Nga selia e OKB-së, Kryeministri Edi Rama siguroi se Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës në mbështetje të raportit famëkeq të tregimtarit Dick Marty.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Përgjithshme të OKBsë, Rama sulmoi raportin e Dick Martyt për akuzat e ngritura ndaj UÇK-së për trafikim organesh. Sipas tij, asnjë aktakuzë e ngritur nuk është provuar dhe theksoi se Këshilli i Evropës duhet ta rishkruaj të vërtetën.
“Në vitin 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një raport, përpiluar nga një parlamentar i zellshëm, i cili mban emrin Dick Marty, e ku akuzohej ushtria e Kosovës për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Z. Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Europës. Raporti i tij ishte tronditës, asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovës. Po kështu, u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës.
Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtarisht, por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund në Kosovë apo kund tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve. E megjithatë, dhomat e specializuara për Kosovën, që u ngritën bazuar në këtë raport, ndërkohë që flasim, kanë arrestuar pa padi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim derisa u akuzua zyrtarisht”, deklaroi Edi Rama.
Kryeministri mbrojti ish-Presidentin Hashim Thaçi, teksa kritikoi se ai u mor nga zyra dhe u mbajt një vit në burg pa asnjë aktakuzë apo padi. “Përpiquni ta imagjinoni të gjithë për një moment, Presidenti apo Kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akt-akuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike e pa gjejeni?
As edhe një fjalë e vetme e gjithë akt-akuzës që vijoi nuk ka të bëjë me raportin e KE-së për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve”, u shpreh Rama. Kryeministri kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një tjetër raport dhe për të mos akuzuar pa prova ishluftëtarët e UÇK-së, të cilët janë prapa hekurave dhe po gjykohen në Hagë.
“Një fantazi e tërë. Ky është një dështim monumental në nivel ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë me një person, nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës, ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshme të një vendi dhe historisë së tij. Demokracia e institucionit të saj, mes shumë virtyteve, kanë edhe atë të korrigjimit të fajeve dhe gabimeve të tyre, ne shpresojmë që saktësisht, Asambleja e KE-së do të nderojë të vërtetën dhe do pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalim së nderuari ata që dhanë jetën për pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte”, deklaroi z. Rama.