Në studion e Debat në A2 CNN u diskutua për çështjen e vendimit të Kryesisë së Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama për të larguar nga posti i drejtuesit politik të Vlorës së Arben Ahmetaj, i cili vjen pas largimit të tij si zv/kryeministër dhe ministër për rindërtim.
Sipas analistit Lutfi Dervishi, në politikë prevalojnë interesat dhe duket se këto të fundit nuk përputhen më mes kryeministrit Rama dhe Arben Ahmetaj.
Megjithatë, Dervishi shtoi se duhet parë se nëse pas këtij mënjanimi të ish/zv.kryeministrit fshihen çështje të tjera.
“Në politikë nuk ka miq të përjetshëm, por interesa. Duket se interesat nuk po përputhen. Kjo tregon se ka diçka në marrëdhëniet Rama-Ahmetaj dhe mungesa e informacionit le shteg për thashetheme për fjalë që flasin për arsye të tjera përtej metaforës së kryeministrit që është trajneri që disa i le në stol. Mënjanimi i ish zëvendëskryeministrit dhe personi që u mor me rindërtimin që ende nuk ka përfunduar e quan si mision të mbyllur. Në kapitull të marrëdhënieve çështja Ahmetaj është e mbyllur sa i përket posteve qeverisëse. Mbetet të shihet nëse kjo gjë lidhet me çështje të tjera si inceneratorët”, tha Dervishi.