MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Kush do bjerë në gropën e pishinave të Prestige?

04.09.2022 - 17:57

Ajo që po ndodh sot me Prestige Resort është me siguri një kartolinë e shëmtuar e turizmit shqiptar dërguar botës, pas lajmeve të mira dërguar më herët. Media të rëndësishme kanë përcjellë pamjet e egra dhe ato me siguri nuk grishin askënd në botë, madje as turistët ekzotikë. Bashkë me pamjet e vrazhda ka zënë vend narrativa se ky resort i përkiste një mediaje kritike me qeverinë.  Narrativa e qeverisë nuk duket  botërisht askund. Që përkthehet se ai që e ka ideuar operacionin, ka treguar ngut shkatërrues për imazhin e vet dhe të vendit. Vartësit e tij me vrazhdësinë dhe kohën e zgjedhur (kur ka turistë brenda) po e fuqizojnë idenë se shteti, qeveria është arbitrare; se ata duan ta shkatërrojnë biznesin në fjalë dhe pronarin e tij; e me dashje pa dashje dhe median e tij. Askush nuk mund të përjashtojë kirurgjikisht nga dëmi dhe turizmin në përgjithësi, marrëdhëniet me operatorë europianë turistikë, etj, Kjo mund të ngjajë diçka që naivisht mund të bëjë të lumtur ca resorte të tjerë të interesuar që duan ta nxjerrin nga tregu një rival të tyre me duart e shtetit.

Kësisoj a nuk është i qartë ky bilanc për kryeministrin dhe njerëzit e tij:  nuk po fitojnë asgjë, por po humbin?

Po frikësojnë median? Për hir të së vërtetës, mediat e grupit Panorama kanë patur përgjithësisht qëndrim profesional ndaj zhvillimeve dhe personazheve, distancë korrekte ndaj lojtarëve politikë, me përjashtim të momenteve të inspektimeve shtetërore mbi asetet e kompanisë. Pra nuk ka proporcionalitet midis reagimit shtetëror dhe  politikës editoriale. Atëherë pse kjo ashpërsi? Për të dhënë leksion për mediat e tjera? Nëse do vlente ky arsyetim, shënjestra më e mirë në aradhën e mediave antiqeveri në rrudhje e sipër nuk është grupi Panorama.

Mirpo gjithë këto arsyetime janë ndërtuar mbi narrativën e palës së dëmtuar. Nëse do të marrim për të mirëqenë narrativën shtetërore se kompanitë e grupit rezultojnë debitore, shkelëse të lejës së ndërtimit,etj,  prapë llogaritë nuk dalin. Pse është zgjedhur kjo mënyrë goditjeje- së pari për të nxjerrë News24 nga mjediset dhe së dyti për të goditur pishinat e resortit? Në rastin e parë, shteti po publikon vetëm një nen të kontratës dhe jo gjithë kontratën: si i bëhet me investimet e grupit mediatik në ish mjediset industriale? A po nxirren gjithë bizneset e ngjashme, apo ndaj këtij grupi mediatik ka sjellje selektive… Si do ja paguajë shteti investimet operatorit privat që e kanë tejkaluar vlerën e patundshmërisë së marrë në fillim? Në rastin e dytë, nëse është respektuar leja në aspektin urbanistik, por nuk janë paguar detyrimet, a ishte kjo mënyra më e mirë për t’i treguar vendin Grupit Panorama?  Dhe a nuk do ishte rruga më e mirë që shteti të gjente një formë të merrte mbrapsh të ardhura për shkak të shkeljes së lejes (vonesave në pagesa), apo ribërje të kontratës me kushte të reja? Sjellja e shtetit në dy rastet mban era arbitraritet, vetëgjyqësi të dënueshme legalisht: pse shteti hakmerret me pishinat, apo me nxjerrje jashtë nga godinat dhe nuk zgjedh një formë tjetër për të marrë detyrimet që i takojnë? A po bëhet shembull kjo kompani që të nisin e të paguajnë dhe kompanitë e tjera me status të ngjashëm? Apo ka vetëm “një kalë që do shijë lëmin”, dhe askush tjetër… Edhe sikur të niste një operacion shtrëngues ndaj të gjithëve pa dallim, që fillonte me Panoramën, forma e zgjedhur për shtrëngim është më e keqja… Duhet pritur gjykata në të gjithë rastet për një konflikt të ngjashëm, ndonëse frika e modeleve alla Beket, është e pranishme…

Ka diçka për ata që (nuk) reagojnë. Partitë politike të opozitës dikur në qeveri kanë shembuj të ngjashëm dhe më dramatikë të sjelljes ndaj biznesit që mbështet mediat (apo mbështetet nga mediat). Ama politika tek ne zhvillohet sipas parimit këmbëshkurtër: çfarë më duhet mua (dhe juve) çfarë kam bërë unë! Ndërkaq ajo çka mbetet shqetësuese është mungesa e reagimit kolektiv të biznesit apo mediave: kush gëzohet sot me shkatërrimin e Prestige, po justifikon vuajtjen e vet të nesërme… Duke na treguar se kapitalizmi shqiptar është ende në fazën e vet foshnjore të çorganizimit, lojës individuale në xhungël, etj, etj. Dhe shteti në momente dobësie a mospërqëndrimi, mund të përsërisë  arbitraritete të ngjashme!