MENU
klinika

Mihail Gorbaçov

Më 1989 bota zgjodhi paqen, sot na duhet ai vizion!

01.09.2022 - 10:14

       Për disa dekada, kishte ndarë jo vetëm një qytet, por një shtet dhe të gjithë Evropën. Muri i Berlinit u shemb në nëntor të vitit 1989 dhe historia mori tjetër rrjedhë. Momente të tilla, provojnë përgjegjësinë dhe mençurinë e burrave të shtetit.

Ndryshimet e vonuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kishin marrë një impuls të fuqishëm nga procesi demokratik, që tashmë po zhvillohej në Bashkimin Sovjetik. Kërkesat e njerëzve po bëheshin gjithnjë e më urgjente dhe radikale.

Në vjeshtën e vitit 1989 situata në Gjermaninë Lindore – RDGJ – u bë shpërthyese. Grupe të mëdha njerëzish po largoheshin nga vendi; qytetarët largoheshin në masë përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë, vende që kishin hapur kufijtë perëndimorë. Në qytetet e mëdha, njerëzit dolën në rrugë, duke protestuar në mënyrë paqësore, por dhuna me pasoja përtej çdo kontrolli, nuk mund të përjashtohej.

Në tetor të vitit 1989, ndoqa festimet në Berlinin Lindor, me rastin e 40-vjetorit të krijimit të RDGJ-së. Ndërsa përshëndetja kolonat e pjesëmarrësve në paradë, ndjeva pothuajse fizikisht pakënaqësinë e njerëzve. Ne e dinim që ata ishin përzgjedhur me kujdes, gjë që e bënte sjelljen e tyre edhe më të habitshme. Ata brohorisnin: Perestroika! Gorbaçov, ndihmë!

Ngjarjet që pasuan konfirmuan se regjimi i RDGJ po humbte terren, me shpejtësi. Protestat dhe kërkesat politike – nga liria e emigrimit tek liria e fjalës dhe shpërbërja e organeve qeveritare, deri te ribashkimi i Gjermanisë – po fitonin.

Pra, rënia e Murit të Berlinit, për ne nuk ishte surprizë. Fakti që ndodhi në 9 nëntor 1989, ishte rezultat i rrethanave specifike dhe evolucionit të gjendjes shpirtërore të popullit.

Në ato kushte, hapi i parë i udhëheqjes sovjetike ishte të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, nga trupat sovjetike të vendosura në RDGJ. Në të njëjtën kohë, ne bëmë të pamundurën për të siguruar që procesi të lëvizte përgjatë linjave paqësore, pa cënuar interesat jetike të vendit tonë, apo dëmtuar paqen në Evropë.

Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pas rënies së Murit, zhvillimet në RDGJ u bënë gjithnjë e më të turbullta. Ribashkimi i Gjermanisë ishte tani në rend të ditës dhe kjo do të shkaktonte shqetësim midis qytetarëve sovjetikë, shumë prej të cilëve, u alarmuan.

Shqetësimi i tyre ishte i kuptueshëm, si historikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Ne duhej të llogaritnim kujtesën e njerëzve për luftën, tmerret dhe viktimat e saj. Sigurisht që gjermanët kishin ndryshuar; ata kishin nxjerrë mësimet e mbretërimit të Hitlerit dhe Luftës II. Por, ka gjëra që nuk mund të fshihen nga historia. Unë i thashë kancelarit Kohl, se është e rëndësishme që gjermanët të administrojnë ribashkimin, të respektojnë ndjenjat e popujve të tjerë, si dhe interesat e tyre.

Ne nuk ishim të vetmit, që kishim këto shqetësime.

Aleatët e Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në NATO – Franca, Britania e Madhe, Italia – nuk donin ribashkim të shpejtë. E kuptova këtë, që nga bisedimet e mia me drejtuesit e tyre. Në secilin prej vendeve që kishin vuajtur nga agresioni, kishte frikë – sikur të ishte e ngulitur në gjenet e tyre – se bashkimi i RFGJ-së dhe RDGJ-së, do ta fuqizojë Gjermaninë. Ata kishin arsye serioze, histrorike dhe politike, megjithëse të pashprehura, për t’iu trembur kësaj.

Unë mendoj se anëtarët evropianë të NATO-s, nuk do të ishin kundër për të përdorur Gorbaçovin, për t’i vënë fre ribashkimit. Por e kuptova se t’i rezistosh një procesi që ishte objektivisht i pashmangshëm dhe aq më tepër, të përdorësh forcë, në çfarëdo forme, mund të çojë në pasoja të paparashikueshme: një shpërthim në qendër të Evropës, një rifillim i Luftës së Ftohtë dhe kush e di çfarë tjetër! Ishte detyrë e të gjithëve ne që ta shmangnim këtë.

Sot, duke lexuar disa komente dhe kujtime të asaj kohe, mund të krijohet përshtypja se procesi i ribashkimit ishte një gjë e kollajtë, se gjithçka erdhi diku nga lart, apo që gjithçka ndodhi si rezultat i fatit a naivitetit të disa palëve. Por, nuk ishte kështu.

Negociatat dy plus katër, që përfshinë dy shtetet gjermane, Bashkimin Sovjetik, SHBA, Francën dhe Britaninë, nuk mund të ishin një udhëtim i lehtë. Kishte debate, polemika dhe përplasje mendimesh, dhe nganjëherë, dukej se keqkuptimi do t’i shkatërronte negociatat.

Por, ato përfunduan me sukses, sepse palët në këtë proces të ndërlikuar diplomatik, treguan largpamësi, si dhe guxim, me ndjenjë të lartë përgjegjësie.

Megjithatë, kur më pyesin se kë konsideroj si heroin kryesor të asaj kohe plot dramë dhe trazirë, unë përgjigjem gjithmonë: popullin. Nuk po e mohoj rolin e politikanëve. Ata ishin shumë të rëndësishëm. Por ishin njerëzit – dy popuj – ata që kishin më shumë rëndësi. Gjermanët, të cilët shpallën vullnetin për unitet kombëtar, me vendosmëri dhe më e rëndësishmja, në një mënyrë paqësore. Natyrisht edhe rusët, të cilët i kuptuan aspiratat e gjermanëve me besimin se Gjermania, me të vërtetë kishte ndryshuar dhe mbështetën kështu, vullnetin e popullit gjerman.

Rusët dhe gjermanët mund të jenë krenarë që pas gjakderdhjes tragjike të luftës, e kuptuan njëri-tjetrin. Po të mos ishin ata, qeveria sovjetike nuk do të kishte mundësi të vepronte ashtu si veproi.

Ne hartuam një vijë finale, nën Luftën e Ftohtë. Qëllimi ynë ishte një Evropë e re: një Evropë pa vija ndarëse. Udhëheqësit që erdhën pas nesh, nuk kanë arritur ta realizojnë atë objektiv. Në Evropë ende nuk ka një arkitekturë moderne sigurie, një mekanizëm të fortë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Prandaj ndodhin edhe problemet dhe konfliktet e dhimbshme, që rrethojnë kontinentin tonë sot. Unë u bëj thirrje udhëheqësve botërorë që të përballen me ato probleme dhe të rifillojnë dialogun, për hir të së ardhmes.

 

Mihail Gorbaçov, laureat i çmimit “Nobel”, ishte i vetmi President i Bashkimit Sovjetik /Time/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga rrethimi i Leningradit te aventurat e Luftës së Ftohtë

25 faktet interesante të Bashkimit Sovjektik