MENU
klinika

Pritet të shpallet në kërkim ndërkombëtar

Vrasja e babë e bir, autori dyshohet të jetë arratisur!

01.09.2022 - 10:59

Autori i krimit të dyfishtë në Lezhë ndodhet ende në arrati. Besnik Pjetri, vrau me armë zjarri pak ditë më parë Pjetër dhe Gentjan Përnjakun, ngjarjen e ndodhur në fshatin Grykë e Zezë.

Kontrollet e pandërprera të Policisë për prangosjen e 45-vjeçarit Besnik Pjetri nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Uniformat blu kanë krehur të gjitha zonat nga ku mendohej se ishte fshehur Besnik Pjetri, por pa arritur që të bien në gjurmët e tij. Dyshimet janë se i ndihmuar nga persona të tjerë, mund të ketë kaluar në mënyrë ilegale jashtë territorit shqiptar dhe pritet që të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

CEREMONIA MORTORE

Ndërkohë babë e bir, Pjetër dhe Gentian Përjaku, u përcollën paraditen e kësaj të mërkure për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm familjarë e të afërm të viktimave, të cilët deri tani nuk kane folur asnjë fjalë për krimin e rëndë. Pjetër dhe Gentian Përjaku, përkatësisht 56 dhe 33-vjeç u ekzekutuan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre Besnik Pjetri. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës të së hënës pranë banesës së viktimave, ku 45-vjeçari priste që ata të ktheheshin në shtëpi. Ndërkohë, nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe mbledhjes së dëshmive, bëhet me dije se babë e bir ishin kthyer të hënën nga Italia ku jetonin prej shumë vitesh, pasi kishin pasur një dasmë në vendlindje, te disa të afërm. Siç duket, ish-dhëndri i ka ndjekur lëvizjet e objektivave të tyre dhe sapo janë kthyer në banesë është afruar dhe ka qëlluar me breshëri plumbash.

SI NISI KONFLIKTI

Tragjedia në familjen Përnjaku duket se zë fill gjashtë vite më parë, pas një divorci të vajzës së viktimës me bashkëshortin. Sipas burimeve, autori i krimit të rëndë, Besnik Pjetri, i cili ishte babai i dy vajzave, ishte divorcuar prej më shumë se 6 vitesh nga gruaja e tij. Divorci kishte vazhduar me probleme të shumta mes tij dhe ish-bashkëshortes, jo vetëm për faktin se mes tyre ishin dy fëmijë, por edhe pretendime të tjera.

Madje, për shkak të konflikteve kishte ndërhyrë edhe policia italiane, duke arrestuar Besnik Pjetrin, i cili sipas burimeve ka qëndruar dy vite prapa hekurave. Por, as kjo nuk e kishte bërë që t’u jepte fund konflikteve. 45-vjeçari pretendonte se familja e ishbashkëshortes së tij i kishin borxhe dhe se ato nuk ia kishin kthyer. Një tjetër pretendim i autorit të dyshuar të krimit, ishte se ata nuk e lejonin të takonin vajzat e tij, çka dyshohet të jetë bërë shkak dhe për krimin e rëndë në orët e vona të mbrëmjes së hënës.

Familja Përjaku ka hapur dyert e mortit, ku po pret e përcjell ngushëllimet e të afërmve të tyre. Trupat e viktimave janë tërhequr nga morgu i Spitalit të Lezhës mesditën e ditës së djeshme pasi iu nënshtruan ekspertizës së specializuar mjekësore. Ata do të përcillen për në banesën e fundit paraditen e se mërkurës në varrezat e fshatit Prull. Ndërsa autori i kësaj ngjarje të rëndë, Besnik Pjetri, vijon të jetë ende në arrati.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN