MENU
klinika

“Rilindja po i zhyt më thellë shqiptarët...”

Meta: Rama u paguan 80 mijë euro çdo ditë pronarëve të inceneratorëve

18.09.2022 - 14:18

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për një raport të Agjencisë Europiane të Statistikave, e cila thotë se 43% e popullsisë në Shqipëri, rrezikohet nga varfëria dhe përjashtimi social.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta thotë se rreth 67% e popullsisë në vend jeton me të ardhura deri në 5.5 dollarë në ditë.

Sipas ish-Presidenti, Laku i varfërisë shtrëngoheet çdo ditë e më shumë si pasojë e rritjes abuzive të çmimeve.

“Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri, sepse qëllimi i saj është vetëm vjedhja papushim e taksave të tyre për veten, klientët dhe oligarkët e saj. Ndërkohë që sipas Eurostat, 43% e popullsisë rrezikohet nga varfëria, Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë, “kryeveprën” e aferës së tij korruptive” shkruan ndër të tjera Meta.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Shqipëria, sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, kryeson në kontinent me 43% të popullsisë së saj të rrezikuar seriozisht nga varfëria dhe përjashtimi social. Situata është edhe më e rëndë nëse i referohemi faktit se aktualisht 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën dhe deri në 5.5 dollarë në ditë. Laku i varfërisë shtrëngohet çdo ditë dhe më shumë nga rritja abuzive dhe e pandalshme e çmimeve, si dhe nga mungesa e paketave sociale efektive të ndihmës për çdo kategori në nevojë.

Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri, sepse qëllimi i saj është vetëm vjedhja papushim e taksave të tyre për veten, klientët dhe oligarkët e saj. Ndërkohë që sipas Eurostat, 43% e popullsisë rrezikohet nga varfëria, Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë, “kryeveprën” e aferës së tij korruptive.

Shantazhet absurde të tij për fëmijët dhe prindërit, që të mos bëjnë shënime në librat e shkollës se do të kenë sanksione apo thirrjet për kursim të energjisë duke “shpikur” shembuj nga Zvicra se si qytetaret futen në burg për ngrohjen me kondicioner tregojnë degradimin e pashpresë të regjimit më të korruptuar në kontinent që shton shpenzimet e luksit dhe aferat korruptive në këto kohë krizash.

Shporrja e kësaj bande të korruptuar dhe të inkriminuar është e vetmja rrugë për t’u ndarë pergjithmonë me korrupsionin galopant, varfërinë në rritje dhe përjashtimin social të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.