MENU
klinika

Më të çmendur se Putin

Kërcënimi që vjen nga ultra-nacionalistët rusë

17.09.2022 - 19:17

“Rusia pa Putinin!”, ishte klithma e moskovitëve që dolën për të protestuar kundër rikthimit të Vladimir Putinit në presidencë për një mandat të tretë dhjetorin e vitit 2011. Turma prej 100.000 vetësh e shprehu kundërshtimin e saj në Bulevardin Sakharov në Moskë, teksa policia vëzhgonte e qetë protestën.

Brenda turmës kishte zemërim, por edhe shpresë. Dhe jo vetëm sepse protesta masive u lejua zyrtarisht. Njëri pas tjetrit, politikanë të shquar të opozitës si Ilya Yashin, Boris Nemtsov dhe Alexei Navalny e denoncuan Putinin nga një podium i ofruar nga vetë autoritetet e qytetit.

Sot kujtimi i atyre protestave, duket se i përket një epoke tjetër në Rusi. Yashin dhe Navalny ndodhen sot në burg. Nemtsov u qëllua për vdekje. Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Putini, protestat në rrugë qoftë edhe nga një person i vetëm, e lëre më pastaj nga 100.000 të tillë, janë bërë të paligjshme.

Që nga 24 shkurti, rreth 16.000 njerëz janë arrestuar për protesta të tillë. Në mesin e tyre është një grua e arrestuar pranë Sheshit të Kuq, pse mbante në dorë një copë letre ku shkruheshin dy fjalë “Net Voine” (Jo luftës!). Por edhe një tjetër, pse tundte në ajër një letër të bardhë që ishte bosh.

Opozita liberale e Rusisë është shtypur plotësisht. Por në realitetin e ri të vendit gjatë kohës së luftës në Ukrainë, slogani kryesor i liberalëve ka nisur të ngrejë më shumë pyetje sesa të japë përgjigje. Si do të dukej në fakt “Rusia pa Putinin”? Nëse jo Putini, atëherë kush?

Realiteti i hidhur është se sot opozita më e rrezikshme potenciale e Putinit, nuk vjen nga liberalët properëndimorë, por nga e djathta nacionaliste. Para aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ideologë ultra-nacionalistë si Alexander Dugin (vajza e të cilit, Darya u vra muajin e kaluar gjatë shpërthimit të një bombe në makinën e saj në periferi të Moskës), miliarderi që është pronar i disa mediave, Konstantin Malofeev, dhe imperialisti paraushtarak dhe ish-oficeri i FSB-së Igor Strelkov, ishin në periferinë e politikës ruse.

Pas Krimesë, Putini jo vetëm që i futi brenda “çadrës” së madhe ideologjike të Kremlinit këta ultra-nacionalistë ortodoksë, por  ai nisi që ta modelonte mesazhin e vet propagandues mbi markën e tyre toksike të nostalgjisë perandorake. Por pati një problem me kalërimin e këtij “tigri” ultra-nacionalist.

Ndërsa ata që e drejtonin ideologjinë dhe perandorinë mediatike të Kremlinit, kishin një qëndrim thelbësisht cinik, post-modern dhe konsumator ndaj ideologjisë, njerëzit që u rekrutuan në të e besuan mesazhin. Për më tepër, shumë nga këta ultra-nacionalistë të krishterë nuk kishin frikë ta kafshonin dorën që i ushqente, dhe të denonconin zotërit e tyre për korrupsion jo-patriotik.

“Kohët e fundit, Putini dhe rrethi i tij kanë ndërmarrë hapa që besoj se do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e sistemit”- deklaroi për “The Guardian” Strelkov, që ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut që nga viti 2016.

“Nuk e dimë ende se si dhe kur. Por jemi të sigurt se ai do të shembet, dhe ka shumë të

ngjarë që kjo të ndodhë më shpejt sesa vonë”- shton ai. Strelkov, që mburrej haptazi për plaçkitjet e ushtarëve të tij, pati një rol me peshë në rrëzimin e autoritetit ukrainas në një sërë qytetesh në të gjithë rajonin e Donbasit në vitin 2014.

Po ashtu ai mburrej se kishte bërë të njëjtën gjë në Rusi. “Ne nuk po planifikojmë të nisim një revolucion për të rrëzuar Vladimir Putinin. Pasi kam marrë pjesë në 5 luftëra, unë e di shumë mirë se çfarë ndodh kur bie autoriteti dhe infrastruktura sociale në qytetet e mëdha. Askush nuk e dëshiron këtë, përfshirë edhe mua. Por fatkeqësisht, kjo mund të jetë e pashmangshme”- thekson ai.

