Ceremonia e emërimit të drejtorit të ri të policisë, është një rast për të dhënë mesazhe motivuese për ekipin e ri të policisë. Edhe pse drejtori i ri është polici më i vjetër mes tyre, gjithmonë ka vend për shpresë. Aq më tepër që për herë të parë dhe Sali Berisha duket i qetë nga emërimi dhe nuk ka bërë akuza, siç e ka zakon.
Por që të jepet një mesazh shprese, duhet të jemi të qartë për problemet që ka policia.
Ish- drejtori Gledis Nano, nuk pati rezultate. Do të mjaftonte shembulli i Ervis Martinajt, përfshirja e policisë në një rrjet të gjerë shërbimesh ndaj tij dhe mungesa e një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur me të, që ai të largohej.
Por legjenda urbane rreth largimit të tij, padyshim që ka prekur dhe raportet e tij të mira me diplomatët perëndimorë në Shqipëri, sidomos për shkak të detyrës së tij në sektorin e antiterrorit më parë.
Por Gledis Nano nuk ka dështuar se e kishte mirë me perëndimorët, aq më tepër me diplomatët perëndimorë në Tiranë. Atë e kishte favor. Ai ka dështuar si polic, jo si diplomat.
Nga ana tjetër, ajo që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u përpoq ta jepte si mesazh për drejtorin e ri të Policisë, që duhet t’i shërbente vetëm flamurit kuq e zi, nuk është ndonjë motiv për ta bërë policinë e suksesshme, pasi nuk na e kanë fajin flamujt e tjerë, por flamujt e krimit në Shqipëri.
Edhe Ilir Meta, edhe Sali Berisha “të vrasin” për flamurin kuq e zi, por s’kanë lënë të zezë pa i bërë atij flamuri dhe këtij vendi.
Është e rrezikshme të motivosh policinë me “detyra sovraniste”, ndërkohë që ende nuk ka bërë detyrat e saj profesionale.
Gledis Nano nuk ka dështuar se nuk besonte tek flamuri, por se nuk ja doli dot si polic. Nëse këta pasuesit e tij, do ta gjejnë çelësin e suksesit tek flamuri (larg qoftë jo Flamur Noka), është e sigurtë që prapë do dështojnë. Dhe pas kësaj ç’faj ka flamuri kombëtar.