Mbretëresha Elizabeta II, ishte përfaqësuesja e fundit e një epoke tjetër, një institucion që nuk ekziston më, – thuhet në artikullin botuar të premten, në “Washington Post”.
Siç shkruan me shumë vend, kolumnisti Eugene Robinson, është e sigurt të parashikohet, se nuk do të ketë kurrë një monark tjetër si mbretëresha Elizabetë, as në Britani, apo askund në botë.
Ai vëren se, Elizabeta vdiq pikërisht ashtu siç kishte jetuar, gjatë gjithë jetës së saj të gjatë dhe plot ngjarje, stoike, e ndërgjegjshme, mbretërore. Ajo vdiq në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi në Mbretërinë e Bashkuar dhe një numër në rënie të ish-kolonive të saj, për 70 vjet të pabesueshëm, më gjatë se çdo mbret, apo mbretëreshë tjetër britanike.
Ajo lindi në një botë, ku mbretërimi ishte ende i rëndësishëm. Vdekja e saj, në kalanë “Balmoral” në Skoci, vjen në një kohë kur anëtarët e tjerë mbretërorë evropianë ose janë dëbuar nga pallatet e tyre, ose janë reduktuar në atë që, oborrtarët britanikë i përqeshin si “monarkë biçikletash”, duke pedaluar nëpër kryeqytetet skandinave, si qytetarë të zakonshëm dhe duke u përpjekur të mos jenë të tillë.
Me ndihmën e bashkëshortit të saj të ndjerë dhe këshilltarit kryesor, Princit Philip, Elizabeta modernizoi monarkinë britanike, duke mbajtur të gjithë madhështinë dhe rrethanat, por duke u përshtatur me ndryshimin e teknologjisë. Në vitin 1947, kur ishte ende vetëm trashëgimtare e fronit, ajo dha një adresë të famshme radiofonike, duke u premtuar subjekteve të saj të ardhshme, se, “e gjithë jeta saj, e gjatë apo e shkurtër, do t’i kushtohet shërbimit të tyre”.
Komentuesit kanë thënë shpesh, se gjatë shtatë dekadave në fron, Elizabeta “nuk ka gabuar kurrë”. Por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Ajo ka pasur pjesën e saj të gabimeve, duke përfshirë ato të mëdhatë, por ia ka dalë të tërhiqet dhe të nxjerrë mësime.
Tani, asgjë nuk do të jetë njësoj. Karakteri, qëndrueshmëria dhe aftësia e Elizabetës i bindën subjektet e saj të pezullonin çdo mosbesim të mundshëm në të drejtën hyjnore, të një familjeje kryesisht gjermane, për të mbretëruar mbi Mbretërinë e Bashkuar dhe Komonuelthin. “A do ta kenë një besim të tillë, te Çarlsi? Po për Uilliamin?”, – përfundon duke pyetur, kolumnisti i gazetës amerikane.