Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoji ditën e djeshme se për herë të parë që nga paslufta Policia e Kosovës ka nisur patrullimet në Liqenin e Ujmanit, në kufirin ujor me Serbinë.
Falë pamjeve të shpërndara në rrjetin social Facebook, shihen oficerë kosovarë që patrullojnë me mjete lundruese liqenin.
“Pamje gjatë patrullimit të Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e integritetit territorial”, ka shkruar Sveçla mbi videon e publikuar.
“Policia e Kosovës filloi sot me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”, shton ministri i Brendshëm kosovar.
Lidhur me pamjet ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili i ka fryrë sërish zjarrit të konfliktit me deklaratën e tij, teksa tha se autoritetet në Serbi kanë informacione se “shqiptarët heshturazi dhe fshehurazi po bëjnë përpjekje të marrin Veriun e Kosovës”.