MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

715-715 shqiptarët, por bashkitë ndahen 42 me 19…

20.10.2022 - 16:33

Në një sondazh kombëtar që zhvillova së fundi për revistën Newsbomb (ka dalë në qarkullim aktualisht), një ndër pyetjet e shumta ishte për prirjen e votës lokale. Nga përgjigjet e saj, më rezultoi se 34% e shqiptarëve janë të prirur të votojnë për kryebashkiakë të mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme lokale, dhe 34% të tjerë për kryebashkiakë opozitarë (pa i ditur ende emrat e kandidatëve). Me një ekstrapolim të përafërt, mund të thuhet se rreth 715 mijë banorë të rritur janë të prirur të votojnë për kandidtët mazhoritarë për kryebashkiakë, rreth 715 mijë janë të prirur të votojnë për kandidatët opozitarë, dhe rreth 670 mijë asnjërin prej tyre.

Duke i shpërndarë këto vota potenciale proporcionalisht në 5199 qendra votimi (për të cilat i kam rezultatet e çdo zgjedhje qysh nga viti 2001), dhe duke ekzekutuar 40 mijë simulacione të rastësishme statistikore (të shpërndara sipas marzhit të gabimit të sondazhit), më rezulton se gjasat janë që kandidatët e mazhorancës mund të triumfojnë në 42 bashki dhe kandidatët e përbashkët opozitarë (të Berishës, Metës, Alibeajt etj. etj.) mund të triumfojnë në 19 bashki. (Ky rezultat i përafërt statistikor ka një marzh gabimi plus/minus 2 bashki.)

Po përse ekziston kjo epërsi kaq e madhe e mazhorancës në shpërndarjen e fitoreve në 61 bashkitë, kur ndarja e votave për kryebashkiakë mes kampeve në rang vendi është gjysëm për gjysëm?

Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetje, duhet të kthehemi tek bojkoti që i bëri dikur PD-ja komisionit të ndarjes territoriale. Ajo ndarje territoriale çimentoi mbi 40 bashki (nga 61 gjithsej), në territorin e të cilave kishte disa vite që mbizotëronin votat e majta. Dhe ai mbizotërim u fuqizua sidomos pas bojkotimit që i bëri opozita zgjedhjeve të fundit lokale (më 2019).

Që opozita ta zbusë sadopak këtë epërsi paraprake të mazhorancës, duhet patjetër që të futet në garë me kandidatë të përbashkët. Më tej, duhet patjetër që të 61 kandidatët e saj të jenë me reputacion dhe me ndikim të fortë lokal. Dhe më tej, opozitarët duhet të shpresojnë për probleme/skandale të kundërshtarëve të tyre deri në 14 majin e ardhshëm…

SHËNIM STATISTIKOR: Më 2015, në zgjedhjet e fundit lokale kompetitive, u regjistruan gjithsej 1.57 milionë vota të vlefshme për kryebashkiakë, prej të cilave 52.5% u morën nga kandidatë të mazhorancës (asokohe PS+LSI+etj.). Kandidatët për kryebashkiakë të mazhorancës triumfuan në treçerekun e bashkive më 2015. Ndërsa tani, me gjysmën e votave gjithsej për kryebashkiakë (në rang vendi), kandidatët për kryebashkiakë të mazhorancës (PS+PSD+etj.) mund të triumfojnë në mbi 2/3 e bashkive…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN