MENU
klinika

Analiza

A është ideja e Evropës për ushtrinë, thjesht një ëndërr?

15.10.2022 - 08:42

Përpjekjet e Evropës për të rindërtuar ushtritë e saj kronikisht të nën-financuara, kanë nxjerrë në pah ekzistencën e një industrie të mbrojtjes në kohë paqeje, e cila është e keq-pajisur dhe aspak në gjendje për të furnizuar armë aleancën përballë kërcënimeve ruse që janë aty pranë në kufi.

Thënë thjesht:Evropa nuk ka mjaftueshëm plumba, armë dhe sisteme të teknologjisë së lartë në Evropë, për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe për të parandaluar rreziqet e afërta. Dhe kërkesa për armë është shumë e madhe. Qëkur shpërtheu lufta në Ukrainë në muajin shkurt, vendet e BE-së janë zotuar të shpenzojnë më shumë se 230 miliardë euro për të modernizuar arsenalin e tyre.

Arsyeja për fluksin e papritur të këtyre fondeve, nuk është vetëm revanshizmi rus. Ekziston një shtysë nga shumë vende të fuqishme evropiane, për t’u siguruar që kontinenti të mos mbështetet vetëm tek ushtria amerikane – apo industria e plotfuqishme amerikane e mbrojtjes – për mbrojtjen e kufijve kombëtarë.

Mobilizimi i fundit në Rusi, kërcënimet bërthamore të Putin dhe sabotimi i dyshuar i tubacionit të gazit, vetëm sa e kanë rritur natyrën lokale të këtyre kërcënimeve. “Ne dëgjojmë shpesh këshilla nga kolegët amerikanë:Investoni tek mundësitë tuaja strategjike, pasi mund të vijë një kohë, dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt, kur SHBA-ja mund të angazhohet plotësisht diku tjetër në Azi-Paqësor, dhe atëherë ne s’do të jemi në gjendje t’ju mbështesim”- thotë Jiri Sedivy, kreu i Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA), një agjenci e BE-së që po përpiqet të ndihmojë vendet e unionit të bëhen bashkë për mbrojtjen.

Në kundërpërgjigje, kompanitë evropiane në fushën e mbrojtjes po përpiqen të përmirësohen hap pas hapi, duke intensifikuar prodhimin dhe aftësitë e tyre. Por shumë kontrata që ato kanë nënshkruar, janë ende jashtë kontinentit në vende si SHBA dhe madje edhe Koreja e Jugut.

“Ne si kompani po investojmë tani qindra miliona dollarë, që të sigurohemi në përmbushjen e kërkesave”- thotë Micael Johansson, kreu i kompanisë suedeze të mbrojtjes, SAAB, raketat NLAË të së cilës, që lëshohen duke u mbajtur mbi shpinë, kanë qenë jetike për Ukrainën në luftën aktuale.

Por sfida e sigurisë e Evropës paraqet një problem tipik për BE-në:suksesi varet nga përafrimi i interesave vetjake të 27 shteteve anëtare. Dhe disa argumentojnë se dështimi për ta bërë këtë, vetëm se do të sjellë acarimin e konflikteve. “Në Evropë ka aktualisht një luftë. Qindra njerëz po vdesin çdo ditë, jo vetëm ushtarë, por gra dhe fëmijë. Evropa duhet të bashkohet kundër Rusisë, përndryshe nuk do të ketë paqe”- thotë Riho Terras, anëtar i Parlamentit Evropian dhe ish-Ministër i mbrojtjes i Estonisë.

Kërkesa e rritur për sigurinë e Evropës, është pjesë e një tendence globale që ka sjellë shtimin e shpenzimeve ushtarake që kur Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, deklaron Lucie Béraud-Sudreau nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm.

Tani në nivel global, shpenzimet për mbrojtjen e kanë tejkaluar shumën e 2 trilion dollarëve.

“Shpenzimet u rritën në mënyrë dramatike pas pushtimit rus në shkurt. Evropa po përpiqet ende të gjejë ritmin e duhur në raport me sfidat që paraqiten, duke rimbushur rezervat ekzistuese të armatimit”- shton ajo.

Kësaj qasjeje i bëri jehonë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në fjalimin e saj vjetor të mbajtur muajin e kaluar mbi Gjendjen e Bashkimit. Evropa nuk e dëgjoi Poloninë, shtetet baltike dhe pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore, tha ajo, kur prej kohësh ato po i binin kambanave paralajmëruese mbi Vladimir Putinin.

