MENU
klinika

INTERVISTA

Amnistia fiskale, eksperti: Qeverisë i duhen para për PPP!

17.10.2022 - 15:35

Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi, thotë se qeveria shqiptare është e detyruar nga presioni i oligarkëve që të vazhdojë përpara me nismën për amastinë fiskale dhe “pasaportat e arta”, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga partnerët ndërkombëtarë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti tregon se arsyet që e detyrojnë qeverinë të mos tërhiqet janë nevoja e madhe për para në buxhetin e shtetit pas shpenzimeve të larta dhe kushtëzimi nga bizneset e mëdha. Preçi thotë se qeverisë i duhen para për të mbushur arkën e shtetit, e cila është e detyruar të shpenzojë miliona euro për PPP e dhëna pa garë, por si kontrata publike dhe nga presioni që biznesmenët e fuqishëm i bëjnë për të ligjëruar paratë e tyre. Duke u bazuar në deklarimet e FMN dhe Bashkimit europian për këto dy nisma, Preçi shprehet se Shqipërisë nuk i duhen nisma të tilla, pasi ajo nuk ka kushte për të ndaluar ligjërimin e parave të pista të krimit dhe korrupsionit. Eksperti ngre shqetësimin se qëllimi i tyre ka prapavijë edhe politike, pasi jemi në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

INTERVISTA
Z. Preçi, FMN dhe BE kanë dalë kundër qeverisë për nismat e amnistisë fiskale dhe “pasaportat e arta” duke bërë të ditur edhe arsyet e këtij qëndrimi. Sa qëndrojnë pretendimet tyre dhe ku bazohen ato?!

Dy vijat kufizuese të kësaj nisme nga këndvështrimi i qeverisë mendoj se janë nevoja e ngutshme për më shumë para, pavarësisht pandemisë, tërmetit apo krizës ekonomike botërore dhe problemeve që ka sjellë agresioni rus në Ukrainë, buxheti i shtetit shqiptar është i destinuar të shkojë në një pjesë të konsiderueshme për të përmbushur kontratat koncesionare të Partneriteteve Publike-Private (PPP).

Në thelb, këto, për fat të keq, nuk preken nga kriza. Në këto kushte, qeveria është në nevojë të ngutshme për para. Por në të njëjtën kohë, kaq ose më shumë, qeveria është e kushtëzuar nga ata që rëndom konsiderohen si lobistë, biznesmenë të mëdhenj ose oligarkë. Janë një grup që praktikisht jo vetëm që merr çdo lek nga tenderët publike dhe krijohet një sistem zinxhir jofunksional i prokurimit publik. Kemi të bëjmë më shumë me kontrata publike sesa konkurrim të hapur dhe drejt si kudo në Europë. Qeveria kushtëzohet dukshëm prej kësaj kategorie dhe për rrjedhojë presioni i tyre është më i madh nga çfarë mendojnë qytetarët apo edhe ne ekspertët. Siç dihet, “pasaportat e arta”, të njohura zyrtarisht si programet e shtetësisë me investime, lejojnë të huajt e pasur të marrin nënshtetësinë ose qëndrimin në këmbim të investimit të një shume të caktuar parash në një vend.

Siç thekson BE në raportin e saj vjetor, “…skema të tilla paraqesin rrezik në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me legjislacionin e BE-së. Si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”, thuhet në raport. Ndërsa insistimin e qeverisë duhet ta shohim si trafik influence të lobeve të biznesit dhe të oligarkëve. Personalisht mendoj se nëse ecet përpara me këtë program, vendi ynë mund të kthehet në një rezervat ekstrakomunitarësh, madje edhe personash me të shkuar kriminale dhe mashtruesish financiarë ndërkombëtare dhe pushtetarëve të korruptuar të Azisë dhe Afrikës.

Qeveria ka deklaruar se nuk do tërhiqet, por është e hapur për konsultime e diskutime. Sipas jush, çfarë e shtyn qeverinë të mos tërhiqet dhe kujt i shërbejë miratimi i tyre?

Është e kuptueshme që për shkak të imazhit publik që krijon reagimi në front i organizatave ndërkombëtare, i atyre që mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe vendeve mike për shkak të rreziqeve që ajo përmban, qeveria ndjek një skemë të butë, bën një hap pas apo pa hequr dorë nga ideja apo detyrimet karshi oligarkëve. Në këtë këndvështrim, mendoj që Shqipëria nuk ka asnjë kusht për të ndërmarrë një amnisti fiskale, të aseteve dhe amnisti penale në mënyrë të njëkohshme.

