MENU
klinika

Boçi: Vjeshta do jetë e protestave dhe aksioneve politike

Shkarkimi i Gledis Nanos/ “Rama do një njeri nën kontroll për zgjedhjet lokale!”

01.09.2022 - 12:27

Kryetari i Grupit Parlamentar pranë ish-Kryeministrit Berisha, Luçiano Boçi, shprehet se Kryeministri Rama ka synuar disa objektiva me lëvizjen e një dite më parë, duke shkarkuar Gledis Nanon.

Sipas kreut të grupit të PDsë, ish-drejtori i Policisë Gledis Nano ruajti një profil profesionisti gjatë kohës që mbajti detyrën dhe kjo nuk i intereson Kryeministrit Rama aq më tepër tashmë që po afrojnë zgjedhjet lokale të 2023. Ai solli në vëmendje rastin e zgjedhjeve të Dibrës ku një drejtor lokal policie i komunikonte ish-ministrit të Brendshëm se ishte ushtari i tij dhe bënte çfarëdo.

Ndërsa, objektivi tjetër sipas Boçit ishte që të sfumonte presionin publik të akumuluar për shkak të ngjarjeve kriminale të verës. Sakaq në një intervistë për gazetën “Panorama” Boçi foli edhe për nisjen e sesionit të ri parlamentar, për përballjen me mazhorancën, por edhe për ngërçin që ka prej një viti në të cilin është PD-ja e që bëhet fjalë se kush do të jetë kryetari i Grupit të PD-së.

INTERVISTA

Ministri i Brendshëm ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Gledis Nano, i cili tha se kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Krahas mbështetjes ndërkombëtare të artikuluar nga ai vet, ka pasur edhe një rezistencë të drejtorit të Policisë. Ai ka deklaruar se nuk largohet nga detyra, ndërkohë që sot në mbledhjen e qeverisë u shkarkua. Është rasti i mosbindjes ndaj të parit. Siç duket, brenda uniformës z. Nano, pa dashur ta lavdërojë ka ruajtur formatin e profesionistit pa tentuar të bëhet ushtar i politikës.

Kjo është një arsye, por unë besoj që arsyeja kryesore është afrimi i zgjedhjeve lokale dhe dëshira e Ramës për të pasur në krye të Policisë një ushtarin e tij të bindur, si në rastin e zgjedhjeve të Dibrës, apo të zgjedhjeve lokale të zgjedhjeve politike me qëllim të komandojë zinxhirin policor dhe i gjithë ky zinxhir të vihet në shërbim të grabitjes së votës në favor të PS-së. Ky është konkluzioni politik i së ardhmes. Ndërkohë, për momentin me këtë lëvizje Rama shpëton nga situata e trysnisë. Opinioni publik e sheh Policinë të paaftë dhe qeveria ka dështuar në raport me sigurinë. Qytetari s’ka siguri në jetën e tij, edhe në shtëpi.

Këtë e dëshmojnë edhe ngjarjet e fundit. Breshëria e plumbave janë kënga më e preferuar e qendrave të qyteteve dhe e kryeqytetit. Në këtë dështim kërkon të gjejë një fajtor, qoftë me emër apo edhe i niveleve të tilla. Me këtë rast, përputh disa qëllime. Qëllimin e zgjedhjeve dhe qëllimin e shfryrjes së inatit dhe zemërimit të qytetarëve për mungesën e sigurisë.

Të gjitha këto kanë bërë të ketë një vendim të fortë në raport me kundërshtinë që kishte shfaqur drejtori, që tregon që ka pasur një mospranim nga ai faktor ndërkombëtar që ka qenë mbështetës fillestar në emërimin e z. Nano në detyrën e drejtorit të Policisë. Për pjesën e kryerjes së detyrës, sigurisht ne kemi vërejtjet tona dhe i kemi bërë të ditura në deklarata. Por mënyra e shkarkimit të tij, Rama qeveris vetëm me ushtar. Nëse nuk përmbush parametrin e ushtarit, je i shkarkuar.

Qeveria ka bërë një hap pas nga bastet sportive, duke dhënë një dritë jeshile për të rikthyer bastet sportive online. Si e shihni këtë tërheqje?

Ka një lidhje në fakt, sepse ju e veçuat shkarkimin e drejtorit të Policisë në raport me iniciativën e qeverisë për bastet. Ekziston një lidhje në raport me botën e krimit që menaxhonte ilegalisht baste apo qoftë edhe ligjërisht nivelet e bixhozit që kanë ekzistuar. Qeveria ka tentuar ta sjellë disa herë dhe sot dëshmohet se lëvizja e parë, “Fundi i Marrëzisë” ka qenë hipokrizi totale thjeshtë për të bërë pjesën e propagandës dhe ato citimet e dikurshme, përshpirtjet e Ramës për dëmet që sjell bixhozi sot kanë rënë dhe Rama ka hequr atë veladonin fetar të njeriut të mirë dhe është shfaqur ai që është vërtet që kërkon të legalizojë dhe të drejtojë një nga aktivitetet që sjellin pasoja të shumta sociale dhe kriminale. Kriminale sepse historikisht, bastet kanë qenë pre e krimit.

