Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 8 vite burg të 17- vjeçarit Florian Përvathi, i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatari.
Konkluzionet përfundimtare në lidhje me këtë çështje janë dhënë nga prokurori Sabri Kastrati, për akuzat “Vrasje për gjakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Organi i akuzës ka arritur të provojë se i riu e ka kryer krimin me paramendim për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë, në vitin 2009, kur ishte vetëm 4-vjeç, ndërsa armën pistoletë e kishte siguruar në Shkodër rreth 1 vit para ngjarjes.
Tashmë, do të jetë pala mbrojtëse që do të japë konkluzionet e më pas pritet që trupa gjykuese të shprehet me vendim në lidhje me këtë çështje. Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, mesditën e 24-janarit të këtij viti në fshatin Manati të Lezhës, sapo viktima kishte hyrë me makinë në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij. Menjëherë pas krimit, u vetëdorëzua në Polici, duke treguar dhe motivet e ngjarjes. Aktualisht, i riu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit për të Mitur në Kavajë.
SI NDODHI VRASJA E GJON PERVATHIT
Krimi ndodhi në rrugën kryesore që lidh Lezhën me Laçin, duke pasur si viktimë Gjon Pervathin. I biri 14 vjeç dhe një kushëri i tij u plagosën nga autori, ndërsa e shoqja e viktimës u vetëhelmua, pasi mësoi atë çka kishte ndodhur. Duke kujtuar se veç të shoqit kishte vdekur dhe i biri i vetëm, 40-vjeçarja Martine Përvathi i dha fund jetës me fostoksinë, duke lënë jetimë brenda ditës 4 fëmijët. Autori, Ndue Lekgjonaj e ka ruajtur Përvathin e ka qëlluar për vdekje.
Një konflikt i hershëm mes viktimës dhe fqinjëve të tij, në fshatin Grykë-Manati të Lezhës, u bë shkak për këtë ngjarje të rëndë. Për Policinë ishin të njohura konfliktet e pronësisë dhe kanosja me armë që Pervathi i kishte bërë fqinjëve, prandaj ai ishte burgosur e dënuar. Me makinë i ka ndjekur tre udhëtarët, Gjon Përvathin, të birin, Danielin, si dhe kushëririn Gjergj Përvathi. Në hyrje të Lezhës, e shumë pranë vendbanimit, që nga makina autori Lekgjonaj, rreth 50 vjeç, ka qëlluar me breshëri automatiku.
Dy plumba i morën jetën shënjestrës së tij, ndërsa një tjetër aksidentalisht dhe kushëririt të viktimës. Përballë kësaj skene, djali vetëm 14 vjeç është sulur drejt makinës së autorit për ta nxjerrë jashtë, por në tentativë për t’u larguar ai e përplasi fuqishëm. Tragjedia e familjes Përvathi nuk përfundoi këtu. Martine Përvathi ndërroi jetë pak orë pas vrasjes së të shoqit.
Nga të afërm e dëshmitarë që panë skenën e krimit, 40-vjeçarja ka mësuar se veç të shoqit, kishte vdekur dhe i biri. E rënduar nga ky lajm, gruaja ka kaluar në gjendje të rëndë depresive, duke pirë një sasi fostoksine, e cila ka qenë fatale për jetën. Edhe më herët, Gjon Përvathi ishte bërë protagonist i një sherri me armë me fqinjët e tij, Lekgjonajt. Ata shpeshherë ishin konfliktuar për kufirin e pronave që kishin dy familjet, derisa në 2008 Lekgjonaj kapi një nga delet e fqinjit që kishin hyrë në tokën e tij, duke u therur.