MENU
klinika

Skenarët e mundshëm

A e ka seriozisht Putini për armët bërthamore?

14.10.2022 - 19:40

“Pse kështu duket një ushtri fitimtare?”- thotë me zë të lartë një burrë që po përpiqet t’i japë pak guxim vetes në këto ditë tetori plot ankth. Duhma e alkoolit nderet mbi turmën e njerëzve pak para orës 11 të paradites, jashtë zyrës së rekrutimit në Balashikha, një zonë periferike në lindje të Moskës.

“O Zot ku ndodhem kështu”- thotë i dëshpëruar një rezervist i ri. Shumica e burrave qëndrojnë të heshtur, ndërsa presin të dërgohen në luftë. Ose përpiqen të ngushëllojnë gratë dhe nënat e tyre që qajnë me ngashërim. Skena si kjo në Balashikha, po shihen aktualisht në qindra zona të ndryshme në Rusi.

Për shkak se “operacioni special” i Vladimir Putinit në Ukrainë është kthyer në një katastrofë ushtarake, presidenti rus ka urdhëruar një mobilizim të ri. Burrat që kanë kryer tashmë shërbimin e tyre ushtarak vite më parë po thirren në front: baballarë, pacientë të prekur nga kanceri, madje edhe njerëz gjysmë të verbër.

Vetëm pak ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se do të rekrutohen njerëz kryesisht të mirëtrajnuar. Por skena në Balashikha sugjeron diçka krejtësisht ndryshe. Disa nga ata që janë mbledhur nuk kanë ende pamjen e një burri, ndërsa të tjerët, rrathët e zinj rrotull syve, i tregojnë si të moshuar para kohe. Ata duken si një grup të dëshpëruarish.

Kur Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainën më 24 shkurt, premtoi një fitore të shpejtë. Pra, një fushatë në të cilën Kievi do të kapitullonte shumë shpejt, dhe kur do të rikthehej dhe lavdia e dikurshme e perandorisë sovjetike.

A e ka seriozisht Putini me përdorimin e armëve bërthamore?/

Por për habinë e shumë njerëzve në Rusi, lufta ka zbuluar se sa e rrënuar është ushtria e tyre. Rusët janë aktualisht duke u tërhequr në shumë fronte. Situata është bërë aq e pasigurt për Putinin, saqë ai i është drejtuar kërcënimit përfundimtar: armëve bërthamore. Dhe ka theksuar se nuk po bllofon.

Nëse bisedoni këto ditë me politikanë dhe zyrtarë të lartë perëndimorë, shumica supozojnë se kërcënimi bërthamor i Putinit është vetëm i tillë: një kërcënim. Sipas burimeve të qeverisë gjermane, deri tani presidenti rus nuk i ka ndjekur me veprime fjalët e tij, siç është për shembull montimi i bombave në raketat e lëshimit.

Në këtë përfundim ka mbërritur edhe qeveria amerikane gjithashtu. Synimi kryesor i Putinit është të përçajë Perëndimin, thotë Hedhër Konlej, kreu i “German Marshall Fund”, një institut me shumë ndikim në Uashington. Por a do të qëndrojnë gjërat vetëm kështu?

Perëndimi ka përballë një sundimtar rus, që nuk po lufton më vetëm për prestigjin dhe sferat e ndikimit të Rusisë, por për mbijetesën e tij në pushtet. Nëse humbet në Ukrainë, qëndrimi i tij në krye të vendit nuk është aspak i sigurt. Dhe kjo e bën shumë të rrezikshme situatën aktuale.

Edhe ish-kancelarja Angela Merkel në një nga paraqitjet e saj të rralla publike javën e kaluar, tha se kërcënimet e Putinit duhen marrë seriozisht. Presidenti amerikan Xho Bajden shkoi edhe më tej të enjten, kur e krahasoi situatën aktuale me krizën midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, me raketat bërthamore në Kubë 60 vjet më parë.

Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik vendosi raketa me armë bërthamore në Kubë, të cilat mund të godisnin SHBA-në brenda pak minutash.

A e ka seriozisht Putini me përdorimin e armëve bërthamore?/

Presidenti amerikan Xhon F.Kenedi arriti të zbusë situatën së bashku me kundërshtarin e tij Nikita Hrushov. Për herë të parë pas shumë vitesh, në Uashington, Berlin dhe Paris po diskutohen se si mund të ndodhë një katastrofë bërthamore.

