Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, “Monitor 200”, për vitin 2021. Pas vitit pandemik, pothuajse të gjitha sipërmarrjet panë rritje të shpejtë, duke tejkaluar edhe nivelet e parapandemisë. Ndërtimi, sektori i lidhur me shëndetësinë dhe tregtimi i energjisë, shënuan zgjerimin më të lartë. Por, përmirësimi i shpejtë, nuk i fsheh dot dobësitë strukturore të ekonomisë. Teksa ndërtimi po lulëzon, ekonomisë po i afrohet kriza e vërtetë e mungesës së fuqisë punëtore dhe emigracionit. Inflacioni i lartë dhe kriza energjetike u shtohen vështirësive që po kalojnë sipërmarrjet në vitin 2022. Ndërsa kërkesa dhe oferta do ta rregullojnë vetë ekuilibrin e çmimeve, emigracioni po shkakton zhbalancime më të thella, që do të duan dekada të riparohen
Ekonomia vendase ka një aftësi të lartë vetëshëruese. Faktorët janë të shumtë, disa pozitivë e të tjerë, jo dhe aq. Bizneset, të mësuara me vështirësi, përshtaten shpejt ndaj rrethanave të reja e të vështira. Menaxhimi, kryesisht familjar, e bën më të shpejtë vendimmarrjen.
Në kahun tjetër qëndron informaliteti, që shpesh është avantazhi kryesor konkurrues i shumë bizneseve. Paraja informale është një tjetër burim që fryn ekonominë (sidomos në vitin e pandemisë), duke u kanalizuar kryesisht në ndërtim dhe pasuritë e paluajtshme.
Këtë elasticitet, të formësuar nga një tranzicion i vështirë, vendi e tregoi gjatë dhe pas pandemisë. Ekonomia u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, pas një tkurrjeje shumë më të ulët sesa pritej në 2020-n, në -3.5% nga rreth -8% që ishin parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.
Nivelet e parapandemisë u tejkaluan që në tremujorin e katërt të vitit 2020, të ndihmuara nga performanca e mirë e ndërtimit e pasurive të paluajtshme, që amortizuan rënien e konsumit të ndikuar nga kufizimet e pandemisë.
Në vitin 2021, rimëkëmbja ishte e shpejtë, me rritje dyshifrore në të gjithë sektorët.
Në të njëjtën linjë edhe bizneset arritën me lehtësi, madje dhe tejkaluan nivelet e parapandemisë në treguesit e performancës së vitit 2021.
Xhiro e 200 kompanive më të mëdha në vend në vitin 2021 në renditjen e përvitshme të “Monitor 200” ishte 1.23 trilionë lekë (10.2 miliardë euro), me një rritje prej 21 % në raport me 200 më të mëdhenjtë në vitin 2020, por dhe 17 % më shumë se në 2019-n.
Por shërimi mbetet vetëm sipërfaqësor. Kura për shëndetin afatgjatë nuk është gjetur ende.
Përkundrazi, sëmundjet e brendshme, që e kanë zanafillën nga modeli ekonomik i paqëndrueshëm, i cili ka prodhuar mjedis jokonkurrues, në shumë raste favorizues për një pakicë, pak investime në teknologji e orientim nga importi, mungesë të investimeve të huaja cilësore dhe vlerë të shtuar të ulëta e pagat më minimale në Europë, po dalin në sipërfaqe.
Emigracioni, që është rikthyer me ritme të larta, në një formë të heshtur proteste ndaj këtij mjedisi, është një prej tyre. Si asnjëherë tjetër, këtë vit, sipërmarrjet po ankohen për mungesë të fuqisë punëtore, të kualifikuar e të pakualifikuar, si dhe frenimin e konsumit nga reduktimi i popullsisë (kryesisht ikja e të rinjve).
Qeveria, me indiferencën e vet ndaj këtij fenomeni, nuk po ndihmon aspak. Gjatë këtyre viteve, bizneset më të promovuara janë koncesionarë me të ardhura dhe fitime të garantuara dhe shpesh abuzuese (inceneratorët, sterilizimi etj., janë tashmë në hetim nga SPAK).
