Gjykata e Durrësit la në “arrest me burg” katër libianët që akuzohen se tentuan të fusnin kontrabandë 2275 ton naftë në Shqipëri.
Anija “Queen Majeba” me flamur kamerunas, por kapiten libian është bllokuar në portin e Durrësit, pasi transportonte sasinë prej 2272 tonë naftë kontrabandë nga Libia në Shqipëri.
Kapiteni, dy ndihmësit e tij dhe një punonjës i ngarkim-shkarkimit, të gjithë shtetas libianë u arrestuan dhe u akuzuan se bënin tregti dhe transport të mallrave kontrabandë.
Ishin shërbimet partnere që sinjalizuan autoritetet shqiptare, për anijen e cila po transportonte naftë kontrabandë.
Nga hetimet paraprake rezulton se kjo naftë transportohej nga grupe që janë jashtë kontrollit të qeverisë libiane dhe formalisht dokumentet shoqëruese të mallit dukeshin në rregull. Por në fakt, sipas autoriteteve ata janë të falsifikuara.
Nga verifikimi paraprak, për blerjen e naftës ishte ofruar një kompani shqiptare, por burimet thonë se nuk është rënë dakord mes palëve ndaj blerja nuk është finalizuar.