MENU
klinika

Detajet e panjohura më parë

Sulmet kibernetike në Shqipëri/ Ekipi, me lidhje të forta në Teheran!

13.09.2022 - 12:10

Dje kanë dalë në pah katër emra, bashkë me fotot që flasin mbi personat e mundshëm që kanë drejtuar operacionin global kibernetik në të cilin është përfshirë edhe vendi jonë.

Një media që duket se i përket Iranit, ka hedhur dritë mbi personat që fshihen pas sulmeve të njëpasnjëshme, ku në fokus ka qenë edhe Shqipëria. Sipas tyre, ata kanë nisur goditjet që një vit më parë në aeroportin e Rinasit, duke e konkretizuar tre muajve të fundit me goditjet që iu dhanë siteve qeveritare dhe së fundmi duke marrë për ditë me radhë krejt sistemin TIMS.

Pavarësisht se ditën e djeshme kreu i qeverisë doli dhe dha lajmin se sistemi është kthyer i gjithi, në fakt të dhënat që vinin nga Rinasi dhe një pjesë e mirë e ndërtesave policore bëhej me dije se në fakt nuk funksionon sistemi por punonjësit e pikave kufitare vijojnë punën me dorë. Megjithatë, janë një sërë agjencish ndërkombëtare që kanë ndërhyrë për të ndihmuar jo vetëm për rikthimin në punë të sistemit, por madje edhe në hetimin kompleks të çështjes, pasi personat që kanë organizuar sulmin pretendohet se janë profesionistë dhe se kanë mundur të godasin në të gjithë botën.

Është “Iran International” që ka dhënë detaje të rëndësishme në lidhje me katër personat që mendohet se kryesojnë skuadrën që godet herë pas herë sistemet tona kibernetike duke bërë që të merren të gjitha të dhënat e madje edhe të nxirren në shitje në internet me çmime qesharake! Grupi prej katër personave që janë identifikuar nga kjo media vendase bëhet me dije se kanë edhe lidhje njëri me tjetrin. Njëri është profesor universiteti, dy vëllezër dhe kunati i tyre. Megjithatë, organet ligjzbatuese që merren me këtë çështje ende nuk kanë treguar publikisht se në çfarë faze hetimi gjenden!

MEDIA IRANIANE

Media “Iran International” ka publikuar ditën e djeshme fotografi të katër aktorëve kryesorë iranianë në sulmet kibernetike globale, “të cilët janë të lidhur me agjenci të ndryshme të inteligjencës qeveritare në Teheran. Rasti më i fundit i një sulmi kibernetik shkatërrues që i atribuohet operativëve të inteligjencës iraniane ishte një ndërhyrje e hakerëve në sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare që filloi në vitin 2021 dhe përfundoi me një ndërprerje masive në korrik, sipas hetimeve të sigurisë të ‘Microsoft’.

Informacioni u vodh dhe shërbimet publike u ndërprenë nga hakerat iranianë, sepse Shqipëria po pret një grup opozitar. Javën e kaluar, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët e saj dhe, menjëherë, forcat e saj të sigurisë hynë në kompleksin e ambasadës duke kërkuar prova.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj ministrisë së inteligjencës së Iranit dhe ministrit të saj, me NATO-n që shpreh gjithashtu mbështetje për shtetin e saj anëtar, Shqipërinë.

Sipas informacionit të marrë nga firma e sigurisë kibernetike ‘Backdoor’, kreu i luftës kibernetike të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) është një person i identifikuar si Hamidreza Lashkarian (Lashgarian) 61-vjeçar, me banim në Teheran dhe me sa verifikohet një pedagog universiteti që ka disa artikuj të botuar. Ai ka një histori të përfshirjes në operacione të ndryshme të inteligjencës së IRGC-së kundër lundrimit komercial dhe aktiviteteve të tjera klandestine. Vitin e kaluar, një grup i quajtur ‘Sayyad Project’ kishte shënjestruar aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë.

Një grup kibernetik anti-Iran i quajtur ‘Lab Dookhtegan’ ose ‘Read My Lips’ zbuloi identitetin e personit që drejtonte sulmin kibernetik si Mohammad-Bagher Shirinkar. ‘Iran International’ ka marrë foton e tij nga ‘Backdoor’ dhe pseudonimi i tij është ‘Mojtaba Tehrani’, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjen e tij me IRGC. Vëllai i tij MhammadHossein Shirinkar është gjithashtu një nga aktorët kryesorë në grupin ‘Sayyad’. Ai thuhet se është kreu i Inspektoratit të Inteligjencës së IRGC, sipas ‘Lab Dookhtegan’. Një operator tjetër është Mehdi Hashemi Tughraljardi i cili është kunati i vëllezërve Shirinkar. Ai është gjithashtu i sanksionuar nga SHBA dhe drejtor i Përgjithshëm i një kompanie dixhitale në Teheran”.