Nga Sam Fleming & Leila Abboud ”Financial Times”
Javën e kaluar Emmanuel Macron kishte një mesazh shumë të thjeshtë për bizneset franceze që përgatiten të nënshkruajnë kontrata shumë të kushtueshme energjetike: Mos e bëni këtë!
Presidenti francez tha se kompanitë duhet të refuzojnë “çmimet e çmendura” që u ofrohen aktualisht, duke këmbëngulur se qeveritë evropiane do të kenë sukses me vënien sërish në funksione normale të tregjeve dhe në reduktimin e kostove në nivele të arsyeshme.
Aymeric Le Jemtel, kreu ekzekutiv i “Veta France”, një kompani e vogël që prodhon materiale termoizoluese për ndërtesat në një fabrikë në Francën Veriore, e ka të vështirë
të jetë po aq optimist sa Macron. Furnizuesit e tullave ku kompania mbështetet në të gjithë Evropën i kanë rritur çmimet e tyre për të kompensuar koston e lartë të gazi që përdorin në furrat e tyre.
Madje disa madje anuluar porositë që janë bërë jofitimprurëse. “Është shumë e vështirë që ta përballojmë situatën. Ne nuk duam që të mbyllim përkohësisht aktivitetin këtë dimër, por unë jam shumë i shqetësuar se si mund të vazhdojmë kështu”- thotë Le Jemte.
Teksa temperaturat kanë nisur të bien dhe po afrojnë muajt e dimrit – dhe importet e gazit nga Rusia janë në minimumin e tyre – ministrat evropianë të energjisë do të mblidhen të premten për të diskutuar një paketë në mbarë BE-në për vendosjen e disa taksave mbi fitimet e pazakonta të kompanive energjitike, të cilat synojnë rritjen e fondeve për subvencionimin e familjeve dhe bizneseve që preken rëndë nga kriza.
Ndërsa kryeqytetet e BE-së mund të tregojnë disa suksese në përpjekjet për t’i dhënë fund varësisë së madhe nga gazi rus – duke përfshirë mbushjen e depozitave të gazit në nivele mbi 85 për qind, disa prej tyre paralajmërojnë se propozimet e fundit nuk shkojnë aq larg sa duhet.
“Ka shumë zyrtarë që mendojnë se këto masa nuk mjaftojnë dhe se duhet bërë më shumë”- thotë një diplomat i BE-së mbi planet e Komisionit Evropian që do të diskutohen nga ministrat të premten. “Ne nuk kemi asnjë interes që çmimet e energjisë të shkaktojnë destabilitet në shtetet anëtare”- shton ai.
Rreth 15 shtete anëtarë i shkruajtën këtë javë një letër të përbashkët komisionerit të BE-së për energjinë, Kadri Simson, duke kërkuar vendosjen e një tavani në të gjithë BE-në për çmimet e shitjes me shumicë të gazit, në një kohë që bizneset po vuajnë pasojat e rënda të kostove të shtuara, që krahasuar me një vit më parë kanë arritur një nivel 5-fish më të lartë.
Tani analistët po paralajmërojnë se një recesion i madh ekonomik është i pashmangshëm. Dutsche Bank parashikon që Produkti i Brendshëm Bruto real në eurozonë të bjerë me gati 3 për qind midis tremujorit të dytë të këtij viti dhe të njëjtës periudhë të vitit 2023. Pra një rënie edhe më e madhe se sa gjatë krizës së euros.
Për shkak të fitores në zgjedhjet në Itali të një aleance të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Itali, kryeqytetet e tjera të BE-së po vëzhgojnë me vëmendje për shenjat se si rritja e kostos së jetesës mund të nxisë trazira popullore dhe mund t’i shtyjë votuesit drejt partive politike më ekstremiste.
“Tani kriza energjetike e Evropës ka filluar të godasë realisht sepse rritja e çmimeve të shumicës po ndihet tek faturat e kompanive, firmave dhe familjeve. Kostoja për ekonominë do të bëhet shumë më e madhe”- thotë Simone Tagliapietra, ekspert i çështjeve energjetike në think-tankun Bruegel.
Franca ka qenë një nga vendet anëtare të BE-së që ka qenë më aktive në përpjekjet e saj për
të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë. Por disa në qeveri shqetësohen se këtë dimër do të ketë një shpërthim të trazirave sociale. Përpjekjet e qeverisë franceze e kanë mbajtur normën e inflacionit në 6.5 për qind, shumë më poshtë se shumica e shteteve të tjera anëtare të eurozonës, dhe sidomos ato baltike, ku aktualisht inflacioni është midis 20-25 për qind.
Franca ka qenë në gjendje të mbrojë më mirë qytetarët e saj nga rritja e çmimeve sesa kudo tjetër në Evropë. Kjo sepse ajo mbështetet pak tek gazi si burim energjie, dhe e merr pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore nën menaxhimin e kompanisë shtetërore EDF.
Qeveria mori masa që në shkurt për të mbrojtur familjet dhe bizneset e vogla, nëpërmjet një “mburoje tarifore” e cila e kufizoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vetëm 4 për qind, dhe vendosi një çmim fiks për çmimet e gazit deri në fund të këtij viti.
Që nga ajo kohë qeveria jep nga 100 euro në muaj ndihmë shtesë për familjet e varfra, në formën e subvencioneve për ngrohje apo ulje të çmimit të benzinës dhe naftës në pikat e karburantit. Sipas Ministrisë franceze të Financave, paketa e ndihmës për këtë vit i kalon 24 miliardë euro, nga të cilat 7.5 miliardë euro shkojnë vetëm për shoferët.