Kjo, për faktin që niveli i lartë i informalitetit konsiderohet një barrierë e madhe. Minimumi 30-50 për qind e ekonomisë është jashtë kontrollit fiskal. Konsensusi publik mungon dhe me të drejtë BE tërheq vëmendjen për moralin tatimor, pasi edhe kostot fiskale nuk dihen. Nëse dikush arrin të bëjë ndarjen midis parave informale, fitimeve të pataksuara, sigurimeve shoqërore të papaguara, parave kriminale që vijnë nga aktivitetet e paligjshme brenda dhe jashtë vendit dhe korrupsioni do të meritonte çmimin Nobel. Unë nuk besoj se ka një ekonomist, jurist apo pushtetar të tillë, që mund të bëjë këtë ndarje në Shqipëri dhe jashtë saj.

Kjo është arsyeja që amnistitë përgatiten në vite ku synohet që të shmanget penetrimi i parave kriminale në ekonomi. E vërteta është që në kushtet e Shqipërisë, paratë kriminale po zënë një peshë përherë edhe më të madhe. Nuk janë më thjesht në lojëra fati, nuk janë më dukshëm në ndërtim, në tregjet financiare, por këto para përbëjnë një kërcënim në rritje sepse një numër përherë e më i madh biznesesh po bëhen me detyrim bashkaksioner.

Historitë e krimeve të ndodhura me eksponentët më të rëndësishëm të krimit të organizuar në Shqipëri provojnë që ambicia dhe egoja e tyre nuk është më të kenë para, por të kenë aksione kompanish. Ka një përzierje të dhimbshme të biznesit të ligjshëm për shkak edhe të vështirësive për sigurimin e kapitaleve financiare e kredive me këto para. Në këto kushte, Shqipëria nuk është gati për të ndërmarrë një amnisti të tillë dhe nuk i duhet një amnisti e tillë. Nuk mendoj se vendi mund të zhvillohet me para kriminale dhe korrupsioni. Në harrojmë që i ashtuquajturi “Këshillim Kombëtar” që organizoi kabineti i qeverisë Rama mobilizoi administratën, nëpunësit dhe rrethet familjare të tyre dhe patronazhistët për të siguruar përgjigjet dhe justifikuar frikën që grupet e vërteta që janë të interesuara të dalin në shesh duke afishuar drejtpërdrejt interesat e tyre. Mos harroni që një peshë e rëndësishme, sipas denoncimeve që bën KLSH për humbjen vjetore që vijnë nga abuzimi me fondet publike dhe pasuritë kombëtare, nuk lë shumë hapësirë për debat.

Ka një segment të rëndësishëm të administratës publike, elitës politike, Parlamentit, segmenteve të qeverisë apo ish-qeverisë, të cilët janë pasuruar dukshëm në mënyrë të paligjshme gjatë kësaj kohe dhe kërkojnë një mekanizëm që ato pasuri që në shumicën e rasteve i kanë vënë në emër të personave të tretë t’i legjitimojnë duke përdorur si koperturë gjoja prurjet e emigracionit apo elemente të tjerë, që në thelb rrisin peshën e ekzekutivit dhe mundësojnë thjesht legjitimimin e parave të pista, asgjë më shumë. Presioni i grupeve të interesit, klasave të kriminalizuara dhe pasuruara në mënyrë të paligjshme në qeveri, Parlament etj. Presioni i oligarkëve që kanë marrë taksat për 20 apo 30 vitet e ardhshme është shumë i madh dhe janë ata që e orientojnë qeverinë në këtë drejtim. Ndërkaq, preteksti elektoral nuk duhet injoruar sepse qeveritë shqiptare e kanë në traditën e tyre që të krijojnë imazhin e vendit që zhvillohet, lulëzon e hap vende pune dhe nuk thuhet e vërteta që është tërësisht e kundërta, ku shoqëria po polarizohet edhe më shumë, krimi po merr zemër dhe shtohet numri i shqiptarëve që tentojnë të largohen nga vendi.

Në situatën e krizës aktuale në vend, me protesta të pedagogëve dhe PAK, çfarë duhet të bëje qeveria për të zbutur efektet e krizës?