Me vetëdije është nxitur sektori i ndërtimit, që jo vetëm nuk sjell rritje të qëndrueshme, por në përmasat që po merr, rrezikon dhe një flluskë në të ardhmen, me pasoja të rënda zinxhir në ekonomi.
Këtyre u shtohen dhe mjedisi aspak i favorshëm i jashtëm, me presione të larta inflacioniste, që amplifikon pasojat në një ekonomi të varur nga importi si e jona. Por, ndërsa kërkesa dhe oferta do ta rregullojnë vetë ekuilibrin e çmimeve, emigracioni po shkakton zhbalancime më të thella, që do të duan dekada të riparohen.
Nuk ndihmon as situata e vështirë energjetike, e cila po dikton rritjen e çmimeve për konsumatorët, ndërsa bizneset në tensionin e mesëm po e blejnë energjinë në tregun e lirë që prej fillimit të vitit 2022.
Edhe në vitin 2021, në renditjen e 200 më të mëdhave, mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët.
Vetëm një duzinë kompanish kanë aktivitet në industrinë përpunuese. Eksportuesit po vuajnë rënien e Euros, që u ka ulur të ardhurat në monedhën vendase. Sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve, me shumicë e pakicë, mbizotërojnë në renditjen e “Monitor 200”, duke zënë rreth 14% të totalit të më të mëdhave.
Distributorët, që në pjesën më të madhe financojnë importin, sërish zënë një vend kryesor. Shumë sipërmarrje të tjera kanë thjesht aktivitet tregtar. Ndërtimi po vazhdon rritjen dhe nuk dihet ku do të ndalë.
Renditja e më të mëdhenjve, në fakt, reflekton modelin e një ekonomie “parazitare”, të mbështetur te tregtia dhe me pak vlerë të shtuar, ndryshe nga fqinjët që e kanë ekonominë e tyre më shumë të bazuar te prodhimi, si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Industritë prodhuese, apo ato inovative, nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për të dalë në krye. Në Shqipëri, gati 50% e investimeve totale të brendshme në vend, në vitin 2020, shkoi për banesa, nga 25% që është ky tregues për mesataren e Bashkimit Europian, sipas statistikave të Eurostat. Kjo peshë është më se dy herë më shumë sesa në shtetet e tjera të rajonit, që janë në faza të njëjta zhvillimi me ne.
Rritja ishte e shpejtë për të gjithë sektorët në vitin 2021, e udhëhequr nga ndërtimi, mjekësia dhe tregtimi i energjisë. Sektori i ndërtimit po vijon ciklin zgjerues të nisur pak vite më parë, duke u kthyer në një kontribuues të rëndësishëm të rritjes ekonomike.
Ka debate të shumta lidhur me modelin që po merr zhvillimi i vendit, i varur sërish nga ky sektor pa vlerë të shtuar të lartë, që po kanalizon një pjesë të parasë informale dhe mbi të gjitha, që mund të rrezikojë një shfryrje të flluskës në të ardhmen.
Nga 26 hyrje të kompanive të reja në listën e “Monitor 200”, 35.% e tyre ishin nga sektori i ndërtimit. Një ecuri pozitive është orientimi i një pjese të kompanive në turizëm, ku krahas fshatrave turistike, po ngrihen edhe struktura hoteliere me 5 yje, të nxitura nga statusi i investitorit strategjik.
Sektori i mjekësisë vijoi me rritjen e fortë dyshifrore i ndikuar nga pandemia, që në gjysmën e parë të vitit 2021 arriti në kulmin e saj. Mungesa e besimit te sistemi shëndetësor publik rriti xhiron e spitaleve private, por rekordin e arritën laboratorët mjekësorë, që kanë realizuar mijëra teste PCR (edhe për shkak të kushtit për udhëtime jashtë) e analiza të tjera.
Tregtimi i energjisë është segmenti tjetër që po josh bizneset, për shkak të nivelit të ulët të investimit fillestar dhe qarkullimit të shpejtë të parasë. Rritja e tij u nxit dhe nga nevoja për më shumë importe në gjysmën e dytë të vitit 2021 për shkak të situatës së vështirë hidrike.