Qeveria ka bërë me dije se masat mbrojtëse do të zgjerohen vitin e ardhshëm, duke e kufizuar në 15 për qind rritjen e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla. Kostoja bruto e këtyre masave për shtetin do të shkojë në 45 miliardë euro.
Por pasi të merren paratë nga prodhuesit e energjisë, kosto neto do të jetë vetëm 16 miliardë euro. Një qasje e tillë ndërhyrëse përputhet me kulturën politike franceze, në të cilën qeveria dikton shpeshherë politikën industriale, dhe vepron për të mbrojtur qytetarët nga krizat ekonomike.
Por kjo pasqyron gjithashtu edhe frikën në Elysee se pakënaqësia e votuesve mund të forcojë pozitat e partisë Tubimi Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, që në zgjedhjet parlamentare të verës që shkoi fitoi si asnjëherë më parë plot 89 vende në Asamblenë Kombëtare.
Qeveria e Macron u dëmtua jo pak nga protestat e Jelek-verdhëve në dimrin e vitit 2018 për shkak të propozimit për një rritje të taksës së karburantit. Ndaj disa ministra i frikësohen ringjalljes së asaj lëvizje të madhe dhe pa drejtues specifikë, edhe sepse sot çmimet në pikat e karburantit janë shumë më të larta se në atë kohë.
Dhe në fakt, fundjavave ka pasur një mori protestash të Jelek-verdhëve në Paris, dhe pranë Kanës dhe Tuluzës. Por deri tani atyre u ka munguar entuziazmi i turmave të mëdha në protestat e dikurshme. Sindikatat kanë planifikuar një grevë kombëtare të enjten për të ushtruar presion për rritjen e pagave.
Për shkak të ndërprerjeve të papritura të punës në centralet bërthamore të EDF, qeveria ka paralajmëruar mbi rrezikun e racionimit të energjisë për kompanitë. Disa shërbime publike si pishinat dhe muzetë kanë nisur të shkurtojnë orët e tyre të punës. “Lufta ndaj inflacionit është një prioritet ekonomik dhe politik. Inflacioni është një helm për demokracitë, dhe këtë e ka treguar historia”- deklaroi këtë javë Ministri francez i Financave Bruno Le Maire.
Por pavarësisht ndërhyrjeve të deritanishme, bizneset dhe familjet janë të tmerruar nga kostot me të cilat përballen. Vetëm kompanitë me më pak se 10 punonjës, dhe me më pak se 2 milionë euro xhiro mbrohen nga kufijtë e çmimeve të energjisë që qeveria franceze ka vendosur këtë vit dhe që planifikon për vitin e ardhshëm.
Por pavarësisht historive lokale, Tagliapietra thotë se në përgjithësi BE-ja gjendet në një pozitë shumë më të mirë tani sesa ishte 2 apo 3 muaj më parë. Përpjekjet energjike që nga pranvera kanë ndihmuar në diversifikimin e furnizimeve të saj me gaz larg Rusisë dhe drejt alternativave, përfshirë gazin e lëngshëm nga SHBA.
Gazi rus tani përbën vetëm 9 për qind të importeve në total, nga 41 për qind vitin e kaluar. Por kriza nuk ka mbaruar aspak. Rritja e niveleve të depozitimit të gazit vitin e ardhshëm mund të jetë edhe më i vështirë se sa këtë vit. Kjo duke pasur parasysh se rezervat e këtij viti u ndërtuan kryesisht falë importeve ruse, të cilat deri vitin e ardhshëm mund të ndërpriten plotësisht.
Ndërkohë, kryeqytetet e BE-së duhet të bëjnë shumë më tepër për të frenuar në mënyrë kolektive kërkesën si për gaz po ashtu edhe për energji elektrike këtë dimër dhe më tej. Por sipas një raporti të fundit të OECD, kjo do ta vendosë ekonominë evropiane në një vështirësi të madhe muajt e ardhshëm.
Një dimër i ftohtë mund ta përkeqësojë mungesën e ofertës, duke çuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve në tregjet globale. Vendet anëtare të BE-së kundërshtuan planet e Komisionit për reduktimin e detyrueshëm të konsumit të gazit këtë verë, duke zgjedhur një qasje vullnetare. Qeveritë evropiane kanë shpenzuar deri tani 500 miliardë euro për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë nga rritja e çmimeve të energjisë. Por shumë prej këtyre masave e kanë maskuar efektin e çmimeve të larta, duke minuar stimujt për uljen e konsumit.
Në Francë, konsumatorët po përgatiten për më të keqen. Saliha Sadelli, një infermiere që punon në një lagje të varfër në pjesën veriore të Marsejës, thotë se është dëmtuar shumë nga rritja e çmimit të benzinës, pasi ajo udhëton shumë me makinë për të kryer vizita në shtëpi. Faturat e saj janë rritur ndjeshëm, pavarësisht masave të qeverisë për të kufizuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ata na thonë se familjet kanë qenë të mbrojtura. Por unë shqetësohem kur shoh që faturat brenda një kohe të shkurtër janë rritur nga 200 në 350 euro në muaj. Unë pyes veten se çfarë duhet të bëj. Në verë mund të mos e përdor dot kondicionerin në shtëpi, pasi është një luks. Por ngrohja në dimër nuk është një luks”- thotë ajo.