Ka nisur të përdoret sërish një gjuhë që dukej se ishte zhdukur në librat e historisë bashkë me Luftën e Ftohtë: goditja e parë, pasojat radioaktive, parandalimi. Në përgjithësi konsensusi është se një sulm në një nivel të tillë do të ishte një mision kamikaz për Putinin.

Po ashtu ekspertët dyshojnë nëse ushtria ruse do të zbatonte një urdhër të tillë nga Kremlini pa bërë asnjë rezistencë. Alternativa më e mundshme është që Putin të shpërthejë një bombë bërthamore taktike me rendiment të ulët në Arktik ose në Detin e Zi.

Ose ai mund të vendosë të godasë një bazë ushtarake ukrainase. Edhe nëse nuk do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe në fushën e betejës, një operacion i tillë mund të bëjë të qartë se Putin është i vendosur të bëjë gjithçka, dhe të forcojë zërat e atyre që po bëjnë thirrje për negociata me çdo çmim me Putinin.

Sidomos në Gjermani, ku një pjesë e popullsisë është rritur me frikën e luftës bërthamore, mund të forcohen dyshimet nëse Ukraina është aq e rëndësishme sa të merret një rrezik i tillë ekzistencial. Në prill, kancelari gjerman Olaf Sholc paralajmëroi gjatë një intervistë për “Der Spigel”: “Nuk mund të ketë një luftë bërthamore!”.

Kërcënimet bërthamore i drejtohen kryesisht Evropës dhe veçanërisht gjermanëve, beson Kristof Heusgen, ish-këshilltar i Merkelit për politikën e sigurisë dhe kreu i ri i Konferencës së Sigurisë së Mynihut. “Kjo është pjesë e strategjisë ruse të frikësimit të Rusisë”- shton ai. Sipas tij, do të ishte shumë e rrezikshme nëse gjermanët bien pre e këtij shantazhi.

Heusgen ka kërkuar prej javësh që evropianët ta furnizojnë Ukrainën me tanket moderne “Leopard 2”, të cilët Kievi mund t’i përdorë për ta sprapsur më tej ushtrinë. Por deri më tani, Sholc ka refuzuar, gjë që jo vetëm ka shkaktuar zhgënjim në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, por edhe pakënaqësi në Uashington.

Bajden beson se vetëm forca do ta pengojë Putinin të shkojë në ekstrem. Këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Xhek Salivan, paralajmëroi së fundmi për “pasoja katastrofike” nëse Putin do të përdorte vërtet armë bërthamore.

Asnjë zyrtar ushtarak nuk dëshiron të flasë hapur se cilat mund të jenë ato pasoja. Por midis ekspertëve, një sulm masiv konvencional i SHBA-së konsiderohet i mundshëm nëse Putini do të përdorte një armë bërthamore taktike. Ish-kreu i CIA-s, Dejvid Petreus, beson se mund të ketë një sulm ushtarak të SHBA ndaj flotës ruse të Detit të Zi.

Burimet ushtarake thonë se flitet edhe për armatosjen e mëtejshme të ukrainasve me raketa-hedhës shtesë, apo edhe me raketa me rreze të mesme veprimi. Edhe Ben Hoxhes, që ka shërbyer si komandant i ushtrisë amerikane në Evropë deri pak vite më parë, parashikon një operacion të gjerë konvencional të SHBA-së.

Ditët e fundit, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe ekspertë kanë hedhur idenë specifike për të shkatërruar menjëherë vendin e lëshimit të raketës bërthamore ruse. Vetëm ky kërcënim, besojnë ata, mund të ketë një efekt parandalues. “Putini nuk e shtyp vetë butonin bërthamor. Komandanti që e bën këtë e di se 10 minuta pasi e bën këtë ka vdekur”- thotë kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Heusgen.

Një arsye e rëndësishme pse Lufta e Ftohtë nuk u shndërrua në një luftë të nxehtë, ishte se SHBA dhe Bashkimi Sovjetik e kërcënuan njëri-tjetrin me apokalips bërthamor. “Shkatërrimi i Sigurt Reciprok”, ose shkurt MAD, ishte paradoksalisht, garancia e mbijetesës së botës për dekada.

Tek e fundit, i pari që do të shtypte butonin do të vdiste i dyti. Sot, kjo skemë është pak mëe ndërlikuar. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, ndaj nuk është nën mbrojtjen e paktit të mbrojtjes së ndërsjelltë të aleancës. Por një sulm hakmarrës nga amerikanët pas një sulmi bërthamor rus do ta bënte NATO-n një palë të drejtpërdrejtë në luftë. Askush nuk mund ta parashikojë spiralen e përshkallëzimit që mund të vihet në lëvizje më pas.

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s