MENU
klinika

"Të përdoren për rindërtimin e vendit pas luftës"

BE ngriu asetet ruse deri në 17 miliardë euro. Thirrja e zyrtarëve ukrainas

29.10.2022 - 17:25

Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet ruse me vlerë rreth 17 miliardë euro (16.9 miliardë dollarë) që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt. Kështu bëri me dije komisioneri i drejtësisë i BE-së Didier Reynders.

Shifra është rritur nga rreth 13.8 miliardë euro “nga oligarkët dhe entitetet e tjera” që Reynders në korrik njoftoi se BE kishte ngrirë, kryesisht në pesë vende.

“Deri më tani, pasuritë e 90 personave janë ngrirë, më shumë se 17 miliardë euro në shtatë shtete anëtare, duke përfshirë 2.2 miliardë euro në Gjermani”, tha ai për grupin mediatik të gazetave Funke.

BE-ja ka miratuar tetë paketa sanksionesh që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës tetë muaj më parë.

Zyrtarët ukrainas kanë bërë thirrje që asetet të përdoren për të rindërtuar vendin e tyre pas luftës.

“Nëse janë para kriminale të konfiskuara nga BE-ja, është e mundur që ato të transferohen në një fond kompensimi për Ukrainën”, tha Reynders në intervistë.

“Kjo shumë është larg nga të qenit e mjaftueshme për të financuar rindërtimin,” shtoi ai.

Më vete, Reynders i tha gazetës Hamburger Abendblatt se këtë vit mund të shihen gjyqet e para të krimeve të luftës të lidhura me luftën në Ukrainë.

“Nëse prokurorët duan të fillojnë në nivelin më të lartë, le ta bëjnë këtë”, tha ai.

Reynders tha se ai ishte “arsyeshëm i sigurt” se gjyqet e para për krime lufte të të dyshuarve rusë do të fillonin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare këtë vit.