Greva në sektorin e arsimit në Kosovë ka hyrë në javën e tretë të saj dhe arritja e një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës duket të jetë larg.
SBASHK ka marrë vendim që greva të vazhdojë. Pas një takimi që këta të fundit patën të dielën me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, u mor vendimi që greva të vazhdoijë për kohë të pa caktuar.
Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.
Pas këtij vendimi, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke e quajtur të paarsyeshme kërkesën e SBASHK-ut për 100 euro shtesë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se janë mbajtur mbi 30 takime me sindikatat, por sipas tij mungon gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara.
“Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, tha Kryeziu.
Këshilli i Prindërve ka thënë se për shkak të situatës së krijuar shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.
Greva e SBASHK-ut ka nisur më 25 gusht. Kërkesat e tyre janë pagesa e 100 eurove për çdo muaj deri në miratimin e ligjit për pagat dhe pjesëmarrja e tyre në dialogun social.