MENU
klinika

Mero Baze

Ne prisnim të sqaronte Berishën, Meta paska sqaruar SHBA

25.09.2022 - 21:10

Takimi i Ilir Meta/Metaj me ambasadoren e SHBA në Tiranë është ngjarje me rëndësi. Jo aq për rëndësinë e atyre që janë thënë në takim, por për rëndësinë e përçarjes së çetës antiamerikane, ku një prej dy komandantëve, po përpiqet të shantazhojë tjetrin, tani me SHBA.

Edhe pse nuk ka ndonjë kuriozitet real se për çfarë kanë diskutuar, pasi ambasadorja i ka bërë publike temat e bisedave, ka një paranojë kombëtare që Ilir Meta po shet Sali Berishën për SHBA.

Kjo ideja e shitjes është pak qesharake, kur mendon se nuk ka çfarë të shesë në një aleancë paranojash, por është e qartë se më shumë se sa po shet, po përpiqet të blejë kredite brenda opozitës që t’i kushtëzojë ata më tej në marrëveshjen mes tyre.

E gjithë çfarë po bën Ilir Meta është të sëmurë dhe demokratët siç është sëmurë vetë duke u bërë paranojak dhe konspiracionist, që të gjithë të mendojnë se ata, ose do t’i gjunjëzohen Metës ose ai është gati të bëjë pazar dhe me SHBA kundër tyre, d.m.th. t’ia kalojë dhe Lulzim Bashës.

Dhe këtë po e bën mirë. Shpjegimet e tij të sotme pas takimit me ambasadoren e SHBA, i plotësojnë gjithë standardet e një njeriu që ndërton politikën bazuar në paranoja dhe konspiracion dhe jo në politikë reale. Ai bëri çfarë kishte mundësi të bënte të dukej se nuk kishte ndërmend të zgjidhte mes Uashingtonit dhe PD. Pastaj për t’i qetësuar demokratët që të mos u dukej si Luli, i kishte sqaruar ambasadores se kush e shpalli Berishën “a non grata” I shpjegoi gjerë e gjatë sipas tij se atë e kishte bërë Basha me Ramën, siç kishin bërë mos futjen në zgjedhje, djegien e mandateve dhe plot gjëma të tjera, për të cilat ky dhe Doktori nuk kane pas dijeni.

Ambasadorja Kim ka një aftësi të rrallë që nuk e kupton dot, nëse qesh apo është serioze kur dëgjon Ilir Meta/Metaj, por me siguri është vënë në siklet duke mbajtur të qeshurën. Dhe këtë Meta/Metaj mund ta ketë marrë si miratim. Natyrisht ai vetë, e ka më lehtë të mbajë të qeshurën këto kohë se është nervoz.
Po ajo për të cilën ai dha sqarime në publik nuk ka të bëjë me atë që i ka shpjeguar ambasadores së SHBA, se çfarë mendon SHBA. Atë ajo e di më mirë se gjithë të tjerët në këtë vend.

Sqarimet e tij kanë të bënë pikërisht me përpjekjen për t’i futur paranojën demokratëve, se ai di të bëjë pazar dhe me kryearmikun e tyre. Dhe për këtë ata kërkojnë një sqarim pasi thuajse të gjithë janë nga pak të sëmurë si Ilir Meta/Metaj.

Por, ai në vend të sqarojë ata, “sqaron” ambasadoren se çfarë mendon SHBA. Është i vetmi humor fin që ka prodhuar gjithë jetën ky, edhe këtë në mënyrë të pandërgjegjshme, si shumë gjëra që u ndodhin njerëzve që kanë problem me të menduarit para se të flasin.