MENU
klinika

I akuzuar për vjedhje e falsifikim dokumentesh

Theu masën e arrestit, pranga policit në Pogradec

09.09.2022 - 11:55

Pogradec

– Sektori i Hetimit të AMP-së Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin E.Q., 24 vjeç për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në datë 08.09.2022, rreth orës 22:30, ky punonjës policie (i pezulluar dhe nën hetim me masën e sigurimit personal të “Arrestit në shtëpi”) është kapur në flagrancë në ambjentet e një biznesi Bar Kafe në lagjen Nr. 4 Pogradec, duke thyer masën e “Arrestit të shtëpisë” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, në kuadër të procedimit penal nr.163, viti 2022 (në hetim).

Ky procedim penal është regjistruar mbi materialin referues të dërguar nga AMP Korçë, pasi më datë 18.05.2022 ai është ndaluar me iniciativë nga oficerët e policisë gjyqësore të AMP-së, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.

Materialet e para hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të metejshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.