Nga 200 sipërmarrjet më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, 94% e tyre raportuan rritje të xhiros. Për 77% të sipërmarrjeve të renditura në “Monitor 200”, zgjerimi ishte dyshifror. 82.% e kompanive kishin të ardhura më të larta edhe se në vitin 2019.
Vetëm 6% e kompanive deklaruan rënie të të ardhurave në 2021, në raport me vitin e mëparshëm. Shoqëritë e lidhura me ndërtimin e gazsjellësit TAP, që për disa vite me radhë ishin në listën e më të mëdhave, kanë dalë fare nga lista në 2021.
Pjesa më e madhe e tyre janë mbyllur tashmë, pasi projekti më i madh në historinë e vendit, me një investim prej 1.5 miliardë lekësh, ka përfunduar, duke e lënë gazin të kalojë në nëntokën e vendit, por pa një shpresë afatshkurtër që ai të përdoret në sipërfaqen e ekonomisë.
Kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, është rreth 1.9 miliardë lekë, nga 1.6 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave nga vetë kompanitë, të cilat nuk e kanë dorëzuar ende bilancin në QKB. Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.
Nga viti 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Të tria kompaninë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve. Të tria shoqëritë figurojnë në listën e 10 më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor, por xhiro e tyre është e dubluar për shkak të veprimeve me njëra-tjetrën.
Sipas të dhënave zyrtare të “OSHEE Group”, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit ishte 64.2 miliardë lekë në vitin 2021, duke u renditur në sipërmarrjen më të madhe në vend, me rritje rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Për shkak të situatës së vështirë energjetike në pjesën e dytë të vitit 2021, grupi ka deklaruar humbje prej 13 miliardë lekësh, nga -2.5 miliardë lekë në 2020-n.
“Treguesit kryesorë të vitit 2021 u realizuan brenda objektivave, madje në disa janë tejkaluar. Këtu nuk kam parasysh vetëm zërat bazë Humbjet & Arkëtime, por edhe rezultatet në fushën e menaxhimit të strukturave, miratimi i tarifave të shërbimit për shoqëritë OSSH – FSHU, në kuadër të ndarjes dhe funksionimit të grupit, nënshkrimi i marrëveshjeve financiare me partnerë ndërkombëtarë si BERZH dhe KfW, etj.”, pohon z.Adrian Çela, administrator i OSHEE Group.
“Sa i takon bilancit, rritja e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë në 6-mujorin e II-të të vitit 2021 përkeqësoi performancën e OSHEE Group Sh.Aduke kaluar nga një fitim neto prej rreth 2.5 miliardë lekë në gjashtëmujorin e I-rë në një humbje neto prej rreth 13.2 miliardë lekë”, shton ai.
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”, është renditur sërish e dyta në vend dhe më e madhja me kapital privat, në listën e “Monitor 200”. Kompania raportoi 61.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me një rritje prej 39%.
Zgjerimi i fortë erdhi pas tkurrjes me 28.4% vitin e mëparshëm, si rrjedhojë e frenimit të konsumit të karburantit gjatë muajve të karantinës dhe rënies së çmimit të tij në vend. Në vitin 2021, situata ndryshoi krejtësisht, teksa si konsumi, ashtu edhe çmimet, u rritën. Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri, si dhe me një seri projektesh në infrastrukturë (port, aeroport e autostrada).
3.“Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji u rikuperua me shpejtësi në vitin 2021, pas stanjacionit në 2020-n, si rrjedhojë e pandemisë, duke u ngjitur në vendin e tretë, nga i katërti që ishte vitin e mëparshëm.
Në vitin 2021, qarkullimi vjetor arriti në 41.8 miliardë lekë, me zgjerim 76%, i ndihmuar si nga rikuperimi i fortë i kërkesës, ashtu edhe nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në vitin 2022, kompania po vuan pasojat e shtrenjtimit të energjisë. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum International thotë se rritja e çmimeve të lëndëve të para në 6-mujorin e parë ndikoi nga njëra anë, pozitivisht, në rritjen e të ardhurave të kompanisë, sidomos në të ardhurat nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, sidomos në tremujorin e dytë dhe të tretë, çmimet e larta të energjisë, vështirësuan raportin kosto-çmim në fabrikën e çelikut, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të punës në këtë fabrikë, në muajin gusht 2022.
