Inter i është rikthyer humbjes në Serie A, e fundit sot në transfertë ndaj Udineses, që fitoi 3-1. Një humbje që djeg shumë për zikaltrit, teksa humbin shumë terren me kreun, ndërsa Udinese merr kreun provizor.
Dhe të mendosh se ndeshja ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për zikaltrit, që kanë kaluar në avantazh pas vetëm 5 minutash lojë me një goditje dënimi magjike të Barella-s.
Fati ka qenë kundër milanezëve në minutën e 22-të, kur Udinese ka gjetur golin e barazimit falë një autogoli të Milan Skriniar. Ky ka qenë autogoli i katërt për sllovakun që kur luan me zikaltrit. Asnjë lojtar tjetër i Serisë A nuk ka realizuar kaq shumë autogola në këtë hark kohor.
Inter ka gjetur golin e avanatzhit me Dzeko-n në pjesën e dytë, por që është anuluar për pozicion jashtë loje. Në të 84-ën ka ardhur befasia për miqtë, me ish Bijol që ka realizuar golin e avantazhit 2-1 për vendasit dhe në të 93-ën Arslan ka fiksuar shifrat në 3-1.
Një moment që ka shkaktuar shumë debate në rrjetet sociale dhe pritet të shkaktojë akoma më shumë pas ndeshjes ka qenë vendimi i trajnerit Inzaghi-t për të zëvendësuar në minutën e 31-të të pjesës së parë Mkhitaryan dhe Baston-in, me këtë të fundit që nuk e ka marrë aspak mirë.