Edhe Navalny, i konsideruar shpesh në mediat perëndimore si figura kryesore e opozitës ruse, e kuptoi se Kremlini kishte shumë më tepër frikë nga ultra-nacionalistët sesa nga njerëzit prej tij. “Kremlini ka shumë frikë nga nacionalistët, pasi ata përdorin të njëjtën retorikë perandorake si Putini, por mund ta bëjnë shumë më mirë se ai”- deklaroi Navalny pak kohë përpara helmimit në vitin 2020.

Gjatë përgatitjes së pushtimit të Ukrainës, Kremlini iu drejtua organizatave paraushtarake ultra-nacionaliste për të shtuar forcat e tij. Në krye ishte kompania ushtarake private Wagner. Themeluesi i saj, nënkoloneli i forcave speciale të GRU, Dmitry Utkin, e përdori këtë emër për shkak të nostalgjisë së tij ndaj Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit.

Disa foto të tij të publikuara vitin e kaluar, e treguan atë me një uniformë naziste të Waffen-SS. Sipas një raporti muajit maj të Shërbimit Federal të Inteligjencës në Gjermanisë, botuar nga Der Spiegel, në Ukrainë po luftojnë shumë ekstremistë të tjerë të krahut të djathtë dhe neo-nazistë rusë.

Midis tyre është kontigjenti i grupit Wagner Rusich, bashkëthemeluesi i të cilit Alexei Milchakov është famëkeq për videot e mediave sociale, ku ai shihet duke i prerë kokën një qenushi të vogël. “Nuk do të fshihem duke thënë se jam nacionalist, patriot, imperialist e kështu me radhë. Unë do ta them hapur:Jam nazist!”- deklaroi Milchakov në një video të dhjetorit 2020.

Një grupim tjetër është Lëvizja Perandorake Ruse, një grup i supremacistëve të bardhë, që u etiketua 2 vite më parë si një “organizatë terroriste globale” nga Shtetet e Bashkuara. Në korrik, grupi Ëagner u autorizua të rekrutonte të burgosur nga burgjet ruse, duke ofruar lirim para kohe në këmbim të shërbimit ushtarak.

Grupe të tilla mund të jenë të vogla në numër, por ato janë armatosur nga ushtria ruse, dhe janë të fuqizuar ideologjikisht nga nivele gati histerike të propagandës shtetërore. “Luftëtarë ortodoksë, bëni punën tuaj!”- ishte reagimi i krye-propagandistit të Kremlinit, Vladimir Solovyov, ndaj lajmeve mbi masakrat në Bucha në prill.

Që kur u publikuan lajmet javën e kaluar, se forcat ukrainase sulmuan rusët në provincën Kharkiv dhe rimorën 6000 kilometra katrorë territor, nivelet e histerisë vetëm sa janë rritur. “A ka mbetur ende infrastrukturë civile në Ukrainë?”- pyeti me sakrazëm drejtoresha e televizionit “Russia Today” Margarita Simonyan, kur raketat ruse goditën termocentralet

në shenjë hakmarrje për përparimin e ukrainasve në Kharkiv.

Me një urrejtje ndaj Ukrainës në nivele të tilla, reagimi ndaj çdo humbjeje përballë forcave ukrainase ka qenë i njëjtë:kërkohen me çdo kusht tradhtarët dhe ndëshkimi i tyre. “Unë e akuzoj drejtpërdrejt Ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu për neglizhencë kriminale. Nuk kam asnjë arsye për ta akuzuar për tradhti, por do të dyshoja për këtë”- shkroi Strelkov në maj në kanalin e tij në platformën Telegram.

“Për turpin e tyre, komandantët rusë janë treguar të pavendosur”- deklaroi për televizionin shtetëror Alexander Sladkov, një korrespondent i luftës. Për Kremlinin, kërkimi i fajtorëve dhe tradhtarëve, duhet të jetë një shenjë paralajmëruese shumë shqetësuese e të ardhmes.

Putini nuk është gati ta humbasë luftën. Ai nuk është gati të sakrifikohet për asgjë arsye. Imazhi i tij një Car i mirë i Rusisë, i ndërtuar në mbi 20 vjet propagandë të shfrenuar, nënkupton se ai do të jetë i fundit që do të fajësohet nga populli i tij. Por tani lind pyetja se si do të humbasë Putin luftën.

Në formën e një ngërçi të ngadaltë që përfundon me një armëpushim, që e lejon Putinin të mbetet në pushtet. Apo një kolapsi të shpejtë dhe poshtërues që mund të shkundë në themel regjimin e tij? Pjesërisht, rezultati është në duart e Perëndimit, me armët e të cilit po luftojnë sot ukrainasit. Por shumë njerëz në Perëndim nuk janë aq të sigurt se është një ide më e mirë Rusia pa Putinin./abcnews