Çdo kilovat i harxhuar mbi pragun 800 Kwh, që qeveria do të vendosë duke filluar nga data 1 tetor, do të faturohet me shtrenjtë.
Ministrja e Energjisë dhe e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha dje se do të synohet të mos preket çmimi i tregut, duke nënkuptuar që për konsumin mbi këtë fashë të aplikohet një çmim më i lartë, por i sërish i kontrolluar dhe jo sa vlerat që janë në treg. “Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut. Për informacionin tuaj, mbrëmë në orën 20:00, çmimi në bursën hungareze që i referohemi arriti në 1040 euro për MWh.
Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovatorë dhe nëse do t’i ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur. Megjithatë, fasha 800 kwh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë, por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku në konferencën për mediat pas mbledhjes së qeverisë. Nga vendimi preken jo pak, por rreth 50 mijë familje.
SKEMA
Por si do të funksionojë skema, e cila do të nisë të aplikohet duke filluar nga data 1 tetor? Nën këtë prag, pra, nën 800 Kwh, abonentët familjarë do të vijojnë të paguajnë për dritat me çmim të reduktuar (9.5 lekë për Kwh) duke përfituar në të njëjtën kohë edhe kompensimin në vlerën e 648 lekëve në muaj.
Ndërsa ata të cilët harxhojnë mbi këtë fashë, pra, mbi 800 Kwh në muaj, çmimi do të jetë më i lartë. Por kjo vlen për diferencën, çka do të thotë se çdo kilovat mbi pragun e vendosur do të paguhet me çmim tregu dhe jo e gjithë sasia e energjisë së harxhuar. Konkretisht, një familje që ka harxhuar 920 kilovatë në muaj, për 800 kilovatorë do të faturohet me çmim të reduktuar sa edhe është aktualisht, ndërsa për diferencën, që në këtë rast është 120 kilovatorë do të faturohet çmim tjetër, i cili do të bëhet publik përgjatë ditëve në vijim.
KOMPENSIMI
Prej gati 7 vitesh, pas reformimit të skemës, pensionistët dhe familjet në nevojë marrin 648 lekë çdo muaj kompensim për dritat. Qeveria vendosi asokohe të heqë fashën për konsum deri në 300 kilovat në muaj, duke ofruar në anën tjetër mbështetje financiare për këto kategori, të cilat u prekën drejtpërsëdrejti nga rritja e çmimit. Janë rreth 45 milionë dollarë që dalin çdo vit për të përballuar efektet e kësaj skeme, nga të cilat rreth 15 milionë dollarë shkojnë për pensionistët.
Por sipas ekspertëve, rivendosja e fashës së konsumit të energjisë do të rrisë barrën financiare për familjet shqiptare, por kjo nuk do të thotë me patjetër edhe mbushje të arkës së shtetit. Nisma sipas tyre jo vetëm që nuk do të sjellë asnjë benefit në rritjen e të ardhurave publike, por me gjasë pritet të rrisë përpjekjet për abuzim dhe manipulim të matësve të energjisë. Nga ana tjetër, problematike akoma njëherazi sfidë mbeten humbjet në rrjet (qofshin teknike ose jo teknike). Këto i shtojnë një barrë të rëndë buxhetit, përfshirë edhe menaxhimin e kompanisë së furnizimit me energji.
Kategoritë që përfitojnë nga skema e kompensimit të dritave
Janë rreth 45 milionë dollarë që shkojnë çdo vit për skemën e rimbursimit të dritave pas heqjes së fashës për konsum deri në 300 KwH. Përveç pensionistëve, në skemë janë edhe 6 kategori të tjera sociale, përfshirë këtu familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si edhe ato me të ardhura më pak se 35 mijë lekë në muaj. Për të marrë rimbursimin në vlerën e 648 lekëve, duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë (bashkëshorti/ja) ose të jenë të papunë punëkërkues.
Pra, duhet që të mos ketë asnjë person në punë. Në rastin kur janë dy pensionistë, pra, burrë e grua, kompensimin e përfiton vetëm njëri prej tyre. Kjo, pasi dokumenti tjetër që duhet është libreza e dritave në emër të aplikuesit për të marrë kompensimin. Por edhe nëse përfituesi plotëson kriteret, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit. Por, vlera e kompensimit është gati dyfish më e lartë për ata që iu është caktuar pensioni para 2015- s, pasi ndër vite janë miratuar disa vendime për kompensimin e energjisë elektrike, duke e çuar në rreth 1600 lekë vlerën e rimbursimit.