MENU
klinika

Analiza

Vdekja e Mbretëreshës vë në pikëpyetje Komonuelthin

20.09.2022 - 16:16

Vdekja e Mbretëreshës Elizabet II ka ngjallur një debat të ri në shumë vende të Komonuelthit, këto vende, pjesa më e madhe e të cilave ish-koloni britanike, kanë vënë në pikëpyetje lidhjet e tyre të ardhshme me monarkinë.

Britania nuk është e vetmja që tashmë ka një mbret të ri. Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Xhamajka janë ndër vendet ku Mbreti Charles i tretë është kreu i ri i shtetit. Pesëdhjetë e gjashtë vende janë anëtarë të Komonuelthit, një bashkim i ish-kolonive britanike, me Mbretin Charles në krye të tyre.

“Shumë vende po shqyrtojnë rolin dhe vendin e tyre në Komonuelth. Mendoj se tashmë që Mbretëresha Elizabet ka vdekur, sigurisht që do të ketë më shumë lëvizje për t’u shkëputur prej tij”, thotë Sonjah Stanley Niaah e universitetit “West Indies”.

Kryeministri i Australisë po kërkon mbajtjen e një referendumi për heqjen e monarkut britanik si kryetar shteti. Shtetet e Karaibeve Antigua e Barbuda, si dhe Shën Lucia janë shprehur mbi plane të ngjashme. Këtë javë autoritetet në Bahamas thanë se ishte e mundur mbajtja e një referendumi të tillë.

Një sondazh i zhvilluar në gusht para vdekjes së mbretëreshës tregoi se 56% e xhamajkanëve janë në favor të largimit të monarkut britanik nga pozita e kreut të këtij shteti. Vitin e kaluar ishulli Barbados u bë republikë, duke ndërprerë lidhjet me monarkinë britanike.

“Theksoj se rruga e Barbadosit drejt një republike nuk ishte një refuzim i mbretëreshës apo i monarkisë, por më shumë një konfirmim i një të drejte për vetëvendosje”, thotë Guy Hewitt, ish-komisioneri i Lartë i ishullit Barbados.

Këtë vit, Togo dhe Gaboni, të dyja ish-koloni franceze në Afrikë, iu bashkuan Komonuelthit. Kjo tregon se mbështetja nuk po bie, argumenton zoti Hewitt.

“Charles, si kreu i ri i Komonuelthit, punoi ngushtë me nënën e tij kur ishte Princ i Uellsit. Ai udhëtoi kudo nëpër Komonuelth, duke mbështetur kauza si zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit”, thotë zoti Hewitt.

Pjesë e debatit është dhe trashëgimia e sundimit kolonial. Britania dhe vendet e tjera evropiane skllavëruan miliona afrikanë deri në shekullin e 19-të, duke i detyruar ata të punonin në plantacione në Karaibe dhe në kontinentet amerikane.

“Kjo pasuri e Komonuelthit i përket Anglisë, është diçka që ne kurrë nuk e kemi ndarë. Për ne në Xhamajkë, monarkia është një kujtesë e hidhur e të kaluarës sonë fatkeqe”, thotë Bert Samuels, i Këshillit të kompensimit të Xhamajkës.

Monarkia ka shprehur dhimbje për abuzimet gjatë periudhës koloniale, por Britania nuk ka kërkuar falje zyrtarisht.

“Falja është e nevojshme. Ne duhet të shohim pendim dhe duhet të vijë një moment kur dëmshpërblimet të bëhen të rëndësishme në funksion të ecjes përpara si ish-koloni”, thotë Sonjah Stanley Niaah.

Falje duhet të vijë nga qeveria britanike thotë zoti Hewitt. “Po, është e nevojshme që këto fuqi koloniale të marrin përgjegjësi për atë që kanë bërë. Por në rastin e kreut të Komonuelthit ose Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar kjo nuk është një përgjegjësi kushtetuese e tij”.

Shumë analistë pajtohen se ishte respekti ndaj Mbretëreshën Elizabet II që mbajti Komonuelthin të bashkuar. Me një mbret të ri në krye, e ardhmja e tij është më pak e sigurte.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN