Kur filozofi vë kujën për abetaren e përbashkët të shqiptarëve, me pretendimin se varfëron gjuhën, shqipja shigjetohet edhe tërthorazi nga specialistët. Në një intervistë më herët, për Radio Kosovën, publicisti Ardian Vehbiu sugjeron huazimin nga italishjta (si dikur, me turqishten!), të termave bashkohore teknologjike, kryesisht. Ai shpjegon edhe pse-në, duke e konkretizuar idenë e tij me fjalën “share”, që haset vazhdueshëm në “fjalorin” e internetit.
“Share” – bashkëndaj, fjalë që ai nuk e sheh si shumë komode, për përdorim të zakonshëm… Pavarësisht argumenteve të tij, lidhur me “varfërinë” e shqipes, kjo fjalë e anglishtes fare mirë vjen edhe si: shpërndaj ose përhap: pra, ja ku u bë praktike! Dhe kjo, thjesht për ta “besuar”, se gjuha shqipe nuk vuan nga mungesa e prurjeve, që përkthehet: dialektet-nëndialektet, por ndoshta nga përdoruesit vetë.
Tema do një trajtim të veçantë nga gjuhëtarët, ndërsa lexuesi mund të gjykojë vetë:
“Le të bëjmë kompromis: shqipja është akoma gjuhë që ka shumë nevojë për fjalë nga të gjitha anët, edhe të huaja në qoftë se i duhen. Por, duhet të marrë nga dialektet, duhet të marrë nga terminologjia shkencore, duhet të marrë fjalë të huaja. Problemi është se çfarë fjalësh të huaja do të marrë, sepse për t’i marrë do të marrë se s’bën. Është pa kuptim, është donkishoteske të ngrihesh dhe të luftosh për çdo gjë. Problemi, them unë gjithmonë, çfarë fjalësh të huaja do të marrim dhe nga?
Problemi im në shqip, sot, është që anglicizmat nuk integrohen dot, e kam prekur dhe në libër këtë gjë, nuk integrohen dot dhe po prishin strukturën e shqipes, sepse ti merr një folje p.sh. “SHARE” në anglisht, nuk di si ta thuash shqip dhe në fakt, ka fjalë shqipe ‘bashkëndaj’ – është fjalë që ka hyrë në terminologjinë e Microsoft-it dhe të telefonisë celulare, megjithatë ka hyrë dhe shumë njerëz, po themi 99 për qind e përdoruesve në fb, thonë ”share”.
Problemi është që këtë nuk e përdor dot si folje në shqip, si do ta thuash si folje? Atëherë, çfarë ndodh? Të gjithë thonë – “bëje share” d.m.th. krijohet një togfjalësh i cili e denatyron shqipen. ”Bëje share”, por çfarë do me thënë “bëje share”? D.m.th. ti praktikisht po kthehesh në një strukturë që unë e kam ndjekur dhe e kam gjetur në përdorimin e orientalizmave në shqip, është një strukturë me të cilën, shqipja përdorte si folje emrat e turqishtes, p.sh. thoshte ‘bëj hyzmet, bëj derman”, sot këto që i kemi “bëje share, bëje save” është e njëjta gjë.
Pse ndodh kjo? Sepse nuk i ka mjetet shqipja, për t’i integruar morfologjikisht. Nuk e gjykojmë dot, mbase për brezat e rinj është e pranueshme.
Unë vetë, them bëje share, bëje save, bëje copy apo paste, sepse ka hyrë, sepse nuk i themi dot si folje. Problemi më i madh është ky: që prishet struktura, sepse ti kalon nga folja, që në shqip është shumë e pasur morfologjikisht me kohë të ndryshme, me mënyra, me diateza, pra kalon nga folja tek një togfjalësh ku folja vetë është e ngrirë dhe ndryshon strukturën e vetë fjalës shqipe.
Pse? Sepse nuk integrohet dot. Atëherë, le të bëjmë një kompromis dhe të vendosim që këto fjalë, që janë dhe teknike dhe që shqipja ka pasur marrëdhënie dhe që i ka më të lehta që t’i integrojë fjalët, p.sh. unë do thosha nga italishtja sepse ekzistojnë modele të gatshme për t’i integruar foljet e italishtes në shqip.
Do të thuash, pse italishtja?
Dakord, mund ta diskutojmë, por po them në vend që të ngremë mure le të shikojmë sesi t’i bëjmë këto huazime të pranueshme dhe të tilla, që të mos cenojmë strukturën morfologjike të gjuhës.” – janë fjalët e Vehbiut.
Për një gjuhë pesë mijëvjeçare si e jona, – ndër më të vjetrat, – problemi qëndron tek “injorimi” i vetes përballë ritmit të harbuar të rrjeteve sociale, ku hapësira për virtuozitet është thuajse inekzistente. Po ashtu, një dëshirë e çmendur për të imituar… për të mos u thelluar, për të mos kërkuar e as kritikuar./Konica.al