MENU
klinika

Çështja në Apel

Mbyllja e “Mehmet Akif”/ Gjykata rrëzon pretendimet e institucionit

27.09.2022 - 07:55

Urdhri i qeverisë për mbylljen e institucionit detyron shkollën që të kthejë mbrapsht paratë dhe ministria t’i rehabilitojë në një tjetër shkollë, por ata nuk pranojnë asnjë përveç “Mehmet Akif”.

Të vendosur për të mos i lënë ambientet e shkollës, nxënësit dolën sërish në protestë, edhe më të madhe se ajo e javës së shkuar, pa u ndikuar aspak nga reshjet e shiut. Në tubimin-marshim nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, ata i kërkuan qeverisë të anulojë vendimin. “Mbyll një shkollë, hap një derë burgu”, “Po godisni brezin e ardhshëm”, ishin disa nga pankartat e nxënësve, të cilët zbritën në shesh medaljet e marra, duke kërkuar t’u jepet zgjidhje për rrugën drejt dijes.

PROTESTA

Në një vend ku instancat shtetërore funksionojnë siç duhet, paraditen e së hënës, ata duhet të ishin në shkollë. Por zgjodhën t’i shkojnë deri në fund betejës për të nxënë në kushte normale. Nxënësit e “Mehmet Akif” u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në përpjekje për një takim me të, i cili nuk u realizua. Pa një përgjigje se çfarë do të bëhet me fatin e tyre, të indinjuar nga kjo situatë, sipas tyre e padrejtë, ata kërkuan dorëheqjen ministres Evis Kushi.

“Çfarë po ndodh me këtë qeveri? Me sa mend shkatërroni një shkollë me eksperiencë, me staf të kualifikuar dhe nxënës ekselentë. Çfarë do ndodhë me ne? A e mendoni dot? Jeni vetë një nënë e duhet të logjikoni ndryshe pas gjithë këtyre që po bëni. Pas gjithë këtyre është turp të kesh një nënë si ty. Nëse s’je në gjendje të drejtosh arsimin, të lutem hiq dorë nga ky post. Sot unë jam një maturante, ju të lini në mes të rrugës. A do keni fytyrë të na dilni para? Ku je sot zonja Evis Kushi? Dil para nesh, boll me përrallat që thoni në televizione. E dimë jetojmë në Shqipëri e gjithçka mund të ndodhë. Ju bëjmë thirrje jepni dorëheqje, e mbytët arsimin, dil poshtë dhe jepu përgjigje pyetjeve tona”, tha njëra nga nxënëset maturante të shkollës”.

Thirrjet para institucionit përgjegjës për mësimdhënien nuk hapën asnjë derë dhe nuk morën asnjë përgjigje. Ndaj, nxënësit marshuan drejt Kryeministrisë me të njëjtin qëllim, anulimin e vendimit për heqjen e licencës. “S’po na lini të marrim dije. Z. kryeministër, shikoni sa nxënës keni larguar nga bankat e dijes. Sot kuptova se çdo të thotë të të prishin ëndrrat, sepse ju sapo e bëtë atë”, u shpreh një nxënësve. Në kor, ata paralajmëruan protesta të tjera në rast se qeveria nuk do të ndryshojë qasje.

GJYKATA

“Mehmet akif” ka thënë se do ta adresojë betejën për mbylljen e shkollës në rrugë gjyqësore dhe nuk ka vonuar. Që në ditën e parë e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Por vetëm pak pasi u shua protesta e nxënësve, u zbardh vendimi. Gjykata Administrative vendosi të rrëzojë kërkesën e shkollës për pezullimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit, e cila e mbylli me argumentet se nuk plotësonte kushtet ligjore për zhvendosjen e godinës. Avokatët mbrojtës pretendojnë se vendimi i ministrisë është në shkelje pasi shkolla plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e arsimit. Megjithatë, Apeli vendosi të mos e pranojë kërkesën, teksa avokati mbrojtës në fjalën e mbajtur pas përfundimit të seancës paralajmëroi se do e çojë çështjen në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që do t’i kërkojë dëmshpërblim Ministrisë së Arsimit.

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të mbyllur veprimtarinë e institucionin arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”. Në VKM, theksohet se ky institucion ka për detyrë të pajisë çdo nxënës me dokumentet e nevojshme për transferimin e nxënësve në një tjetër shkollë, të paguajë detyrimet e transferimit dhe tu kthejë paratë që kanë paguar për vitin shkollor. Në VKM shtohet gjithashtu se godina duhet t’i kthehet shtetit shqiptar. Por ka një “problem”, godina tek ’21 Dhjetori’ në Tiranë, kur fillimit të këtij vitit ka ushtruar aktivitetin arsimor kolegji, në fakt është pronë e Bashkisë së Tiranës. Pasi janë zhvendosur, godina i ka kaluar sërish Bashkisë së Tiranës. Por, po ashtu, Kryeministri nuk tregon se cilat kritere nuk i ka plotësuar godina e re, pretendim për të cilin u mbyll kolegji. Asnjë koment nuk jepet as për mbylljen e kopshtit.

Protestuesit i shkojnë poshtë zyrës. Rama: Ministria zbatoi ligjin

Nxënësit e “Mehmet Akif Ersoy” protestuan dje kundër mbylljes së shkollës poshtë zyrës së Kryeministrit Edi Rama. Por, kreu i qeverisë përmes një postimi në “Twitter” shprehet se nxënësit e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që sipas tij shitën godinën e shkollës dhe e spostuan pa marrë leje sipas ligjit. Në këtë rast ai bëri të qartë se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin.

