Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh”, violinisti Hetem Qerimaj.
Qerimaj, i konsideruar si themeluesi i dinastisë së muzikë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur i biri, muzikanti i njohur, Fatos Qerimaj.
Tre vjet më parë, në një intervistë në medie, Hetem Qerimaj do të shprehej se me violinën interpretonte prej 4 dekadash.
Me rastin e 85-vjetorit të mjeshtrit, u mbajt dhe koncerti me titullin “Harku i Triumfit të Qerimajve”, që isolli përvojën e gjatë të patriarkut të familjes, pasuar deri te muzikanti më i ri i saj.
Kompozitori dhe klarinetisti Fatos Qerimaj, i biri i violinistit të madh, do të shprehej se ky koncert nuk ishte vetëm festimi i një ditëlindjeje, por edhe promovimi i artistëve të një familjeje të madhe muzikantësh.
“Tanimë, familja Qerimaj numëron 9 artistë shumë të mirë, që janë në një aktivitet gjatë gjithë kohës. Janë tre breza që e kanë trashëguar instrumentin e violinës”, – ka deklaruar ai më 2019.
Para se ai të lindte, në shtëpinë e tij kishin kumbuar tingujt e violinës, mandolinës dhe kitarës. Ndërsa gjyshi dhe babai i tij, ishin zanatçinj me emër në gjithë trevën e Përmetit, jo për vegla muzikore, por në ndërtimin e mullinjve me ujë.
Hetemi luajti fillimisht, në mandolinë. Më vonë, djaloshi nisi të shoqëronte babanë nëpër dasma. Një dyshe muzikantësh tanimë, që prenotoheshin nga bashkëfshatarët e tyre. Koha ikte dhe djali pëlqehej më shumë sesa i ati… Filarmonia Shqiptare e vuri djaloshin 15-vjeçar, në krah të muzikantëve që kishin studiuar në konservatorët më të dëgjuar të kontinentit.
Tre vjet, me pjesë operistike dhe interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Mbrojtja e Atdheut e thërret ushtar në një nga fshatrat e Vlorës. Nuk kalon viti dhe mjeshtri i madh Gaqo Avrazi, duke shfrytëzuar momentin që ishte në sinorin ushtarak, e sjell në Tiranë, duke i dhënë violinën e parë të Ansamblit të Ushtrisë. Dhe kur shokët e tij kryenin shërbimin ushtarak, Hetemi me violinën e tij, i binte Azisë cep më cep. Gjashtë muaj nëpër Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Mongoli etj. Ky turne i Ansamblit të Ushtrisë e “gradon” Hetemin gjeneral, menjëherë sapo kthehet në Tiranë. Teatri i Operas dhe Baletit e bën violinist të parë.
Pasardhësit, sot shkelin në shtegun që çeli mjeshtri…