MENU
klinika

Çuçi e konfirmon

Muhamet Rrumbullaku emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë

07.09.2022 - 13:08

Tashmë është zyrtare! Muhamet Rrumbullaku është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vjen në këtë post pas shkarkimit të Gledis Nanos. Vendimi për emërimin e  Rrumbullakut u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, teksa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se ai i plotëson të gjitha kriteret për të qenë drejtues i Policisë.

“Kanë filluar të ndihen rezultatet e Reformës. Rrumbullaku mban gradën e drejtuesit të parë në Piramidën e Policisë së Shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.

Prezantimi i tij do të bëhet ditën e sotme në orën 16:00, së bashku me kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Ardi Veliu dhe drejtoreshës së re të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjet së Territorit (IKMT), Dallëndryshe Bici.

Kush është Muhamet Rrumbullaku
Muhamet Rrumbullaku u lind më 1 shkurt 1966 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie”  në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, ndërkohë që është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010. Gjithashtu ka edhe një Master Profesional në vitin 2011.

Z. Rrumbullaku ka patur një karrierë të gjatë në këtë profesion.  Nga data 24/03/2022 me propozim të Ministrit të Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, Kryeministri Edi Rama e ka emëruar si Drejtor i Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Më parë ai ka mbajtur pozicione drejtuese në policië e shtetit. Nga data 17/01/2019 deri më 23/03/2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Ka mbajtur postin e Këshilltarit në Kabinetin e Ministrit të Brendshëm, ka mbajtur postin e Shefit të Seksionit për trajnimin dhe shkollimin e nivelit të mesëm e të lartë Drejtues, në Qendrën e Formimit Policor e shumë pozicione të tjera.