Tre agjentë të një shërbimi sekret të rëndësishëm partner me Shqipërinë, gjatë pesë ditëve të shkuara kanë analizuar të gjitha provat e mbledhura deri më tani, për aktivitetin e dy rusëve dhe një ukrainasi, kapur në ish-fabrikën e armëve në Gramsh.
Burime diplomatike tregojnë për Top Channel, përfundimet paraprake të tre zyrtarëve të huaj në lidhje me këtë çështje.
Ata fillimisht kanë tentuar të takohen e flasin me dy rusët dhe një ukrainas në paraburgim, ku ata ndodhen. Mësohet se Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov kanë refuzuar të takohen me tre zyrtarët e huaj.
Ndërsa studenti ukrainas i kimisë, Mikhail Zorin ka pranuar në mënyrë informale të bashkëbisedoje me ta, duke treguar të njëjtin version pohuar grupit të hetimit tre ditë pas ndalimit.
Pas analizimit të asaj që ka pohuar Mikhail Zorin dhe tërësinë e provave të siguruara deri më tani, zyrtarët e shërbimit të huaj inteligjent kanë mbërritur në përfundimin paraprak se dy rusët dhe ukrainasi, janë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete ruse që veprojnë jashtë territorit të Republikës Federale Ruse.
Duke analizuar veprimtarinë e muajve të fundit në rajon, analistët e huaj ardhur në Shqipëri, kanë shprehur mendimin se Rusia është duke përdorur skemën e “dërgimit masiv të agjentëve dhe bashkëpunëtorëve për mbledhje të informacionit masiv”.
Pjesë e kësaj skeme të gjerë vjelje informacioni janë bërë edhe Svetlana Timofeeva, Fedir Alpatov bashkë me Mikhail Zorin. Për tre agjentët e vendit partner me Shqipërinë, me shumë interes ishin komunikimet në rrjetin “Telegram” mes tre të arrestuarve dhe personave të cilët merrnin informacionet.
Frida Ghitis analiste e çështjeve të sigurisë për CNN disa ditë më parë duke analizuar incidentin e Gramshit sjell këtë detaj.
“Një vit përpara pushtimit FSB (shërbimi i jashtëm sekret rus) dërgoi 160 kuratorë që shërbyen si përgatitës të terrenit në rrëzimin e presidentit Zelenski e zëvendësuar me dikë pro Putinit. Një prej kuratorëve u shfaq si blogere dhe fotografe.”-thuhet në njoftimin e postuar nga ajo.
Të njëjtat burime diplomatike thonë, se ardhja e dy ekspertëve të çështjeve të spiunazhit rus dhe një profilizuesi, lidhet me analizimin e kësaj ngjarje në një këndvështrim më të gjerë në kontekstin rajonal.
Në kushtet kur në Serbi, Malin e Zi, Bosnjë Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut prezenca dhe aktiviteti shërbimeve sekrete ruse, është i mirë faktuar, për partnerët e Shqipërisë një vend i NATO-s, tentativa e Rusisë me dërgimin e një skuadre me detyra spiunazhi shihet me shqetësim.
Analistja e CNN Frida Ghitis e shikon kapjen në vendin tonë të dy rusëve dhe një ukrainasi si një përplasje NATO-Rusi.
” Operacioni inteligjent i dyshuar i Rusisë në tokën Shqiptare, një vend aleat i NATO-s, duke hedhur lëndë paralizuese nervore në fytyrat e ushtarëve, duhet të jetë shumë shqetësuese. Incidenti në përmasa të vogla, është e para përplasje mes NATO-s dhe Rusisë prej kohës kur Putini pushtoi Ukrainën 6 muaj më parë.”- thuhet në njoftim.
Frida Ghitis thekson se kemi të bëjmë me një nga ato raste kur ne mbase nuk do ta mësojnë të gjithë të vërtetën apo mbase kurrë nuk do të kemi një rezultat nga hetimet.
Analistja amerikane e mbyll shkrinin duke thënë se “pritet me interes rezultati hetimit dhe përgjigja e mundshme nga NATO”.