MENU
klinika

Vendimi

30 mijë euro dëme, Partizani e Tirana jo në “Air Albania”

11.10.2022 - 18:38

Kur luhet derbi Partizani-Tirana, emocionet tejkalojnë çdo gjë dhe pozitive apo negative qofshin ato, sjellin pasoja si fizike, ashtu edhe ekonomike për stadiumin “Air Albania”.

Ndeshja e fundit derbi, ku ishin të pranishëm mbi 14.000 tifozë solli të ardhura të majme, në pamje të parë për klubin e Partizanit që ishte pritës, rreth 120 mln lekë nga biletat e shitura.

Por kalojnë pak ditë dhe në bërjen e llogarive bien në sy një shpenzim prej 11.500 euro dëm ndaj klubit të kuq që janë kanë bërë vetë tifozët, me 115 stola të thyer, nga 296 stola të thyer në total.

Ndërkohë 181 stola rezultojnë të thyer në krahun ku qëndronte tifozeria ultras bardheblu që si për ironi të fatit, pavarësisht fitores së skuadrës së tyre, i kanë sjellë klubit një dëm financiar rreth 18.100 euro.

Drejtoria e stadiumit “Air Albania” bën të ditur se në total dëmi i kësaj ndeshjeje arrin shifrën e 30.000 eurove dhe jo vetëm kaq, por në magazinat e tyre kanë mbetur vetëm 6 stola rezervë përveç këtyre që do të zëvendësohen.

Një situatë kritike që ka detyruar ata të mbyllin dyert e stadiumit kombëtar deri më 16 nëntor ku kuqezinjtë do të masin forcat në një ndeshje miqësore me kampionët e Europës të Italisë. Deri në atë datë as Tirana dhe as Partizani nuk do të kenë më mundësi që të luajnë në këtë impiant.

Një rutinë kjo e thyerjes së stolave që ka vënë në diskutim tashmë edhe zëvendësimin e tyre duke qenë se kanë një kosto rreth 100 euro për ulëse, e si rrjedhojë, ndoshta pjesa pas portave do të gjendet mënyra e zëvendësimit me një model tjetër për të evituar dëme të tilla me dhjetëra mijëra euro, por që sigurisht mund të sjellë edhe një ndryshim në pamje, të një prej impianteve më modern futbollistik të vendit tonë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Disiplina ndëshkon edhe një trajner

Dënohet rëndë djali i presidentit të Tiranës