Por, kjo është kompensuar nga rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë dhe nuk priten probleme me likuiditetin. Shoqëria ka zbatuar me sukses planin e ri të organizimit për shlyerjen e kredive, edhe për vitin 2021.
4.“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A.”) u rendit në vitin 2020, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të katërtin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 36 miliardë lekësh, me rritje me 63% me bazë vjetore, e ndikuar nga përmirësimi i konsumit dhe rritja e çmimeve të naftës e derivativave të saj.
Në raportin e veprimtarisë theksohet se Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike në Porto Romano në Durrës dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton.
Në renditjen e këtij viti të “Monitor 200”, “Gega Oil Group” u ngjit nga vendi i pestë në të katërtin.
5.“Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), banka më e madhe në vend, është renditur e pesta në dhjetë sipërmarrjet më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat u rritën me 8%, në 24.4 miliardë lekë, sipas burimeve zyrtare nga banka.
“BKT e mbylli vitin 2021 me një total aktivesh prej 5.2 miliardë USD, 4.2 miliardë USD në depozita dhe 1.3 miliardë USD në kredi. Fitimi neto, rekord, prej 95 milionë USD (2020: 75 milionë USD) korrespondon me pothuajse gjysmën e fitimit të sistemit bankar. Ashtu si edhe në vitin 2020, ne presim që të jemi institucioni më i madh taksapagues në vend për vitin financiar 2021”, pohon .Z. Seyhan Pencabligil – Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare.
6.“Bankers Petroleum”
“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 22.3 miliardë lekë, me rritje prej 50% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).
Kompania u rikuperua me shpejtësi, pas përgjysmimit të të ardhurave në 2020-n, si rrjedhojë e pandemisë dhe mbylljes së përkohshme të aktivitetit për disa javë në momentin e fillimit të karantinës.
“Në vitin 2021, prodhimi i naftës ishte 610,000 tonë krahasuar me 670,000 tonë të prodhuar në vitin 2020. Prodhimi pësoi rënie të lehtë, për shkak të sfidave me të cilat ne u përballëm në vitin 2020, kur u detyruam të reduktonim në minimum operimet në Patos-Marinëz.
Pavarësisht rritjes së çmimit të naftës, situata financiare nuk na lejoi t’i riktheheshim shpimit të puseve të reja të naftës dhe kështu të rrisnim më tej prodhimin”, pohon CEO i Bankers Petroleum Albania, Huanqin Xiao. Por, ai shton se Bankers ia arriti t’i kalojë ata muaj dhe vite të vështirë, mbajti të gjithë punonjësit në punë, në një kohë kur shumë kompani ndërkombëtare të naftës falimentuan.
GSA, me aktivitet në tregtimin e energjisë dhe të ferrokromit ka hyrë për herë të parë në listën e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”. Të ardhurat e kompanisë pothuajse u trefishuan në 22 miliardë lekë. Sipas të dhënave në bilanc, të ardhurat nga shitja e energjisë më se u dyfishuan (nga 6 në 13.7 miliardë lekë). Rritje të ndjeshme shënuan edhe të ardhurat nga shitja e ferrokromit (nga 1.5 në 8 miliardë lekë).
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të tretë është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin 21.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10% në krahasim me vitin e kaluar.
“INFO-Telecom”, që ofron shërbime transit ndërkombëtare telefonike dhe mesazhesh, raportoi të ardhura prej 20 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 40% në krahasim me vitin e mëparshëm. (nga të ardhurat është zbritur autofaturimi.
Në total, vlera e të ardhurave, e deklaruar në bilanc, është 36 miliardë lekë). Marin Gjonaj, president i “Gjonaj Group”, pjesë e së cilës është dhe “INFO-Telecom” pohon se trendi aktual, në aktivitetin e shumicës në tregjet e telekomunikacioneve, është lulëzimi i SMS-ve autorizuese dhe kod-konfirmuese.
