MENU
klinika

Serie A, Java 7

Juventus në krizë, mposhtet edhe nga vendi i fundit

18.09.2022 - 16:59

Juventus konfirmon krizën, pasi u mund edhe nga vendi i fundit në Serie A. Është Monza që e mundi 1-0, duke lënë fundin e renditjes pikërisht me këtë tripikësh. Di Maria mori karton të kuq që në pjesën e parë.

Monza gjen fitoren e parë në histori në Serinë A dhe e bën këtë në shtëpi, në “Brianteo”, pikërisht ndaj skuadrës që numëron më shumë tituj kampionë në histori, Juventusit. Sfida u vendos nga një gol i danezit Gytkjaer në minutën e 74-t.

Pritej reagimi i Juventusit në fakt, që vinte në këtë takim me shumë mungesa, përfshi edhe ato të Allegrit, Cuadrados e Milik të pezulluar, megjithatë bardhezinjtë vuajtën jo pak dhe në fundin e pjesës së parë mbetën me 10 futbollistë, pasi Di Maria goditi kundërshtarin me bërryl dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Me një lojtar më pak dhe me shumë të rinj në fushë, Juventusi rezistoi deri në minutën e 74-t, kur Gytkjaer dërgoi topin në rrjetën e Perin dhe bëri që në stadium të nisë festa, me Monzën që mori kështu fitoren e parë në histori, në Serinë A.

Jep efekt kështu edhe ndryshimi i trajnerit, pasi Palladino e nis me fitore eksperiencën e tij te Monza, diçka që paraardhësi i tij, Giovanni Stroppa nuk e bëri në gjashtë javët e para të kampionatit.

Në ndeshjet e tjera të orës 15:00, Lazio triumfoi 0-4 ndaj Cremoneses, me Immobile protagonist, autor i dy golave dhe një asisti. Ndërsa Fiorentina fitoi 2-0 në shtëpi me Verona-n.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN