Letra e ngushëllimit të Presidentit të Republikës drejtuar Mbretit Çarls i III-të, padyshim do të mbahet mend për gafat e pafalshme që shfaqin jo veç paaftësi dhe padituri, por edhe për një mendësi të vjetër të mbrujtur nga “regjimi i kaluar”.
Në vetëm pesë paragrafë të mbeten në mendje gjërat që jo vetëm nuk duheshin shkruar në një letër të tillë por do ishte qesharake të mendoheshin edhe në një tryezë miqsh.
Në paragrafin e dytë e cilëson “shtetar të përkushtuar”…
Në paragrafin e tretë tek sfidat e vështira shton Irlandën e Veriut dhe Brexit-in, një vendim i marrë me referendum nga vetë britanikët.
Në paragrafin e katërt në një fjali janë dy gafa: “Në kohët moderne kur sistemi monarkik dukej i tejkaluar…”
Me këtë fjali patjetër që do të tronditet Mbretëria e Holandës, Mbretëria e Norvegjisë, Mbretëria e Danimarkës, Mbretëria e Belgjikës, Mbretëria e Spanjës, Mbretëria e Suedisë, Perandori i Japonisë, Princi i Monakos, Duka i Madh i Luksemburgut, etj. Çudi si nuk është shtuar fjala “regjim antipopullor” apo “regjim mesjetar”.
Po në vijim të kësaj fjalie të çuditshme, i drejtohet me fjalën Shkëlqesi, Madhërisë së Saj, pra me një të rënë të lapsit i ul dy grada. Shkëlqesi, Lartësia Juaj, Madhëria Juaj. Dhe në fund mungon adresa ku duhej vënë “Buckingam Palace”.
Gjithsesi, duhet parë edhe ana pozitive. Imagjino që këtë tekst Presidenti ta kishte lexuar dhe t’ia përcillte opinionit si video – mesazh. Do të ishte rasti klasik i një njeriu që lexon një tekst, që jo vetëm nuk e ka shkruar vetë përmbajtjen, por as që e kupton se çfarë po lexon.
Është luks t’i kërkosh njerëzve në Presidencë të lexojnë libër për Monarkinë, por ndoshta edhe mund të mësojnë ndonjë gjë për Monarkinë dhe veçanërisht për Mbretëreshën e Ndjerë duke parë në Netflix serialin “The Crown”. Duket se nuk e kanë parë ende pasi po ta kishin ndjekur nuk do të kishin shkruar në letër për “shtetar të përkushtuar”, për “sistem monarkik të tejkaluar” për “Shkëlqesinë e Saj” dhe t’i numëronin si sfidë “konfliktin e tejzgjatur në Irlandën e Veriut” apo “Brexit”.
Gjithkush tashmë e pranon se Presidenti që zgjodhi mazhoranca solide e këtij vendi si kandidatin më të mirë që kishte – duhet të bëj mirë së paku rolin ceremonial dhe të mos i lërë hapësirë dhe shkak zërave në shumicë që “ky dhe jo ai tjetri meriton mocion shkarkimi”.
Nga ana tjetër, le të shpresojmë që mbreti Çarls i III-të, gjatë leximit të kësaj letre të mendojë se atë e ka shkruar ndonjë komik që qëndron në pallatin mbretëror për të argëtuar oborrtarët dhe jo përfaqësuesi i lartë i shqiptarëve të cilët tanimë janë të qartë se kë kanë për kryetar shteti.