Bota e tenisit është përshëndetur me një legjendë të vërtetë të këtij sporti, teksa Serena Williams vendosi të tërhiqej pas disfatës në US Open ndaj Ajla Tomljanovic.
Para publikut të saj amerikan, 40-vjeçarja vendosi të mbyllë një karrierë të lavdishme ku mund të veçohen katër medaljet olimpike, 23 tituj Grand Slam (më shumë se kushdo) dhe rekorde të shumta. Mes lotëve, Serena falenderoi mbështetësit e saj, prindërit dhe sigurisht motrën, Venus.
“Provova të kaloja në raundin tjetër të US Open, por Tomljanovic luajti pak më mirë. Falenderoj babain tim, e di që më sheh, falenderoj mamanë gjithashtu. I falenderoj të gjithë mbështetësit e mi që janë këtu dhe që kanë qëndruar përkrah meje në gjithë këto vite, madje dekada.
Gjithçka nisi prej prindërve të mi dhe ata meritojnë gjithçka. Ju jam shumë mirënjohëse dhe këto janë lot gëzimi. Unë nuk do të isha Serena, nëse nuk do të ishte Venus. Prandaj faleminderit Venus, ajo është arsyeja e vetme pse Serena William ekziston.
Ka qenë një rrugëtim shumë i bukur, më i pabesueshmi në jetën time. Ju jam shumë mirënjohës mbështetësve sepse falë tyre kam arritur deri këtu.
A do ta konsideroj ndonjëherë të rikthehem? Nuk mendoj, por asnjëherë mos thuaj kurrë! Nuk e di”, tha Serena Williams që mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve teksa la fushën e Arthur Ashe Stadium.