Por meqë Policia është ngritur në nivelet mafioze, kërkon të kontrollojë edhe këtë sektor me qëllimin themelor. Jo thjesht fitimi, por kërkon të realizojë atë që ka pas qëllim kryesor që është pastrimi i parave. Ka tentuar të bëj pastrim parash me amnistinë fiskale dhe ka ndeshur në rezistencë të faktorit ndërkombëtar. Sektori i legalizimit të bixhozit i jep atij mundësi që të pastrojë milionat e eurove që janë grabitur për gjatë kësaj kohe. Njihen skemat e tilla të pastrimit të parave përmes aktiviteteve të bixhozit.

Z. Berisha ka deklaruar publikisht edhe ndarjen e detyrave për dy nënkryetarët e PD-së, juve ju ka caktuar si kryetar të Grupit të PD-së. A do e ushtroni ju këtë detyrë, duke nisur nga shtatori në Kuvend?

Ka dy mënyra për t’iu qasur qenies time në krye të Grupit Parlamentar. Mënyra e parë ka qenë ajo e angazhimit të grupit të deputetëve për të vendosur një kryetar të ri, duke zbatuar statutin e Partisë Demokratike dhe kjo mënyrë vazhdon të jetë e tillë në veprim. Dhe është rruga tjetër që është brenda rregullave statutore dhe rregullave parlamentare. Pasi në fillim të çdo sesioni, deputetët deklarojnë përkatësinë e tyre në grupin parlamentar dhe partia politike e cila formon grupin, propozon drejtuesin e grupit parlamentar sipas statutit.

Statuti i PD, qoftë ai i miratuar në datën 11 dhjetor qoftë çdo statut i mëparshëm e cilëson në mënyrë taksative se drejtues i grupit është një nga nënkryetarët e Partisë Demokratike dhe këtu s’ka vend për ekuivok. Deklarimi bëhet nga kryetari i partisë dhe miratimi është formal nga mbledhja e parë e Grupit Parlamentar. Duhet të sqarojmë edhe për opinionin dhe të vet Parlamentit se ka një vendim të Gjykatës që ka njeh vendimet e Kuvendit të datës 11 dhjetor. Ndryshimet e logos dhe ndryshimin e drejtimit të Partisë Demokratike.

S’mundet që një vendim gjykate të mos konsiderohet nga organi ligjvënës, sepse është vendim ligjor gjykate, sepse një vendim gjykate i trysnuar nuk pranon ta regjistrojë atë vendim. Pra, duhet të shmanget absurdi ligjor nga organi që vendos ligje në Shqipëri. Nëse së bën këtë, atëherë ka dalë nga funksioni. Deputetët e lexojnë mirë ligjin dhe ta zbatojnë atë. Çdo lexim i vëmendshëm dhe i qetë të çon tek ajo që Partia Demokratike propozon drejtuesin e grupit të PD-së që është një nga nënkryetarët. Do ndeshemi me absurdin e Nikollës dhe të Ramës për ta penguar, por ne do të bëjmë betejën tonë.

PD do ketë një aksion të ngjeshur politik deri në zgjedhjet vendore. Parashikohet që të ketë një protestë të afërt?

Vjeshta është stinë e betejave të forta politike. Ne do vazhdojmë me betejën tonë në Parlament, betejën në media. Denoncimet për aferat korruptive. Do vazhdojmë denoncimet në çdo rast ku dëmtohet interesi i qytetarëve. Do denoncojmë lidhjet nepotike të qeverisë në raport me zbatimin e ligjit siç është ligji për investitorët strategjik. Ne nuk reshtemi politikisht së denoncuar. Dhe krahas kësaj parashikohet që vjeshta të jetë stina e protestave pa lënë mënjanë atë që është pjesa themelore e një partie që ka të bëj me votën. Do vazhdojmë me primaret.

Është duke u hartuar rregullorja për primaret dhe më pas do të zbresim në terren për promovimin dhe për zgjedhjen e kandidatëve të mundshëm, duke harmonizuar betejën tonë politike me qëllim që rezultati i arritur të jetë maksimal. Publiku e di mirë se kush e qeveris vendin por kjo s’mjafton dhe ne do vazhdojmë të nxjerrim në pah llumin korruptiv mbi të cilin noton kjo qeverisje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN