MENU
klinika

I bën thirrje BE

Sulmi kibernetik i Iranit/ Presidenti Begaj e ngre shqetësimin në Slloveni

12.09.2022 - 12:23

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ngriti në samitin Rajonal të Liderëve të Brdo-Brijunit shqetësimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit tha se ky është një rast për të treguar që BE duhet të përshpejtojë procesin e integrimit.

“Shpresojmë që BE-ja në tërësi të ketë kuptuar përfundimisht se Koha ka rëndësi!, – se ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj lakmisë së vazhdueshme të aktorëve të tretë, për të rritur ndikimin dhe praninë e tyre destabilizuese në rajon”, tha Presidenti.

Nisur edhe nga rasti i fundit i sulmit kibernetik në vendin tonë, Kreu i Shtetit u shpreh se “disa shtete anëtare të BE-së duhet të kujtohen për rëndësinë e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkakun tonë, por edhe për vetë BE-në”.

Pjese nga fjala e Presidentit

Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike, të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për një farë kohe.

Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon.

Shpresojmë që BE-ja në tërësi të ketë kuptuar përfundimisht se Koha ka rëndësi!, – se ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit.

Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj lakmisë së vazhdueshme të aktorëve të tretë, për të rritur ndikimin dhe praninë e tyre destabilizuese në rajon.

Pavarësisht ngurrimit të dukshëm, BE-ja ka kapacitetet e nevojshme përthithëse për Ballkanin Perëndimor. Natyrisht, ka pengesa për të kapërcyer.

Disa varen nga ne, por për të qenë të sinqertë, disa edhe nga vetë BE-ja. Disa shtete anëtare të BE-së duhet të kujtohen për rëndësinë e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkakun tonë, por edhe për vetë BE-në.

Veçanërisht përgëzoj rolin aktiv, që ka luajtur mikpritësi ynë dhe Presidenti Milanović në ngritjen e kësaj çështjeje jetike, në Bruksel dhe tjetërkund. Falë angazhimit të tyre, perspektiva integruese evropiane e rajonit, mbetet në fokusin e politikave të BE-së. Samiti BE – Ballkani Perëndimor i organizuar nga Sllovenia, tetorin e kaluar 2021, këtu në Brdo, ishte i dobishëm për të mbajtur rajonin tonë në vëmendje të agjendës së BE-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deputetët: Të thirren institucionet e sigurisë edhe Rama!

Sulmi kibernetik i Iranit “bashkon” PS e PD