Ndahet nga jeta Ganimet Vendresha, solistja e parë e trupës së baletit shqiptar. Mësohet se, Vendresha u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Ganimet Vendresha lindi në Tiranë më 19 shtator 1934. Studioi balet klasik dhe koreografi në Akademinë e Baletit të Bolshoi Teatër të Moskës, ku dhe u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Xhemil Simixhiu.
Pas 6 vitesh studime, të dy, së bashku me tri balerinë të tjerë që kryen të njëjtin shkollim, u kthyen në Tiranë dhe hapën shkollën e parë të baletit në Shqipëri. Më pas, ishin bashkëthemelues të Akademisë së Arteve, ku dhe punuan si pedagogë dhe Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punuan deri në fund të jetës.
Ganimet Vendresha mban shumë çmime karriere, si edhe tituj të lartë, ndër to “Nderi i Kombit”, “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Artistja, ka lënë trashëgimi një thesar të madh në baletin shqiptar, themelet e një shkolle që vazhdon të kultivojë dhe nxjerrë balerinë të talentuar dhe të një niveli që i nderon kudo në botë.