“Në 7 vitet e fundit është zhdukur pjesa tradicionale e telefonatave dhe ka një orientim drejt mesazheve konfirmuese nga aplikacionet, nga bankat e korporatat dhe gjithashtu, edhe nga qeveritë.
Kjo mënyrë preferohet, pasi palët dërguese duan të sigurohen që mesazhi është dërguar në formë tradicionale. Zhvendosja në këtë drejtim, jo vetëm që ka zëvendësuar pjesën e tregut që vinte nga telefonatat, por edhe e ka tejkaluar. Në terma financiarë mund të them se 30% e fitimeve të ‘INFO-Telecom’ vijnë nga SMS për vitin 2021”.
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)” ka hyrë në listën e 10 më të mëdhave, pasi ka realizuar një qarkullim vjetor prej 18.5 miliardë lekësh, me një rritje 66% me bazë vjetore. Ergys Verdho, Administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare pohon se viti 2021 ishte pozitiv për sa u përket të ardhurave të shoqërisë, ku vetëm nga eksporti/shitja e energjisë në tregun e rregulluar/parregulluar arriti vlerën e 18.9 mld lekë, dhe ku rezultati financiar neto për periudhën në fjalë rezultoi në vlerën e 7.21 mld lekë.
Por, ecuria e treguesve të prodhimit, importit/blerjes dhe situata financiare nuk rezultoi optimiste gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2022. Si pasojë e situatës jo të favorshme hidrike, prodhimi për këtë periudhë ra me 28% pak krahasuar me mesataren e prodhimit shumëvjeçar për të njëjtën periudhë.
Kostot për blerjen/importin e 752,306 MWh arritën vlerën e 173,1 Mln. Eur, ose 20.6 Mld. Lek dhe me një çmim mesatar të ponderuar prej 230 Eur/MWh.
Vëmendja te burimet njerëzore (që po ikin)
Kapitali njerëzor po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sipërmarrjet e mëdha. Vëmendja e shtuar është e dukshme në raportet e aktivitetit të publikuar nga shumica e VIP-ave, ku vihet theksi te trajtimi i burimeve njerëzore, trajnimi, shpërblimi, motivimi etj. Kompanitë deklarojnë se po investojnë vazhdimisht në trajtimin dhe kualifikimin e punonjësve.
Vala e re e emigracionit, këtë herë, po përfshin krahas të tjera, edhe forcën e kualifikuar të fuqisë punëtore, duke vënë në vështirësi sipërmarrjet për gjetjen e stafit. “Ky aspekt është një sfidë, sepse vërehet tendencë për largim jashtë Shqipërisë, kryesisht nga rinia, dhe kjo nuk është gjë e mirë”, thotë CEO i “Agna Group”, z. Vasil Naçi.
Disa kompani theksojnë në raporte se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon në zgjerimin e aktivitetit dhe ndërmarrjen e projekteve të reja.
Lëvizja e shpeshtë e fuqisë punëtore është një tjetër shqetësim. Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GmbH , pohon se është e dukshme vështirësia për të gjetur punonjës, si të kualifikuar, por edhe të pakualifikuar. Gjithashtu turnover i personelit ekzistues është i lartë, aq sa në sistemin e shitjeve retail apo të supermarketeve arrin në 30% në harkun e një viti. Ai sugjeron se ndërhyrja më efikase, detyrimisht, është rritja e pagave.
“Fenomeni ka filluar, të shohim sa do të arrijmë të bëjmë për të frenuar hemorragjinë e ikjeve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që rritjet e pagave do të çojnë në rritjen e kostove të ndërmarrjes dhe për pasojë, rritjen e çmimeve. Shumë ndërmarrje do të humbasin aftësinë konkurruese dhe do të mbyllen, duke favorizuar importin.
Përballë këtij fenomeni të pandalshëm do të ishte me vlerë ndërhyrja e shtetit për uljen e ngarkesës fiskale mbi pagat që sot kalon 40% të pagës neto”./MONITOR