“Nxënësit e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”, shprehet Kryeministri Rama. Pas mbylljes së shkollës private “Mehmet Akif Ersoy”, ministrja e Arsimit Evis Kushi, reagoi në rrjetet sociale duke sqaruar opinionin publik për vendimin që mori qeveria. Kushi deklaroi se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Sipas saj, shkolla ka nisur procesin mësimor këtë vit në një vendndodhje të pa miratuar nga MAS-i. Ajo përmendi se zotëruesit e licencës nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore edhe pse nga ana e MAS-it është kryer dy herë verifikimi i tyre. Ministrja sqaroi edhe se MAS-i do të marrë masat e nevojshme për të transferuar 160 nxënësit në shkolla të tjera. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi. Mes shiut, nxënëset e shkollës “Mehmet Akif” i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama, teksa protestonin para Kryeministrisë, që të dilte nga zyra dhe t’u jepte atyre një përgjigje se pse u mbyll shkolla. Por, Rama u bëri të qartë në reagimin e tij se Ministria e Arsimit zbatoi ligjin.

Mbyllja e kolegjit turk, Berisha: Vendim me lidhje të dyshimta

Kreu i PD-së, Sali Berisha, denoncoi dje vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif”, ndërsa Edi Ramën e akuzoi Edi Ramën se me vendimmarrjet e tij po orienton vendin drejt lindjes.

Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen revoltës së nxënësve te kolegjit “Mehmet Akif”, që protestuan dje poshtë zyrës së Kryeministrit. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama për shkelje flagrante të lirisë së shkollimit në këtë vend. Gjatë deklaratës së tij, kryedemokrati denoncoi se vendimi për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif” është marrë nga jashtë Shqipërisë teksa fajëson Ramën për miqësinë e tij me Erdogan. “Para jush, dua të dënoj edhe njëherë, me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët, të Edi Ramës ndaj shkollave, ndaj arsimit privat në Shqipëri.

Ky vasal i shpifur i Erdogan, që e cilëson Shqipërinë ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash dhe xhamish, ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe me një histori 26-vjeçare në Shqipëri, kolegjit ‘Mehmet Akif’. Në traditën e tij të gënjeshtrave, Rama u tha shqiptarëve se shkaku i mbylljes ishte se miku i tij, me avionin e të cilit udhëton si taksi, ka blerë godinën. Gënjeshtar i lindur, i shpifur”, deklaroi lideri demokrat. Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se me vendimmarrjet e tij po orienton vendin drejt lindjes.

“Të na thotë pak, kopshtit me 255 nxënës, të gjithë të afërt me moshën e djalit të tij, çfarë kishe me kopshtin, që mbylle? A e di ky njeri se ata vogëlushë, ditën pas çerdhes familjare, e kalonin në këtë çerdhe, me njëri-tjetrin, ku mësonin, gëzonin, festonin me njëri-tjetrin. Prisnin të nesërmen për të shkuar me kënaqësi në kopsht. Ky gënjeshtar i lindur, që për të zbatuar urdhrat e verbra të Presidentit të Turqisë, shkel çdo Kod Etik dhe moral në vendin e tij”, deklaroi kreu i PD-së. Berisha iu bëri thirrje të gjithë gjimnazistëve që të ju bashkohen protestës së nxënësve të shkollës “Mehmet Akif”, të cilët po protestojnë kundër mbylljes së këtij institucioni arsimor. Ndërsa e konsideroi Edi Ramën një vasal të Erdogan, që e cilëson Shqipërinë, vendin ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash dhe xhamish, Berisha apeloi gjimnazistët e tjerë, por edhe qytetarët t’ bashkohen protestës së nxënësve të “Mehmet Akif”.

“Unë u bëj thirrje gjimnazistëve të Tiranës, të bashkohen me nxënësit e kolegjit ‘Mehmet Akif’. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mbështesin protestën e tyre, sepse kjo përbën një shkelje flagrante të lirisë së shkollimit. Ky është një vendim i marrë jashtë Shqipërie. Një vendim i turpshëm, një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta. Si mundet kryetari i qeverisë të një vendi, me urdhër të një Presidenti të një vendi tjetër, t’u vërë çelësin kopshtit dhe shkollave të vendit?

E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim, antidemokratik dhe antishqiptar, të një njeriu, unë e kam të lehtë të them i kapur nga Sinan Idrizi, por jo, ai është vetëm një pion në këtë skenar të turpshëm, që nuk ndodh në asnjë vend, ndodh vetëm në republikën e mafies së Edi Ramës. Edhe njëherë, solidariteti im i plotë me nxënësit dhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një njeriu, të një gënjeshtari, mund t’i vësh çdo epitet, që nuk njeh as ligj e as moral”, deklaroi Sali Berisha. Lideri demokrat u kërkon shqiptarëve të marrin shembullin e fqinjit tonë Italisë që zhvendosi qeverisjen e vendit djathtas: “Fitorja e zonjës Meloni dhe koalicionit që ajo udhëhoqi është fitore e vlerave konservatore më të arrira të shoqërive të lira, fitore e lirisë, familjes, atdhetarisë dhe atdheut. Por, Georgia Meloni është një euroatlantiste e vendosur”.