MENU
klinika

“Me kandidat të përbashkët”

Berisha – Meta, marrëveshjen për vendoret! Pikat që bashkuan PD dhe PL

28.10.2022 - 09:46

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-Kryeministri Sali Berisha firmosën dje marrëveshjen për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Marrëveshja e konsideruar historike nga të dy liderët parashikon që të dyja forcat në të gjitha bashkitë e vendit të dalin me një kandidat të përbashkët që do të dalë nga procesi i primareve, një angazhim i marrë nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha. “Konkurrimi për kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në pikën 1 të marrëveshjes të firmosur nga Berisha e Meta.

Ndërkohë, nga ana tjetër Partia Demokratike e drejtuar nga ish-Kryeministri Berisha është dakordësuar me Partinë e Lirisë për të realizuar referendumet për çdo shqetësim të qytetarëve. “Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh”, thuhet në vijim të marrëveshjes së tyre.

KËSHILLAT BASHKIAKË
Në vijim të marrëveshjes së firmosur dje në mesditë, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë ka dakordësuar edhe formulën e drejtimit të këshillave bashkiakë. Kështu, sipas kësaj marrëveshjeje, nëse në zgjedhjet e 14 majit, numrat e anëtarëve të këshillave bashkiakë në një bashki të caktuar bëjnë të mundur arritjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit, atëherë kryetari i takon parisë që bën të mundur krijimin e shumicës.

“Këshillat bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të këshillave bashkiakë dhe të bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve”, shkruhet në marrëveshje.

OBJEKTIVI
Sakaq, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në fjalën e mbajtur para përfaqësuesve të dy forcave politike dhe të qytetarëve që ndiqnin përmes mediave, tha se objektivi i marrëveshjes është që të rivendosin normalitetin në pushtetin vendor me llogaridhënie dhe me vendime transparente. Marrëveshja, sipas tij, nuk flet për pazar e ndarje pushtetesh.

“Sa i takon Partisë së Lirisë, objektivi është çminimi i këtij regjimi monist në nivel vendor dhe ndëshkimi nga të gjithë qytetarët e Tiranës. Ky është interesi ynë. Ne nuk e shohim këtë marrëveshje për ndarje pushtetesh në nivel vendor. Për ne, me rëndësi është të kthejmë besimin e qytetarëve shqiptarë, te demokracia dhe roli tyre. Fakti që marrim këtë angazhim madhor për çështjen e referendumeve, besoj se është garancia më e mirë për të ardhmen dhe do të realizohet. Për asnjë bashki nuk do të ketë asnjë problem dhe asnjë shqetësim nga ana e PLsë në raport me PD-në apo grupimet e tjera që ajo negocion. Ne respektojmë primaret, kudo ku ka interes nga kandidatë të PL apo pranë PL për të kandiduar ne respektojmë primaret dhe nuk do kërkojmë që të lihet një bashki, përkundrazi të gjendet mënyra më e mirë e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes në primare”, tha Ilir Meta.

Ndërkohë, sa i përket informacioneve që dolën se superpolitikani që do jetë në krye të Këshillit Bashkiak do të jetë ai, kreu i PL-së tha se ai vet ka plane kombëtare dhe jo lokale.

PIKAT E MARRËVESHJES
1. Konkurrimi për kryetarët e bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH-ja dhe PL-ja do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.

3. Këshillat bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të këshillave bashkiakë dhe të bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Jozefina Topalli caktohet si drejtuese politike!

Tomorr Alizoti merr vendin e Ervin Salianjit në Elbasan!

Ministri i Financave: Do realizohet paralelisht me…

“Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, nuk do të bëhet këtë vit”

“Kush do të merret me llafe le të merret…”

Zyrtarisht nën hetim nga SPAK, reagon Benet Beci