MENU
klinika

Biblioteka e xhamisë së Korçës

Në Korçë, “Albania” këndohej në kafenetë…

14.09.2022 - 12:00

***

Iljaz bej Mirahori njihej si njeri me pasuri të përmasave të mëdha. Pronat e tij gjendeshin gjithandej: në Korçë, në Kolonjë, në Përmet, në Janinë ku kishte punuar si sanxhakbej e gjetkë. Në Kostandinopojë pronat e tij nuk kishin të numëruar: dyqanet, shtëpitë, ujësjellësat, hamamet ishin të shumta, veçanërisht në lagjen “Ivlanka”. Në trashëgimin e tij pasurore bënin pjesë edhe një sërë shkollash të ndërtuara për djem dhe vajza. Kjo ishte edhe një nga arsyet që nxiti grekët për të kërkuar flori edhe në eshtrat e të vdekurve, por jo e vetmja arsye, ata synonin zhdukjen e çdo shenje që tregonte se qyteti i Korçës u ndërtua nga myslimanët dhe banohej prej tyre.

Iljaz bej Mirahori pati tre djem: Mehmet beun, Sefer shah beun dhe Muhamet beun, i cili u vra në një nga betejat në afërsi Bagdatit. Vajzat e tij ishin: Fatimeja, Shoh-Hatun, Aishja, Hondi dhe Hatixheja. Dy vajzat e fundit i kishte me gruan e dytë. Kishte gjithashtu një shërbëtore turkeshë, një skllave të quajtur Hurshide Abdullah dhe disa skllevër, të cilëve më pas u dha lirinë as qëndrimit për një kohë të gjatë në Turqi, u kthye sërish në atdhe me ëndrrën për të ngritur një qytet të madh dhe të bukur, por që të braktiste Turqinë iu desh të linte peng te sulltan Bajaziti II djalin e madh, Muhametin, i cili do të vritej në Bagdat. Më 1486 nisi ndërtimin e xhamisë së Madhe dhe të qytetit. U ndërtuan dyqane, lokale, hane, hamame, etj. Gjithashtu u ndërtua edhe një shkollë (e para në Shqipëri) për vajza dhe djem. Nisi të konturohej edhe pazari, i cili do ta bënte Korçën qytet të famshëm. U ngritën menca për të varfërit. Mirahori dha urdhër: “Të gatuhet dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi, por edhe gjellë të tjera, dhe do të hajë kushdo që do të jetë i pranishëm në kohën e bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. Kushdo qoftë, ç’kado që të hanë, e kanë hallall e t’u bëjë mirë”.

Si themeluesi i qytetit të Korçës,  Iljaz bej Mirahori,  tregoi kujdes të veçantë jo vetëm për ngritjen e shkollës së parë, për djem dhe vajza në Shqipëri, por edhe për ngritjen e një biblioteke pranë Xhamisë së Madhe të Korçës. Shkolla e parë në Shqipëri për vajza dhe djem u ndërtua në Korçë, 500 vjet më parë. Në testamentin e Mirahorit, thuhet: “ngriti e ndërtoi pastaj… një shkollë të bukur e të hijshme. Pastaj caktoi këtë si vakëf, për gjithë ata djem dhe vajza myslimane që vazhdojnë të mësojnë këndimin e Kuranit e të studiojnë dituri të tjera”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Biblioteka e xhamisë së Korçës

Një bibliotekë të tillë, Mirahori kishte ndërtuar edhe pranë xhamisë së Stambollit, të cilat quheshin xhild-hane: Te vakëfnameja thuhet: “Edhe për shehun e dervishët e tij që banojnë në dhomat e quajtura xhildë-hane e që janë përballë xhamisë në fjalë, cakton 20 derhem për çdo ditë…”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi i pronave të Mirahorit në vakëfe).

