MENU
klinika

Mbyllja e kopshtit të ‘Turgut Ozal’

Qytetarët para Kryeministrisë: Do nisim padi civile në Strasburg

29.09.2022 - 11:07

Një nga prindërit që ka dalë këtë të enjte në protestë para Kryeministrisë për mbylljen e kopshtit të ‘Turgut Ozal’ ka deklaruar se lista e kopshteve të tjera që u ka vendosur në dispozicion shteti për të çuar fëmijët nuk u përshtatet shumë prej këtyre familjeve për shkak të distancës. Prindërit në këtë protestë i janë drejtuar ministres së Arsimit, Evis Kushi për të rishikuar vendimin dhe për të lejuar kopshtin të vijojë të funksionojë.

“Në protestë kemi dalë sot për fëmijët e mi dhe të të gjithë Shqipërisë. Ne që jemi më larg nga Tirana nuk kemi mundësi ti çojmë fëmijët në kopshtet shtetërore që Rama na ka dërguar një listë. nuk mund ta çoj në një kopsht me kushte skandaloze ku në një krevat flenë tre fëmijë. Kam tre ditë që e mbaj fëmijën në shtëpi. Nuk kemi ndërmend të ndalemi me kaq. Shkolla po përpiqet të vijojë edhe me Strasburgun, ndërsa ne prindërit po mendojmë të nisim një padi civile si palë e tretë.

Jemi paralizuar edhe ne dhe fëmijët kemi ngelur në udhëkryq. Sipas shtetit duhet ti çojmë fëmijët në zona ku kemi lagjen. Unë jetoj në Kamëz ndërsa lista me kopshtet janë të gjitha në Tiranë. Në kopshtet e Tiranës e kemi të pamundur ti çojmë. Qeveria nuk do një arsim të mirë. Kanë hall se mos u rrezikohet pushteti dhe duan që këtu t’ja mbathin të gjithë e të mbesin vetëm pleqëria e të mos kenë mundësi të protestojnë?

Vetë jam mësuese dhe psikologe dhe kam zgjedhur vendin tim për të edukuar brezat e ardhshme të Shqipërisë.

Sa i përket psikologjisë së fëmijëve pas shkëputjes nga kopshti, fëmijët janë të gjithë duke qarë, Thonë nuk duam të ikim në kopsht tjetër duam kopshtin tonë. Është situatë problematike sepse fëmijët ose e zgjidhin duke qarë, ose duke u mbyllur ne vetvete. Kjo ka ndodhur me vajzën time. Dje më tha mami nuk dua të rri më në shtëpi. 98 përqind e prindërve po presin me fëmijët në shtëpi, një ka lënë punën një ka marrë dadon. Shpresojmë në një reflektim nga Kryeministri dhe Evis Kushi. Të gjithë mund të gabojmë e rëndësishme është që të pranojmë gabimin”, tha qytetarja ne proteste per News 24.

“Shqipëria që duam nuk është ajo që mbyllen shkolla dhe kopshte. Fëmijëve nuk duhet t’u prishen ëndrrat, rishikoni vendimin”, tha një tjetër protestues.

“Qëllimi i protestës qe ministrja të rishikojë vendimin e mbylljes së kopshtit, vendimi është komplet i pabazë në dëm të prindërve dhe fëmijëve. Do vijojmë ta mbështesim kauzën tonë deri sa të arrijmë qëllimin tonë. Kopshti është i mbyllur nga minsitria për momentin, mesazhin e kemi për ministren”, tha nje tjeter protestues.

“Do vijojme protesten deri sa kopshti te hapet se vendimi eshte absurd”, tha nje tjeter protestues.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN