Ky start i Kategorisë Superiore po rezulton gjithë surpriza. E fundit sapo ndodhi, pasi Partizani u mposht 0-1 nga Erzeni. Sfida (e javës së katërt të kampionatit) do niste menjëherë me “malore” për të kuqtë, pasi do e shihnin vetën në disavantazh pas 12 minutash lojë.
Aksion perfekt i Erzenit. Një krosim i Peposhit gjeti Nonaton në zonë, me këtë të fundit që realizon një gol të rrallë. Të besuarit e Kolellas përpiqen të reagojnë dhe gjithë mesfusha fillon të furnizojë me topa sulmuesin Skuka, por shijakasit mirë të përgatitur nuk lanë hapësira.
I njëjti ritëm për kryeqytetasit në pjesën e dytë, rritën presionin për gjetjen e barazimit. Në minutën e 67-të, Da Silva nuk koordinohet siç duhet dhe humbet shansin e artë për të vendosur ekuilibrat.
Sa më shumë kalonte koha, aq më e vështirë bëhej për Partizanin, që në fund nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të pajtohej me rezultatin (humbja e parë sezonale). Në krahun tjetër, Erzeni konfirmohet si surpriza e këtij sezoni.