“Ata na kanë thënë për vite me radhë se Putini nuk do të ndalet par asgjëje”- deklaroi ndër të tjera Von der Leyen. Nevojat e Evropës janë të shumta:Ushtarakët po synojnë të përmirësojnë kapacitetet e tyre të komunikimit, të forcojnë lëvizshmërinë dhe përmirësojnë mjetet e tyre të inteligjencës dhe zbulimit.

Njëkohësisht, rajonet e Evropës po përballen me dobësi të ndryshme, të cilat kërkojnë strategji dhe pajisje të ndryshme, qoftë në tokë, det, ajër apo hapësirë ​​kibernetike. Megjithatë, pjesët më të ndërlikuara mund të kërkojnë vite për t’u prodhuar brenda Evropës. Disa armë të avancuara mbeten të disponueshme vetëm jashtë kontinentit tonë.

”Problemi i industrisë evropiane të mbrojtjes, është se ajo është mësuar të prodhojë armë komplekse në seri shumë të vogla për një periudhë të gjatë kohore, gjë që i përshtatet situatës në kohë paqeje”- thotë David Chour, zyrtari kryesor financiar i prodhuesit më të madh të armëve në Republikën Çeke, Czechoslovak Group (CSG).

“Por mjedisi i sigurisë ka ndryshuar, ndaj nevojiten miliarda euro investime”- nënvizon ai.

Franca ka qenë prej kohësh një nga mbështetëset më të mëdha në BE për krijimin e një rrjeti mbrojtës që ekziston më vete, një koncept i quajtur “autonomi strategjike”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, e ka vendosur këtë koncept në situatën aktuale, duke i bërë thirrje fqinjëve të tij në muajin korrik që të krijojnë një “ekonomi lufte”. Është një apel që i shërben qëllimit të dyfishtë, për të nxitur edhe vetë Francën në këtë fushë.

“Franca ka një industri shumë të sofistikuar të mbrojtjes, në të gjitha fushat dhe në shumicën e sektorëve. Qeveritë e njëpasnjëshme franceze, i kanë përdorur shitjet e armëve për të siguruar marrëdhënie të ngushta politike me vendet e tjera”- thotë Tom Waldwyn, studiues i prokurimeve të mbrojtjes nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike Bashkimi Evropian dhe Agjencia e saj Evropiane e Mbrojtjes, nisën të ofrojnë lehtësira tatimore që në vitin 2015, duke i inkurajuar vendet anëtare të blejnë armatim të reja. Kohët e fundit, BE krijoi një fond prej 500 milionë eurosh për të mbuluar blerjet e përbashkëta të armatimeve në kundërpërgjigje të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Por këto përpjekje janë të papërfillshme në krahasim me nevojën ose koston aktuale të blerjeve të mëdha të armëve. Për më tepër, gjeopolitika dhe marrëdhëniet dypalëshe janë shpesh baza se ku shkojnë shpenzimet për mbrojtjen.

Një shembull tipik ndodhi në shtator të vitit 2021, kur Franca i shiti Greqisë 3 nëndetëse në Greqi për shumën 5 miliardë euro, pak kohë pasi u prish një marrëveshje edhe më e madhe me Australinë. Macron ofroi gjithashtu një “partneritet strategjik” për ta mbështetur Athinën në mosmarrëveshjen e saj dhjetëravjeçare me Ankaranë, që bën rregullisht pretendime territoriale mbi zonat e kontestuara në Detin Egje.

Një nga dobësitë më të mëdha të sigurisë së Evropës është mbështetja e tepërt tek Kina. IFO Institute, një institut ekonomik me seli në Mynih të Gjermanisë, raportoi se gati gjysma e prodhimit të Gjermanisë, mbështetet tek lëndët e para kryesore që importon nga Kina.

Vetë Evropa përbën vetëm 10 për qind të tregut global të mikroçipëve, që mundëson funksionimin e shumë pajisjeve nga makinat larëse tek sistemet e mbrojtjes. BE-ja synon që ta dyfishojë këtë shifër, por udhëheqësit e industrisë kanë paralajmëruar se fondet e destinuara për përpjekjet janë tejet të pamjaftueshme.

Kjo çështje do të jetë akoma më në qendër të debatit pasi gjenerata e ardhshme e aftësive mbrojtëse po bëhet gjithnjë e më shumë e drejtuar nga teknologjia. Johansson, kreu i SAAB, tha se kompania e tij nuk ka lidhje me Kinën, por ajo ble mikroçipe nga kompania e prodhimit të gjysmëpërçuesve TSMC në Tajvan, që është edhe prodhuesi më i madh i mikroçipëve në botë. “Është shumë problem që jemi kaq të varur nga të tjerët për gjysmëpërçuesit shumë të sofistikuar”- thotë ai.

Burimi: Politico.eu

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN