Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme në disa qytete në vend gjatë orëve të natës. Në bashkinë Shkodër ka pasur rënie gurësh në aksin rrugor Prekal-Breglumi.
Ndërkohë që në rrugën e Dukagjinit janë regjistruar rrëshqitje dherash dhe gurësh. Në raportin e emergjencave civile për 24 orët e fundit theksohet se tashmë pritet të ndërhyhet me fadromë për largimin e tyre.
Në Theth një natë më parë ka pasur prurje të shumta në lumin e Shalës por pa pasoja të rënda.
Në Vaun e Dejës ka bllokim të disa rrugëve për shkak të prurjeve të lumit Gjadër. Dëme ka pasur edhe në Fushë Arrës, ku si pasojë e reshjeve të shumta është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë të njësisë administrative Blerim.
Po ashtu janë dëmtuar edhe rrugët rurale në njësinë e Iballës dhe Fierzës. Në Malësi të Madhe ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në tre njësi administrative.
Aksi Qelës-Ukth Maja e Mirgës në Pukë është dëmtuar totalishr si pasojë e rrëshqitjes në dy akse të ndryshme.