MENU
klinika

“Arkeovizion”

“Bizanti shqiptar” në festivalin e filmit arkeologjik

28.10.2022 - 14:22

Në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar sot është dita e pestë e festivalit “Arkeovizion”, gjithashtu dita e një filmi shqiptar. Tema e këtij viti është “Kthim në të ardhmen” dhe fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë në këtë festival: “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”.

Sot është dita e filmit mbi Bizantin, ku spektatorët do të njihen me ndikimin e Perandorisë Bizantine në historinë, artin dhe kulturën në Shqipëri. Rolin që ka luajtur hapësira Shqiptare në periudhën e Bizantit dhe si kanë qenë marrëdhëniet e shqiptarëve me Perandorinë Bizantine, rrymat kulturore, që nga Kostandinopoja janë pasqyruar në hapësirën shqiptare dhe si janë përvetësuar, modifikuar dhe zbatuar ato duke u bërë pjesë e kulturës sonë.

“Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria” është një prodhim i financuar nga Bashkimi Europian (54 minuta), me skenar të Andi Rëmbecit, regji të Denald Grepckës, prodhuar nga “Argjiro”.

“Arkeovizion” filloi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë. Ky festival ka për qëllim qasjen ndaj ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë e tyre; të shpjegojë punën e ekspeditave arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike, si novacioni digjital, turizmi etj.