Të njëjtën gjë bëri edhe në qytetin e Korçës. Sipas Mytevelinjve, pasardhës të Mirahorëve, xhild-hanet (bibliotekat) ishin, zakonisht, pjesë e xhamive, ku përveç librave të fesë, mbaheshin edhe librat më të mirë të kohës. Një bibliotekë të tillë e kishte edhe Xhamia e Madhe e Korçës, e cila u vinte në ndihmë edhe vajzave dhe djemve të shkollës. E njëjta gjë ndodhte edhe me xhamitë e tjera.

Sipas studiueses Armanda Hysa, del thuajse i njëjti përfundim: “Në fakt medresetë, xhamitë dhe varrezat e xhamive kanë qenë pjesë integrale e të gjithë pazareve në Ballkan, por të dhëna gojore mbi organizimin e tyre na kanë ardhur vetëm për pazarin e Elbasanit. Prej kësaj mund të mendojmë se përafërsisht kështu ka qenë gjendja edhe në pazare të tjera, të paktën në qytetet shqiptare…”. (Armanda Hysa: “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 151).

Ndërsa kur flet për pazarin e Shkodrës, nënvizon: “Në Pazar kishte një bibliotekë, një medrese dhe disa pika doganore”. (Armanda Hysa, “Pazaret e vjetra të qyteteve shqiptare në fund të shek XIX dhe fillim të shek XX”, f. 87).

Pra, xhamia, medreseja dhe biblioteka ndërtoheshin në të njëjtën kohë. Biblioteka e xhamisë së Korçës ndihmoi shumë për nxitjen e interesit ndaj librit.

Francezi August Dozon gjatë vizitës së tij në Korçë më 1874, ndër të tjera i shkruante qeverisë së tij: “Po bëhen përgatitje për të ngritur një tipografi ku do të bëhen botime të autorëve klasikë”, gjë që tregon se banorët e qytetit të Korçës kishin qenë prej shekujsh të miqësuar me librin.

Kjo është dhe arsyeja pse, fill pas botimit të gazetës “Albania” të Faik Konicës, mjaft banorë të qytetit të Korçës u bënë abonentë të kësaj gazete: “Ky vit është i bekuar ndër gjithë të tjerët për kombin shqiptar. Fara që mbuallëm dy vjet më parë zuri të sjellë pemët e saj. Më të katër anët shohim fletore, bibla të reja, shoqëri kombiare që po krehen (dalin). …Albania hyn tani pothuajse lirshëm në Shqipëri. Në Korçë, gjer në fund të gushtit Albania këndohej në kafenetë…” (Gazeta “Albania” 1898, nr 10, f. 153).

Ndërsa në një njoftim tjetër, thuhet: I shkëlqyeri atdhetar, i vërteti miku ynë, sëpata e armikut zoti N. N. Naço na shkruajti një letër, nga e cila marrim lirinë të qitim këto fjalë: “Nuk mund të të rrëfenj sa u gëzuash kur mora “Albaninë e madhe”, se armiqtë plasnë kur ua rrëfeva. Por edhe aq më shumë kur pashë se disa tradhëtarëve ua nxore në shesh magjitë…” (Gazeta Albania 1898, nr 11, f. 28).

Duket që Korça, nuk bënte dot pa librin dhe gazetën edhe pse pengohej nga shumë armiq. Në vitin 1908, Sami bej Pojani, botoi në Korçë, gazetën “Korça”, të parën gazetë shqiptare në Shqipëri dhe ngriti shtypshkronjën për shtypjen e gazetave, revistave, librave etj.

Në këtë kohë edhe klubi “Dituria Shqip”, e kryesuar nga Orhan Pojani, krijoi një bibliotekë të madhe, mjaft të pasur me libra dhe gazeta, ku vinin për të lexuar një numër i madh njerëzish. Librat e kësaj biblioteke u dogjën fill pas mbërritjes së grekëve në qytetin e Korçës, më 7 dhjetor 1912.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”