Thirrja duke e përsëritur tre herë frazën “grevë e përgjithshme” e Sali Berishës në Parlament, krejt natyrshëm u kuptua si reagim emocional ndaj çështjeve penale të hapura nga SPAK ndaj tij. E në këtë logjikë, sipas gjasave do të zhvillohet edhe diskutimi publik në lidhje me këtë çështje a të tjera, ku mjaft mbështetës të Berishës e quajnë “normale” që një politikan të thërrasë greva, demonstrata apo edhe revolucione, sa herë punët e tij në politikë, por edhe në çështjet ligjore po shkojnë për dreq.
E kjo është realisht një nga dramat, apo më edhe keq, që politika 30 vjeçare i ka bërë shoqërisë shqiptare, duke ngatërruar hallet e veta me ato të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Nëse shikojmë zhvillimet që ndodhin në Kosovë, një grevë e sindikatës së arsimit ka futur në ngërç qeverinë Kurti, e sipas gjasave do të vijmë të një zgjidhje ndoshta jo të pëlqyeshme për palët, por në fund të fundit të negociueshme.
Kosova, një shtet i ri, ka trupa shoqërore të gjalla dhe mjaft aktive si sindikatat, apo shoqëria civile, që jo vetëm shkundin politikën e lartë, por i japin nxitje opinionit publik, duke prodhuar zgjidhje që shkojnë në favor të njerëzve.
Ajo thirrje e dëshpëruar e sotme e Berishës për “grevë e përgjithshme” është fiks apoteoza e një tharjeje që i është bërë shoqërisë shqiptare, duke e polarizuar aq shumë, sa ka krijuar “ushtrinë e militantëve” ë rreshtohen sipas preferencave, ndërsa “pjesa e heshtur” rri e vështron.
Në vitin 1991, ishin sindikatat që e afruan pushtetin e Partisë Demokratike, nëpërmjet grevës së famshme të minatorëve të Valiasit. Të cilët rrëzuan qeverinë e Fatos Nanos dhe detyruan Ramiz Alinë që të pranonte zgjedhje të reja të parakohshme në marsin e vitit 1992.
Por ai ishte suksesi i fundëm i madh e i vogël i sindikatave. Pasi PD mori pushtetin në vitin 1992, pati shkarkime masive nga puna në administratë apo ndërmarrjet e mbetura shtetërore, sipas nenit famëkeq 24/1, por asnjë sindikatë nuk mbrojti të larguarit.
Grevat e minatorëve të Bulqizës, të punëtorëve të uzinave ushtarake, por edhe të tjera u shtypën me dhunë, duke e kthyer lëvizjen sindikale në Shqipëri, në një fantazëm.
Grupet kryesore sindikale në vend u kthyen në pronarë e administrator të pasurive të patundshme, ngaqë ndanë ish-shtëpitë e pushimit të komunizmit, duke asfiksuar, shkatërruar një nga organizmat që ka një shoqëri e hapur dhe vibrante.
Të drejtat e punonjësve, mësuesve, mjekëve e infermierëve, apo edhe operatorëve të industrisë dhe bisnesit gjithë këto 30 vjet u ka dalë si tutor ose politika, ose sipërmarrësit që tregohen si babaxhanë dhe e konsiderojnë veten si baballarë të personalit të tyre. E pikërisht kjo logjikë, kjo politikë, e ka kthyer shoqërinë shqiptare në një gjendje kaq të rëndë, e cila ushqehet vetëm nga egërsia që vjen nga tribuna e parlamentit apo edhe panelet e darkës.
Nëse sindikatat, organizatat e biznesit, studentët, mësuesit apo personeli shëndetësor do të ishte organizuar gjithë këto vite, ata vetë do të ishin aktorë të zgjidhjes së problemeve të tyre. Nëpërmje imponimit sindikal, presionit publik, grevave apo edhe protestave do të kishim zgjidhje më të lehtë të një mijë shqetësimeve që preokupojnë shoqërinë shqiptare.
Por elita politike tek ne nuk e ka dashur këtë, pasi ka preferuar ta lidhë fatin e njerëzve vetëm tek vetja e tyre. Ata të punësojnë, të heqin nga puna, të gradojnë, të bëjnë pedagog, doktor shkencash, të japin diplomë pa shkuar në shkollë, duke e banalizuar kaq keq klientelizmin, sa sot ka një copë të madhe të shoqërisë, e cila nuk ka punë fare me politikën. Përvçse ditën e votimit. Dhe është ai që quhet “elektorati gri”, fuqia e të cilit gjithnjë e më shumë bëhet me e fortë, edhe kur politika si në rastin e sistemit zgjedhor aktual, e ka më të lexueshme situatën.
Por pas ditës së votimit, nëpërmjet zgjedhjeve, nuk ka asnjë amortizator social që të lëvizë gjërat. Është vetëm politika, e në rastin aktual është shtresa më e kontestuar dhe jo popullore në vend-elita 30 vjeçare. Metamorfoza e thirrjes së sotme të Berishës tregon pikërisht fundin e një epoke, e cila do të mbyllet së bashku me dinozaurët, për një riformatim të ri jo vetëm të politikës, por në radhë të parë të shoqërisë.
Që grevat i bëjnë punëtorët, protestat studentët, demonstratat organizatat e shoqërisë civile, për kërkesa më të rëndësishme sesa “largim të qeverisë” apo “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”.