Protestat e shpallura nga pedagogët dhe personat me aftësi të kufizuara janë diçka e pritshme, sepse efektet e krizës janë prezente. Qeveria vetëm flet, por nuk vepron dhe mungojnë politikat që e minimizojnë efektin e krizës. Ndonëse rritja e pagave në kohë krize nuk është e këshillueshme, unë mendoj që qeveria duhet të ndërtojë një piramidë pagash dhe të heqë dorë nga “darova”, apo dhënia dhuratë nga qeveria. Kjo do të thotë që ka nevojë për një studim më të thelluar, për të investuar në rritjen e rendimentit të punës që paga të vijë në mënyrë të natyrshme, si rezultat i produktivitetit më të lartë, jo si rezultat i vendimmarrjeve rishpërndarëse të qeverisë.

Po kështu, është e rëndësishme të kuptohet që përvoja e vendeve përreth, qoftë edhe e Kosovës, është për t’u marrë në konsideratë dhe nuk ka pse të mos të jemi minimalisht në ato standardet e Kosovës. Pra, ka nevojë për të përdorur ato mekanizma kompensues që janë për shtresat në nevojë dhe për nxitjen e prodhimit vendas. Rritja e pagave dhe pensionit do të pengonte rënien e konsumit pasi jemi në një situatë realisht shqetësuese, që do kërkojë mbi 5 vjet për të dalë prej saj dhe nuk shoh asnjë lloj shqetësimi në qeveri për sa i përket ndërmarrjes së politikave të nevojshme për këtë qëllim. Inkurajimi i konsumit, mbështetja e prodhimit vendas dhe e shtresave në nevojë për të frenuar rrënimin social-ekonomik të tyre është përgjegjësi e qeverisë.

Z. Preçi, qeveria duket se ka “ndaluar” deklaratat politike për ndërtimet dhe katet pa leje. Pse ky qëndrim, a u dorëzua qeveria përballë ndërtuesve?

Sa i takon çështjes së ndërtimeve dhe kateve pa leje, ky është një rast unik në botë, prej shumë dekadash që qeveria merr tërësisht atributet e gjykatave. Ne gjatë kësaj kohe jemi përballur në kushtet kur Parlamenti nuk funksionon dhe luan një rol noteri për qeverinë, kuptohet që qeveria e ka zgjeruar pushtetin e saj mbi pushtetet e tjera, ka përqendruar pushtetin në një dorë të vetme dhe praktikisht po luan rolin e gjykatave. Ndoshta ka qenë një këshillë ndërkombëtare apo është kuptuar që duke ndërmarrë një akt të tillë, qeveria përsëriti operacionin “Forca e ligjit”.

Ajo rriti presionin mbi të paligjshmit që shkelin kondicionet urbane dhe nuk bëri asgjë për të ndëshkuar kryebashkiakët që nuk respektojnë ligjin dhe rregullat urbane. Në shumë qytete jemi shumë larg të qenurit normal, pasi nuk ka parqe dhe kënde lojërash mes pallateve të banuara dhe kjo shpjegon arsyen pse “udhëheqësit e lavdishëm” kanë marrë malet dhe banojnë në kodrat rreth Tiranës. Në këto kushte, qeveria ka ndaluar përkohësisht, por përpara ushtrohet presion që konvertohet në afera korruptive, në kontribut në politik me vota apo para për fushatën elektorale, që në të njëjtën kohë përkthehet në legjitimim.

Në vend që të ndëshkohen nëpunësit publikë që nuk zbatojnë ligjin dhe ushtrojnë kontrollin urban dhe nuk ndëshkojnë personat përgjegjës, ndihet rruga tjetër. VKM është në fuqi dhe Gjykata Kushtetuese është e trembur përballë qeverisë dhe nuk ka ndërmend ta trajtojë çështjen e ankimimit të saj tani, shpejt krijohet një situatë ku në mënyrë të heshtur ndërtuesit vrapojnë të gjejnë zgjidhje duke u vënë në shërbim politik dhe financiar të qeverisë. Ky është nga aktet kulminante të paligjshmërisë duke marrë atributet e Gjykatës.

Tani kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më me fajin e ka Berisha edhe tani që ai ka 10 vjet që nuk është më dhe duke ia hedhur fajin paraardhësit. Qeveria duhet të japë llogari përpara qytetarëve, ndërsa ata duhet të bëhen më të përgjegjshëm për votën dhe taksat e tyre. Respektimi i kondicioneve urbane duhet parë si përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit vendor dhe tërthorazi nga KKRT, pasi ajo i jep lejet për kullat e larta. Kjo iniciativë nuk i shërben as qeverisë, publikut dhe të ardhmes së bashkëjetesës së qytetarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN