MENU
klinika

Ishte kthyer në simbol të demonstratave

Vritet me 6 plumba vajza bionde e Iranit

25.09.2022 - 20:27

Është vrarë gjatë protestave në Iran, Hadith Najafi, vajza bionde e cila u bë simbol i revoltave kundër detyrimit të vajzave për tu mbuluar me shami pas vdekjes së Mahsa Aminit.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Najafi vdiq gjatë protestave në qytetin Karaj. Lajmi është konfirmuar dhe nga gazetarja Iraniane Masih Alinejad përmes një postimi në Twitter.

Gazetarja shkruan se ka komunikuar me motrën e Najafit. E cila i ka komunikuar se 20-vjeçarja u qëllua me 6 plumba gjatë demonstratave.

“Motra e saj më tha se ishte vetëm 20 vjeçe dhe u vra nga 6 plumba”, shkroi ajo.

Në videon e fundit para se të vdiste, Najafi shfaqet duke lidhur flokët e saj të gjatë biondë me llastik dhe duke rregulluar syzet gati për t’iu bashkuar demonstratave.

Protestat, 41 të vdekur

Sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane raportohet se të paktën 41 persona janë vrarë gjatë 9 ditëve të fundit të demonstratave në Iran.

Sipas organizatës joqeveritare Iran Human Rights me seli në Oslo, si dhe shumë grupe të tjerë aktivistësh kundër regjimit që janë larguar nga vendi, raportohet se numri i viktimave është shumë më i lartë.

Kortezhet e demonstratave drejtohen nga gra, shpesh shumë të reja, të cilat sfidojnë aparatin e sigurisë duke lëshuar flokët, duke hedhur ose djegur hixhabin, mbulesën e detyrueshme që është një simbol themelor i Republikës Islamike.