MENU
klinika

Bien dyshimet për Alban Bruçin

Kthesa në hetimet për ekzekutimin e Ismet Çekores

04.09.2022 - 12:35

Ekzekutimi i Ismet Çekores mesditën e së premtes në mes të rrugës tronditi qytetin e Shkodrës. Pas krimit në polici u shoqëruan 15 persona, mes tyre i riu Alban Bruçi që i shpëtoi një atentati pak ditë më parë dhe babai i tij, por janë lënë të lirë.

Pas atentatit të dështuar ndaj 25-vjeçarit, ku policia shpalli si autor të dyshuar djalin e Ismet Çekores, Bajram Çekoren, dy familjet janë takuar dhe sqaruar mes tyre.

Mësohet se familja Bruçi është e bindur se 24-vjeçari Bajram Çekorja nuk është autori i atentatit të djalit të tyre, pasi dy kryefamiljarët kishin lidhje të hershme shoqërore mes tyre.

Gjithashtu edhe policia e Shkodrës ka hedhur poshtë dyshimet se vrasja e 58-vjeçarit Ismet Çekorja ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit mbrëmjen e 25 gushtit dhe kanë lënë të lirë të riun dhe babain e tij, pasi u morën në pyetje.

Blutë e Shkodrës po hetojnë për konflikte të tjera të mundshme të mëparshme të familjes Çekorja. Gjatë mbrëmjes së të premtes në Shkodër mbërritën forcat RENEA duke bërë kontrolle por ende nuk është arritur në identifikimin e autorëve të vrasjes.

Ç’deklaronte viktima 4 ditë para ekzekutimit

Në një deklaratë për mediat 4 ditë para vrasjes, viktima Ismet Çekorja mohoi akuzat ndaj të birit duke thënë se në orën kur ka ndodhur atentati Bajram Çekorja ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë gjë e cila hedh poshtë sipas tij akuzat e policisë.

Ismet Çekorja shprehej se prej tri vitesh policia e Shkodrës i ishte vënë në shpinë djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohej nga policia.

58 vjeçari mohoi se djali i tij ishte i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

“Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera. Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN