MENU
klinika

Gjuha Shqipe

“Shqipja arabisht”: Plangarica i drejtohet Dervish Himës

09.09.2022 - 11:34

         Nga: Aurenc Bebja

“La Turquie” ka botuar, të premten e 25 shkurtit 1910, në faqen n°2, shkresën e atdhetarit Beqir Plangarica drejtuar asokohe Dervish Himës, drejtor i gazetës “Shqipëtari”, në lidhje me ndalimin e gjuhës shqipe në shkollat e Elbasanit, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar.

GJUHA SHQIPE

Kjo çështje po bëhet gjithnjë e më magjepsëse. Ja një shkresë e re, që merr nga Elbasani, gazeta “Skipetari” :

“Gjuha shqipe e cila prej më shumë se një viti e gjysmë, në shkollat tona mësohet me alfabetin tonë kombëtar, është ndaluar ditët e fundit, me urdhër të drejtorit të arsimit publik në Manastir.

Kjo ndalesë, nuk i përgjigjet aspak frymës së një qeverie kushtetuese.

Pas peticionit që i bëmë mytesarifit dhe në përgjigje të kërkesës së drejtorit të shkollës së Elbasanit, drejtuar drejtorit të arsimit publik të Manastirit, ky i fundit, në përgjigjen e tij telegrafike flet në një gjuhë krejt të kundërt dhe të papërshtatshme, për një drejtor kushtetues të arsimit publik.

Ai thotë se ata që duan të mësojnë gjuhën shqipe, duhet ta mësojnë atë vetëm me shkronja arabe, pasi ajo është fakultative në shkollë.

A është një përgjigje e denjë kjo, për një epokë kushtetuese kaq të shkëlqyer?

Ne ju kërkojmë (lutemi) që të rinisni mësimet e gjuhës shqipe, me alfabetin tonë kombëtar.

Shkresa e mësipërme e firmosur nga më shumë se pesëdhjetë nxënës të shkollës së Elbasanit, e paraqitur në zyrat telegrafike në Elbasan, u mbajt (bllokua) nga drejtori i postës dhe telegrafit, i cili u tha se duhej të kundërfirmosej (nënshkruhej) nga drejtori i shkollës. Drejtori, pasi nuk pranoi të firmoste, na u hoq e drejta që të mund të protestonim dhe të ankoheshim në departamentet ministrore. Ajo (shkresa) sjell në vëmendjen tuaj këtë akt, kaq pak në përputhje me përshkrimet e ligjit kushtetues dhe vij t’ju kërkoj me dashamirësi, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për këtë qëllim, që të vihet drejtësia në emër të nxënësve.”

(nënshkruar) Beqir Plangarica

Drejtori i gazetës “Skipetari”, i pyetur nga ana jonë, se çfarë synonte të bënte me këtë shkresë, na tha se do të takojë ministrin e Arsimit Publik, për t’i tërhequr vëmendjen ndaj këtij akti antikushtetues, të një prej vartësve të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Apostulli i shqiptarizmës, Jeronim De Rada

“Ishin pellazgët që e themeluan Romën”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit