Paketa fiskale 2023, për 7 shoqata të bizneseve, rrit edhe më shumë kostot e rënduara të prodhuesve dhe rrezikon falimentimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Në këtë periudhë krize, shkuan “Monitor” kur kostot janë rritur mbi 50% nga shtrenjtimit e lëndëve të para, bizneset kërkojnë t’u ulen taksat, të zbatohet amnistia fiskale, por me kushtin që do të garantojë formalizimin e ekonomisë dhe të kreditohen me fond garancie me interesa 1%.
BIZNESET
Paketa fiskale 2023, e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka rikthyer, edhe një herë, debatin për uljen e taksave për bizneset, me qëllim që të përballohen efektet e krizës globale të rritjes së çmimeve. Njëzëri, Dhoma e Tregtisë së Tiranës (DHTT), Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Ndërtuesve, Qendra e Eksporteve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës kundërshtuan paketën e re fiskale të propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe shoqatat e biznesit, vlerësojnë se paketa e re fiskale nuk i ndihmon bizneset në përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.
Kryetari i DHTT, Nikolin Jaka, nënvizoi se ndryshimet fiskale për rritjen e gjobave, ndryshimet për unifikimin e akcizës te birra dhe pijet alkoolike vijnë në një kohë kur prodhuesit po përballen me rritje të kostove që shkojnë mbi 50%. Sipas tij, masat e reja fiskale thellojnë rëndimin e situatës ekonomike në Shqipëri dhe rrezikojnë falimentimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat ende vuajnë pasojat e tërmetit të 2019-s dhe pandemisë.
Shoqatat e biznesit, në këtë situatë krize që po kalon vendi, si rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pasojave negative që po krijohen nga rritja e çmimeve në tregun global, rekomanduan të ndërmerret një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostove të prodhimit dhe për t’i dhënë sipërmarrjes frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për kthimin sa më parë në normalitet të saj. Shoqatat e biznesit kërkojnë që, në këtë periudhë krize, kur prodhuesit janë të varur nga importi i lëndëve djegëse dhe të para ndihmëse, të ekspozuar dhe të pambrojtur nga koniunkturat e çmimeve në bursat ndërkombëtare, të ndërmerret ulja e taksave. Ndër propozimet kryesore të tyre janë heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet që lidhen për investimet. Heqjen e akcizës së gazit që hyri në fuqi nga 1 korriku 2022. Për sipërmarrësit, niveli i akcizës 6 lekë për litër te gazi rrit kostot për shpenzime nga 10 deri në 20%. Të hiqet taksa e qarkullimit të karburantit për industrinë e ndërtimit, si dhe të hiqet taksa e pasurive për ndërmarrjet prodhuese. Bizneset kërkuan gjithashtu edhe krijimin e një fondi garancie për kreditimin e industrive prodhuese me afat 5-vjeçar, për një periudhë mospagimi deri një vit me interesa 1%.
Zbatimi i amnistisë fiskale u mbështet edhe nga shoqatat e biznesit, por me kushtin që nëpërmjet ligjit të garantohet që pas implementimit, konkurrenca e bizneseve të ndershme të mos dëmtohet nga informalët. Paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve, përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkoolike.
UNIFIKIMI I AKCIZËS
Prodhuesit vendas të birrës kanë bërë sërish thirrje për mosbarazimin e nivelit të akcizës, pasi rrezikon falimentimin e sektorit. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendas, Stefan Pinguli, theksoi se unifikimi i akcizës, në kushtet e krizës së rritjes së kostove dhe uljes së konsumit do të jetë goditje finale për industrinë. Pinguli pohoi se rreth 2 mijë të punësuar në sektor rrezikojnë të mbeten pa punë.
Ndër vite, nga prodhuesit vendas, për këtë industri është investuar sipas shoqatës në total 100 milionë euro. “19 vite më parë, mbështetur në legjislacionin e direktivës së BE-së, nga Shoqata e Prodhuesve të Birrës është kryer një studim, ku rezultoi që të gjitha bizneset prodhuese mbi 200,000 hl për popullsi mbi 1 milion banorë, kryesisht importues, kanë kosto më të ulët prodhimi se ata që prodhojnë nën këtë nivel. Mbi këtë studim, nga qeveria, u mor vendimi për të kompensuar kostot e prodhuesve vendas në raport me importuesit. Edhe masa fiskale vijoi të zbatohet për vite radhazi, pra diferencim i akcizës, birra e importit zë të lartë te konsumi në nivelin 53% të tij.
Tashmë, me masën e re fiskale të propozuar për të dyfishuar akcizën, do të dëmtohen prodhuesit vendas. Për zhvillimin e industrisë janë investuar rreth 100 mln euro dhe janë rreth 2 mijë të punësuar (duke përfshirë edhe shpërndarësit). Ndryshimet në projektligjin për akcizën, të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë unifikojnë akciza për prodhuesit dhe importuesit nën dhe mbi 200,000 Hl në masën 710 lekë për Hl. Me ligjin aktual, akciza për prodhuesit dhe importuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL dhe për fashën mbi 200,000 HL në vit është 710 lekë/Hl.
Me paketën e re unifikohet edhe akciza e pijeve të forta alkoolike me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool. Akciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: uiski, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo është e ndarë në dy fasha”.
NDËRTUESIT
Tri taksat, si: taksa 3% për banesat sociale, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e transportit të dherave rrisin artificialisht 35% deri në 40% barrën fiskale të ndërtuesve. Për përfaqësuesin e Shoqatës së Ndërtuesve, Luigji Aleksi, këto taksa, jo vetëm po ndikojnë te kostot, por janë të miratuara në kundërshtim me legjislacion shqiptar dhe të BE-së. Sektori i ndërtimit kërkon heqjen e këtyre taksave, pasi nëse ndërtuesit do të lehtësohen prej tyre, do të nisë rënia e çmimeve të apartamenteve.