëndësishëm për të biseduar me presidentin iranian”, shkroi ajo.

Zëdhënësi i kreut të shtetit iranian tha se ai po këmbëngulte për vendosjen e shamisë për shkak të situatës në vendin e tij. Prej gati një jave Irani është përfshirë në protesta masive pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini e cila vdiq pasi u qëllua nga policia që zbaton rregullat e liderëve myslimanë për kodin e veshjes së grave.

Deri më tani janë vrarë të paktën 9 protestues, bazuar në deklaratat në mediat e huaja, ndërkohë që grupet aktiviste thonë se numri i viktimave mund të jetë akoma më i lartë.